Komisioneri Publik, Heral Saraçi, ka dalë përpara Kolegjit te Posaçëm të Apelimit ku i është ripërsëritur akuza se me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka penguar funksionimin e institucionit, në të cilin bën pjesë.
Ai akuzohet se ka nënshkruar kontrata të parregullta për punësimin e stafit – raporton ResPublica.
Vetë Saraçi tha se nuk ka asnjë provë që ta bëjë me përgjegjësi për hetimin disiplinor të ngritur ndaj tij nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Ai u kërkoi gjyqtarëve të Komisionit Disiplinor t’i jepnin kohë avokatit të tij për të realizuar mbrojtjen, por kërkesa u refuzua nga gjyqtarët Çomo, Shtylla dhe Hajdari.
Avokati i tij mbrojtës, Shaqir Hasani, u kujtoi gjyqtarëve të Komisionit Disiplinor nepotizmin që ekziston edhe në institucionet e reja të drejtësisë, ku një avokat nuk kishte pranuar të mbronte komisionerin Saraçi për shkak se kishte frikë mos i hiqnin nga puna familjarët.
“Klienti im kishte zgjedhur një tjetër përfaqësues ligjor përpara meje, por ai hoqi dorë pasi kishte frikë se i hiqnin 3- 4 familjarë që kishte të punësuar në këto institucione që po flasim. Ka ikur koha kur të drejtat e njerëzve i mbronte partia. Sot, klienti më ka zgjedhur mua dhe unë do ta mbroj. Më krijoni mundësinë ta mbroj klientin tim. Nëse më fyeni duke më mohuar të drejtat, është më mirë të largohem nga kjo sallë. Abuziviteti që kërkoni të bëni duke iu refuar ONM-së, është e pafalshme.”
Gjyqtarja hetuese Natasha Mulaj u shpreh e surprizuar edhe për kohën e kërkuar nga Saraçi, pasi, sipas saj, çdo veprim hetimor është bërë në konsultim me të.
b.m. / dita
Abuziviteti? Abuzimi o avokat, abuzimi!