Reali i Madridit nuk ka preferuar ta kalojë në heshtje lajmin se bashkë me Atleticon rrezikon të përballet me një bllokadë nga FIFA në dy merkatot e radhës, për shkak të parregullsive në transferimin e lojtarëve minorenë.
Klubi Los Blancos reagoi menjëherë përmes një komunikate për shtyp, duke mohuar vërtetësinë e lajmit, si dhe duke këmbëngulur se ka zbatuar me korrektësi çdo normë të FIFA-s. Konkretisht në deklaratën e Realit, reagimi konsiston në 5 pika. Në të parën thuhet se informacionet e fundit janë absolutisht false dhe se klubi nuk ka kryer asnjë parregullsi në kontraktimin e lojtarëve minorenë.
Në pikën e dytë thuhet se Reali nuk ka bërë asnjë shkelje në kundërshtim me rregullat e FIFA-s dhe në vazhdim theksi vihet sërish te lajmi i shpërndarë, që konsiderohet si dashakeq dhe që dëmton imazhin e klubit. Në pikën e katërt të deklaratës, madrilenët shprehin habi, kur përforcimet e fundit lidhen hipotetikisht me sanksionin e mundshëm të FIFA-s.
Dhe për të mbyllur reagimin, Reali i Madridit vë theksin në fund se mbrojtja dhe rritja e shëndetshme e futbollistëve minorenë qëndron mbi interesat sportivë. Në historinë e bllokadës së merkatos, veç Realit është përmendur edhe Atletico. Nga Los Colchoneros, jozyrtarisht burime nga brenda klubit gjithashtu mohuan një sanksion të pritshëm nga qeveria botërore e futbollit, duke thënë se Atletico ka vepruar në merkato sipas rregullave të federatës spanjolle dhe FIFA-s.
