Raporti: Të mbyllen tre qendra paraburgimi, s’kanë kushte

anazapta

Duhen mbyllur urgjentisht tre qendrat e paraburgimit në Kukës, Sarandë dhe Berat. Shkak për këtë është se ato janë në gjendje të mjerueshme, ndërsa të gjitha qelitë e tjera të paraburgimit janë të mbipopulluara. Në këtë përfundim ka arritur Instituti Europian i Tiranës, i cili ka kryer një monitorim në bashkëpunim me Avokatin e Popullit. Drejtoresha ekzekutive e këtij instituti, Marta Onorato, thotë se “kemi sugjeruar edhe mbylljen e disa prej këtyre institucioneve, ku nuk ka nivel dhe kushte të mjaftueshme për të siguruar dinjitetin njerëzor. Për shembull në institucionin e Kukësit, Sarandës dhe Beratit, ajrimi, ventilimi, ndriçimi natyror nuk është i mjaftueshëm, hapësira dhe standardet kombëtare, minimumi 4 metër katror për person nuk është siguruar, lagështirë, kushte jo të përshtatshme sanitare”.

Sipas raport-monitorimit, ndonëse ka disa përmirësime në ambientet e paraburgimit ka ende kushte të vështira, ku shpesh të paraburgosurit për mungesë shtreterish në dhomë flenë në dysheme apo shpesh gjenden insekte të ndryshme në ambientet e tyre.

E pyetur lidhur me transferimin e të burgosurve shqiptarë nga burgjet greke për të vuajtur dënimin në Aadhe, Onorato shprehet skeptike, pasi një prurje e tillë do ta vështirësonte edhe më tej situatën në burgjet shqiptare.

 

Reagimi

Gjithsesi, lidhur me raportin e prezantuar, ka reaguar Ministria e Drejtësisë, përmes zv.ministrit Ermal Dobi. Ai deklaron se “Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian ka përfunduar dhe ka vënë tashme në efiçencë paraburgimin e Elbasanit, me kapacitet 120 të paraburgosur. Ndërkohë paraburgimi aktual i Beratit po shkon drejt mbylljes, pasi brenda tre muajve përfundon ndërtimi i paraburgimit të ri të Beratit me kapacitet prej 100 të paraburgosurish.

“Paraburgimi dhe Burgu i Fierit, përfundon në nëntor të 2013-s, kapaciteti 180 të paraburgosur dhe 600 të burgosur;

“Paraburgimi dhe Burgu i Shkodrës do të përurohet fillimi i punimeve pas dy ditësh me kapacitet 120 të paraburgosur dhe 600 të burgosur, duke bërë të mundur përmirësimin në maksimum të trajtimit dhe rehabilitimit të dënuarve”

“Paraburgimi i Kukësit do të mbyllet shtator dhe të paraburgosurit do të transferohen në paraburgimin e Tropojës, i rikonstruktuar. Ndërsa paraburgimi i Sarandës mbyllet në fund të vitit dhe të paraburgosurit do të transferohen në paraburgimin e Tepelenës”.

Sipas Dobit, përfundimi i këtyre ndërtimeve zgjidh përfundimisht çështjen e mbipopullimit në sistemin penitenciar.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *