Një ditë pasi kishte konfirmuar se do ta pranonte mandatin e deputetit në Qarkun e Beratit, pas dorëheqjes së Eduard Halimit, demokratja Monika Qosja duket se ka ndryshuar mendje.
E kontaktuar përsëri nga TCH, përmes telefonit, kandidatja e fundit në listën e PD-së për Beratin në zgjedhjet e 25 qershorit nuk pranoi të fliste. Pyetjes nëse i qëndron deklaratës së një dite më parë, Monika Qosja iu përgjigj shkurt duke thënë se nuk kishte një konfirmim zyrtar dhe më pas mbylli telefonin.
Përpara saj, renditet e 6-a në listën shumëemërore të PD-së, Juvina Jani, e cila njoftoi që të premten se nuk mund të pranonte mandatin për shkak se duhej të qëndronte pranë të birit për mjekim jashtë vendit.
Dy zonjat renditen në fund të listës së demokratëve për Beratin, qark për të cilin selia blu ka paguar edhe gjobën për mos respektim të kuotave gjinore. Kjo bën që mandati i Eduard Halimit t’u shkojë fillimisht dy grave. Vetëm nëse ato refuzojnë, ndiqet renditja e meshkujve, ku i dyti në listë gjendet Astrit Veliaj.
Skema risjell në kujtesë për nga ngjashmëria atë që ndodhi me listën e socialistëve në Qarkun e Lezhës mandatin e kaluar, ku kandidatet Mejreme Delishi dhe Mirela Neli refuzuan mandatin që më pas i shkoi Arben Ndokës.
E njëjta gjë ndodhi në Laç me listën e demokratëve, ku ish-zv/trajneri i Kombëtares, Vasil Bicaj, refuzoi mandatin, gjë që mundësoi futjen në Parlament të Mhill Fufit.
e.k./dita
