DITA zbulon një raport të PAMECA dhe ICITAP mbi situatën e pagesave në policinë shqiptare: Pagat e policëve, më keq se në 2003. Situatë katastrofale, veçanërisht pas 2007-s! Shifrat reale të pagesave, shtesat ligjore që nuk jepen, ç’po ndodh me agjentët e infliltruar. Sa paguhen policët shqiptarë krahasuar me policët në Kosovë, Bosnje, Mali i Zi dhe Maqedoni. Paga e një Drejtori në administratë që menaxhon 5-7 punonjës, më e lartë se paga e drejtuesit policor që menaxhon 9915 policë! Policët e patrullave paguhen më pak se pastrueset e disa institucioneve shtetërore!
Një raport i hartuar në muajin Nëntor të vitit të kaluar për Policinë e Shtetit nga dy përfaqësi ndërkombëtare si PAMECA dhe ICITAP, ka ofruar një panoramë krejt të zymtë madje edhe diskriminuese për punonjësit e policisë së shtetit. Raporti është i shkruar në shqip dhe anglisht, e mes rradhëve të tij prej 60 faqesh mund të mundohesh sa të duash për të gjetur një element progresi apo përmirësimi për punonjësit e policisë në dekadën e fundit, por është e pamundur. Situata e policëve ka degraduar me shpejtësi vit pas viti. Përngjajnë si një grup njerëzish të orientuar e të trajtuar si “mish për top” me paga që as nuk krahasohen me homologët e tyre në vendet e rajonit të Ballkanit, por edhe me shpërblime, pagesa për orë shtesë, fatura shërbimesh dhe ndihmë të posaçme për detyra delikate, krejt të munguara. Raporti thekson se situata ka ardhur e përkeqësuar që pas vitit 2003, por rënia “pikiatë” duket se ka ardhur pas vitit 2007, aq sa ekspertët e huaj nuk kanë nguruar që të thumbojnë me disa pasazhe në raportin e tyre duke kujtuar se punonjësit e patrullave të përgjithshme, (që janë të lidhur direkt me mbarëvajtjen e rendit në qendrat urbane), paguhen më pak se …pastrueset e disa institucioneve të tjera shtetërore (!). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për policët të cilët kanë dalë në pension të parakohshëm, kontributet e tyre për pensionin janë rritur vitet e fundit por përfitimi nga pensioni është reduktuar. As kuotën e racionit mujor të ushqimit që e kanë të garantuar me ligj, kanë vite që nuk e përfitojnë – thuhet në raportin që mban në faqet e tij vulën “konfidencial”.
Gazeta “DITA” publikon sot pjesët më domethënëse dhe pasazhet më kryesore të këtij raporti i cili është më shumë se një këmbanë që gjithëkush të kuptojë se uniformat blu në Shqipëri, njerëzit dhe punonjësit që janë përzgjedhur për të garantuar jetën e qytetarëve, në fakt me kushtet që u ka krijuar shteti, zor se kanë qetësinë e duhur për të bërë punën, pasi të ardhurat që marrin i kanë vënë ata në kushtet e mbijetesës. Dhe pyetja që të vjen menjëherë në mend pasi ke lexuar një material të tillë është: a mund të na krijojnë ne qytetarëve siguri publike punonjës dhe efektivë të trajtuar kësisjoj?
Vlen të theksohet se nga të gjitha deklarimet qeveritare dhe të kryeministrit në lidhje me pagën e policëve, apriori kryeministri pretendon rritje progresive të rrogave të policëve, ndërsa raporti i specializuar i ekspertëve ndërkombëtarë flet për një degradim progresiv të trajtimit të policëve. E gjitha kjo situatë me siguri që e ka një kosto, e cila nuk është vetëm kostoja e dobësimit të sigurisë publike për qytetarët. Raporti mes rreshtave përmend dhe rrezikun eminent që efektivë të caktuar të policisë, nisur nga keqtrajtimi financiar ta kenë më të lehtë të hidhen në “kampin tjetër” pra të “kontaminohen” nga ofertat që vijnë nga bota e krimit. Kështuqë kostoja e këtij keqtrajtimi mund të jetë edhe më e madhe se dobësimi i sigurisë publike, kostoja e vërtetë mund të jetë kriminalizimi i strukturave të policisë. Fundja a nuk jemi të gjithë dëshmitarë kur kalojmë në rrugët nacionale dhe shikojmë se patrullat policore në këto akse shpesh kthehen në struktura gjobëvënëse private? Jo më kot ata policë durojnë me aq zell diellin e breshërin, jo thjesht për rrogën, por për “diçka më tepër”.
