Milot Rashica është njeriu i momentit te Vitesse. Sulmuesi i talentuar shqiptar e ka nisur këtë sezon ashtu sic mbylli të kaluarin duke shkëlqyer me paraqitjet e tij në fushë. Pasi dha një asist në fitoren 2-0 që arriti skuadra e trajnerit Henk Fraser në miqësoren ndaj ukrainasve të Shakthar Donetsk, 20-vjecari nga Vushtria ishte përcaktues në një tjetër takim miqësor. Rashica ishte autori i golit të dytë në suksesin që arriti Vitesse me shifrat 2-1 ndaj skuadrës ruse të Rubin Kazan. Në miqësoren e zhvilluar në Slloveni, sulmuesi i kombëtares kuqezi shfaqi një nivel shumë të lartë loje duke u konifrmuar si prej lojtarëve më të rëndësishëm që ka në dispozicion trajneri i Vitesses Henk Fraser. Rashica ishte shumë aktiv gjatë gjithë ndeshjes, madje në minutën e 31-të fali një inkursioni personal fitoi një goditje këndi nga e cila erdhi më pas edhe goli i parë i skuadrës holandeze i shënuar nga Zhang. Në fillimin e pjesës së dytë 20-vjecari shqiptar bëri gjithcka në mënyrë perfekte pasi shmangu disa kundërshtarë me një goditje të bukur nga jashtë zone realizoi golin e tij të parë në fazën përgatitore dhe të parin për këtë sezon. Goli i turkut Gokdeniz Karadeniz në të 58-tën vlejti thjeshtë për stastistika sepse Vitesse arriti të fitonte me shifrat 2-1. Falë paraqitjeve të tij gjatë sezonit të kaluar me fanellën e Vitesses në Eredivise, Milot Rashica ka ngjallur interesin e disa prej klubeve me emër në Europë, ku më tepër spikat Napoli.
