Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar ndaj raportit të paraqitur në Komisionin e Ligjeve nga Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.
Prokuroria vlerëson raportin e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka arritur në konkluzionin që aktiviteti i organit të akuzës është në përputhje thuajse të plotë me ligjin. Nga inspektimi i kryer nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë rezulton se, nga 800 procedime objekt inspektimi, vetëm 57 prej tyre, sipas konkluzioneve të inspektorëve, rezultojnë me problem.
“Pra, efektshmëria e Prokurorisë, sipas përfundimeve të Ministrisë së Drejtësisë është 94 për qind, një shifër pozitive për institucionet publike në Shqipëri. Ndërkohë, nga riinspektimi i bërë këtyre konkluzioneve nga ana e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton që numri i dosje me problem proceduriale është më i vogël. Raporti i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, i prezantuar ditën e Martë (dt.12.05.2015) në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë përfshin inspektimin e kryer nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Sarandë, Durrës dhe në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër. Konkluzionet e inspektimit tashmë janë pjesë e analizës në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila po përgatit raportin e posaçëm për t’ia dërguar më pas në mënyrë të detajuar Ministrisë së Drejtësisë, si edhe Presidentit të Republikës’,thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
