Arsimtarët që do të angazhohen në mbarëvajtjen e provimeve të maturës shtetërore që nga administrimi, sekretimi apo dhe korrigjimi i testeve do të përballen me penalitetet që shkojnë deri në humbje të vendit të punës, në rastet kur do të konstatohet shkelje e rregullave të përcaktuara në rregulloren e provimeve.
Në këtë të fundit detajohet se ndëshkohen me paralajmërim për largim nga puna të gjithë arsimtarët që nuk respektojnë orarin e zhvillimit të provimit, lejojnë hyrjen e njerëzve të paautorizuar në sallat ku kryhet testimi, nuk dokumentojnë siç duhet parregullsitë e vërejtura, kur nuk plotësojnë siç duhet formularët apo nuk ndjekin hapat e përcaktuara për procesin e sekretimit të testeve. Ky penalitet jepet edhe kur mësuesi lejon largimin e maturantit pa arsye nga ambientet e provimit, kur gjenden në tavolinën e maturantit sende të tjera përveç lapsit dhe stilolapsit , si dhe kartës së identitetit apo kur dëmtohet bar kodi.
Paralajmërimi në rastet e konstatimit të parregullsive evidentohet edhe në dosjen personale të arsimtarit. Më tej, rregullorja përcakton largimin nga puna të personave të angazhuar me mbikëqyrjen e provimeve të maturës nëse nuk ndjekin hapat e duhura në ndarjen e testeve dhe mbylljen në zarf të testeve që janë tepër. Që të mos largohen nga puna këta persona nuk duhet të lejojë që gjatë ditës së provimit të futen në salla drejtues apo mësues të shkollës përkatëse ku jepet provimi.
Ky penalizim jepet edhe kur arsimtari gjendet me celular në sallat e provimit, nuk kryen siç duhet identifikimin e maturantit, kur i ndërron vendin e provimit, kur nuk e lë bosh vendin e tij në rastet kur maturanti mungon, kur lejon maturantët të kopjojnë etj. Vendimet për largimet nga puna pasqyrohen në librezën e punës. Për shkeljet e tjetra bëhen penalizime në varësi të përcaktimeve që mbart kontrata kolektive e punës.