Pak ditë më parë, analisti Mustafa Nano reagoi ashpër ndaj deputetit demokrat Aldo Bumçi, duke i thënë që të “mos bilbilos idiotësira”. Përçon një ngjyresë leksikore ngacmuese, por monumentalen e ka në kontekstin politik më tepër, e përkthyer si: “Mos na trajtoni si budallenj!”. Eshtë e njohur tashmë lehtësia e papërballueshme e PD-së në bërjen e një akuze. Nuk i druhet trashësisë së saj, ngase nuk druhet kurrë të trajtojë njerëzit si të trashë. Dhe është pikërisht ky raport që ndërton me masën, si në qeverisje e si në opozitë, që i sjell më pas humbje drastike në zgjedhje, si ato të Ishujve Faroe nëpër eliminatore. Më e fundit akuzë, është ajo që qeveria ka gisht në vrasjen e bankierit Santo; ose e thënë me gjuhën e Berishës, Rama dhe Meta kanë urdhëruar vrasjen e tij. Më e pakta me të cilën duhet shoqëruar një akuzë e tillë, është procesi i analizë –sintenzës: Renditen shkaqet se përse qeverisë i interesonte vrasja e Santos, në bazë të disa të dhënave të disponueshme, e më pas dilet me një përfundim logjik, ndonëse në hipotezë, se vrasja është urdhëruar nga segmente qeveritare. Qeverisja e PD-së ka përgjegjësi në moszbulimin e vrasjes së deputetit socialist, të ndjerit Fatmir Xhindi, por mungon qoftë dhe një arsye, gjithsesi hipotetike, se ajo ka gisht në vrasje. Ndërsa për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar, edhe sikur mos ekzistonin faktet ashiqare të ekzekutimit të tyre pa asnjë dridhje qerpiku, ekzistonin plot arsye të qashtërta që vrasjet u bën me qëllim; me qëllim për t`u futur tutën protestuesve, të asaj ditë dhe të ditëve të tjera, nëse do guxonin, siç dhe nuk u guxua më. Bilbilosjet e tyre mund të jenë plot idiotësi, e kjo është zgjedhja e tyre; por çmimi i ulët që i vënë vetes, nuk ka pse t`i vihet dhe miletit.