PJESË NGA RAPORTI:
Niveli
Aktualisht niveli i trajtimit financiar nuk është motivues për punonjësit e policisë, pasi ai nuk plotëson nevojat minimale të tyre, kjo duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës , punën jashtë vendbanimit, gjendjen familjare të këtyre punonjësve për shkak të papunësisë së pjestarëve të tyre etj. Ky nivel i ulët i trajtimit financiar të policëve ka sjellë pasoja dhe në cilësinë e rekrutimeve ku pjesa më e madhe e aplikantëve që konkurojnë për tu bërë pjesë në strukturat e policisë kanë një mesatare notash 5-6.
Raportet
Pagat e punonjësve policisë në raport me Institucionet e tjera të Administratës Publike ishin në raportin 1 me 1.8 deri në vitin 2003, ndërsa tashmë janë në raportin 1 me 1.18. Rritja mesatare e pagave ka qenë në raport të zhdrejtë me ndalesat në pagë, ku koifiçenti i rritjes reale të pagave ka ardhur në rënie, nga 23 % në vitin 2003 në minus 4% në vitin 2011, ndërkohë që koifiçenti i ndalesave është rritur nga 16.2% në 2003 në 25.6% në vitin 2011.
Pastruesja
Paga e policisë nuk i reflekton siç duhet përgjegjësitë e pozicionit të punës, përshembull në një institucion të zbatimit të ligjit paga e një pastruesi, është më e lartë sot se paga e një punonjësi të patrullës së përgjithshme në Policinë e Shtetit, apo paga e Drejtorit të Përgjithshëm në Administratën Publike që menaxhon në disa raste 5-7 punonjës është e njëjtë ose edhe më e lartë se paga e Drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shtetit i cili menaxhon 9915 punonjës policie.
Rajoni
Punonjësi i policisë merr pagë mujore më të ulët se punonjësit e policisë në vendet fqinje si Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi. Në këto vende punonjësi i policisë me gradën INSPEKTOR merr pagë mujore merr një pagë që varion nga 380 euro deri në 697 euro ndërkohë që i njëjti nivel në policinë shqiptare merr 317 euro. Punonjësi me gradë NËNKOMISAR merr nga 660 euro deri në 1 000 euro në vendet e rajonit ndërsa në Shqipëri punonjësi i policisë me të njëjtën gradë paguhet 417 euro(bruto). Punonjësi me gradën DREJTUES I PARË merr nga 820 euro deri në 1 000 euro në vendet e rajonit, ndërsa në policinë shqiptare merr 789 euro (bruto).
Minimumi
Paga minimale në shkallë vendi për vitin 2011 është 20. 000 lekë ndërkohë që rreth 75 % të punonjësve të policisë kanë të ardhura mujore familjare për frymë nën pagën minimale në shkallë vendi.
Vjetërsia
Vjetërsia në punë që përfitojnë të gjithë punonjësit e Administratës Publike nuk jepet për punonjësit e policisë nga viti 2003 e në vazhdim megjithëse është përcaktuar në nenin 88 të ligjit për “Policinë e Shtetit” duke bërë që punonjësit të marrin aktualisht rreth 13 % më pak të ardhura mujore. Mesatarja e vjetërsisë në punë e punonjësve të policisë është rreth 13 vjet.
Kontributet
Kontributet që paguajnë punonjësit e policisë për trajtimin suplementar është rritur nga 1% në 5% ndërkohë që përfitimi financiar i punonjësit që merr pension të parakohshëm është ulur 2.43 herë. Vetëm në periudhën 2009-2011 pagat neto të punonjësve pësuan ulje në masën 4% si rezultat i rritjes së kontributit.
Ushqimi
Punonjësit e policisë nuk marrin trajtim ushqimor pavarësisht se ky trajtim është i miratuar me Vendim të Këshillit të ministrave nr.494 datë. 01.08.2007 dhe urdhër të Ministrit të Brendshëm duke bërë që çdo punonjës realisht të mos marrë rreth 10 000 lekë në muaj. Këtë të drejtë e gëzojnë Forcat e Armatosura, Garda e Republikës si dhe të gjithë punonjësit e policisë në vendet e Rajonit si dhe organizatat policore në vendet e BE-së.
Paga e 13-të
Punonjësi i policisë nuk përfiton pagën e 13-të në fund të vitit, sipas ligjit “Për Policinë e Shtetit” ku përcaktohet se “Punonjësit e policisë përfitojnë çdo vit, në fund të vitit financiar një shpërblim deri në një pagë mujore……Punonjësit që nuk kanë mungesa në punë për çfarëdo arsye, përveç kohës së pushimit, kanë të drejtën e shpërblimit të plotë”.
Ulja e pagës
Me ndryshimet legjislative në policinë e shtetit në vitin 2007, një pjesë e mirë e punonjësve pësuan ulje në pagë si rezultat i implementimit të pagave. Konkretisht punonjësit që ishin me gradën Kryeinspektor(rreth 12% e punonjësve të policisë) si rezultat i këtij ndryshimi pësuan ulje të ndjeshme në pagë në masën 10%. (Paga e Kryeinspektorit në vitin 2008 ishte 59.780 lekë ndërkohë që paga e nënkomisarit në Korrik 2008 u bë 53.800 lekë)
Agjentët e infiltruar
Nisur nga ambienti ku punojnë këta punonjës policie të infiltruar, ekziston gjithnjë mundësia e “kontaminimit” të tyre nga sjellje kriminale për shkak të përfitimit financiar dhe një alternativë për të shmangur këtë pasojë është kompesimi i tyre financiar duke përfshirë dhe komoditete të tjera që i jepen atij për shkak të detyrës që kryejnë.
Transferimet
Megjithëse në rastet e transferimeve punonjësit e policisë përfitojnë trajtim financiar për largësinë nga vendbanimi , trajtimi financiar është në masën e 30% të shumës së harxhuar për shpenzime udhëtimi. Gjithashtu në rastet e transferimit, bashkëshorti/ja e punonjësit të policisë trajtohet financiarisht për kohën e qëndrimit pa punë, por masa e trajtimit financiar është 50% më e ulët se paga që do të merrte nëse do të vazhdonte në marrëdhënie pune.
Me turne
Për punonjësit e policisë që punojnë me turne (rreth 76.32%) përveç kostos financiare të udhëtimit, ata shpenzojnë rreth 2-3 orë në ditë për të vajtur në qendrën e punës. Kohë e cila nuk paguhet dhe ndikon në gjendjen fizike të punonjësve.
Demotivimi
Punonjësit e policisë me pagën aktuale nuk janë të motivuar, pasi trajtimi financiar nuk plotëson nevojat minimale të tyre, kjo duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës, punën jashtë vendbanimit gjendjen familjare të punonjësve etj.
Përgjysmimi
Një element tjetër i rritjes së ngarkesës në punë të punonjësve të policisë është fakti se nga viti 1991 numri i punonjësve të policisë është reduktuar nga 1 punonjës për 200 banorë në 1 punonjës për 445 banorë. Ky reduktim prej 55% i numrit të punonjësve ka ndodhur edhe pse detyrimet e Policisë së Shtetit janë shtuar për të përballuar nivelin në rritje të krimeve, sidomos të krimit të organizuar dhe për plotësimin e rekomandimeve për antarësimin në strukturat e BE-së.
Vrasjet
Që nga viti 1991 kanë humbur jetën 245 punonjës policie, janë plagosur me armë zjarri 251 punonjës në krye e për shkak të detyrës si dhe janë plagosur me mjete të forta e dëmtuar me qindra e qindra punonjës policie si rezultat i veprimeve të dhunshme jo vetëm gjatë tubimeve por edhe gjatë ushtrimit të detyrave funksionale në vazhdimësi.
Shkaqet
Gjatë viteve 1990-2011, 99 % e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës i përkasin shërbimeve operacionale, nga të cilat 80 % në strukturat e sigurisë publike dhe policisë kriminale.