Raporti / Infrastruktura të rikthehet prioritet për ekonominë

Saimir Lleshi

Në raportin e reformave ekonomike 2016-2018 përcaktohet se është e nevojshme që investimet të përqendrohen në rrjetin kryesor rrugor, në portet dhe hekurudhë. Sektorë që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për ekonominë përcaktohen bujqësia që vuan nga toka e fragmentarizuar dhe turizmi.

Në dy vitet e ardhshme shtimi i investimeve në infrastrukturë përcaktohet si një reformë kyçe për ecurinë ekonomike të vendit edhe pse dy vitet e fundit qeveria nuk ka nisur asnjë projekt të ri.

Në raportin e reformave ekonomike 2016-2018 theksohet se përmirësimi i rrugëve, porteve dhe i hekurudhës janë të domosdoshme për të rritur shkëmbimet tregtare dhe të ardhurat në buxhet.

Por mesa duket gjatë këtij viti ky rekomandim është i pazbatueshëm. Gjatë vitit 2016 në buxhetin e shtetit, shpenzimet janë parashikuar 452.1 miliardë lekë, me një rënie prej gati 1% në raport me një vit më parë. Në raportin e hartuar nga ekspertë të institucioneve shqiptare të cilët janë mbështetur edhe në rekomandimet e BE-së dhe FMN-së kërkohet finalizimi i një drafti për infrastrukturën.

Ndërkohë Strategjia Sektoriale e Transportit është duke u hartuar me mbështetje të asistencës teknike nga Komisioni Evropian. Po ashtu kërkohet që në dy vitet e ardhshme me prioritet të jetë edhe hekurudha dhe sidomos në aspektin lidhës me vendet e rajonit.

Një tjetër sfidë e qeverisë për të përmirësuar ekonominë në vend është edhe konsolidimi dhe defragmentarizimi i tokës, kjo pasi vlerësohet si pengesa kryesore për konkurrueshmërinë.

Në raport theksohet se kontributi i bujqësisë dhe turizmit në PBB, me kalimin e viteve, ka nxitur rritjen ekonomike dhe ofruar mundësi të mëdha punësimi. Megjithatë, të dy sektorët vazhdojnë të përballen me pengesa dhe sfida për rritjen e qëndrueshme. Sektori i bujqësisë vazhdon të përballet me një sërë sfidash, duke përfshirë përmasat e vogla të fermave dhe fragmentimit të tokës, infrastruktura e dobët, qasja e kufizuar në kredi dhe grante. /DITA/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *