Raport sekret për “dy drejtorët baxhanakë të drogës”? Policia: Është trillim

Elton Tafaruci

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me lajmin në media për ekzistencën e një raporti sekret, sipas të cilit policia shqiptare ndihmon trafikun e kanabisit.

Lajmi i publikuar nga  gazeta ‘Shekulli’, flet për një raport sekret të shërbimeve të huaja për dy drejtorë qarqesh të policisë, baxhanakë me njëri-tjetrin, të cilët janë në krye të mbjelljes dhe trafikimit të kanabisit në jug të vendit.

Shekulli nuk i përmend emrat e tyre, por lajmi është hedhur poshtë nga Policia e Shtetit përmes një reagimi, ku sqaron se nuk ekziston asnjë raport i tillë por është i sajuar  për “interesa personale, politike dhe kriminale”.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Lidhur me lajmin e publikuar në  Gazetën Shekulli e më pas marrë nga disa media, mbi ekzistencën e një raporti sekret për kultivimin e drogës në Shqipëri, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se ky lajm është tërësisht i pavërtetë dhe një sajesë e qëllimshme për të cënuar integritetin e policisë dhe punën e saj.

Theksojmë se është një lajm tërësisht i gënjeshtërt, për raporte  të fabrikuara nga redaksi që kanë si synim vetëm përbaltjen e  punës së policisë. Një raport  i tillë nuk ka ekzistuar kurrë e as ekziston.

Ky lajm i fabrikuar ‎mbi ekzistencën e një raporti tërësisht të sajuar, fsheh  mbrapa  interesa personale, politike dhe kriminale.

Rezultatet kundër drogës dhe paligjshmërisë  dëshmojnë vullnetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë luftë.

Nga ana tjetër, besimi i partnerëtve ndërkombëtarë te Policia e Shtetit  rikonfirmohet pas çdo operacioni të përbashkët antitrafik.

Ky besim është maksimal, falë rezultateve të përbashkëta dhe intensitetit ‎të punës për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit.

Policia e  Shtetit mbetet në dispozicion të medias për çdo informacion zyrtar, duke i bërë thirrje të mos raportojë lajme të pavërteta e të sajuara që kanë për qëllim vetëm ‎keqinformimin e publikut.

Policia e Shtetit bën me dije se do të ndjekë rrugën ligjore  ndaj kujdo  që prodhon , fabrikon  dhe  sajon  shpifje të  cilat synojnë prishjen e imazhit  të policisë dhe të vendit.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *