Real Madrid kërkon hakmarrjen ndaj Valencia

Gazeta Dita

Real Madrid do të presë Valencia në ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu” për këtë sezon. Të besuarit e Zinedine Zidane e kanë nisur “fushatën” e re me marshin e pestë pasi kanë fituar Superkupën e Spanjës dhe Superkupën e Europës. Gjithashtu, “Los Blancos” fituan në ndeshjen e parë të La Liga kundër Deportivo La Coruna. Megjithatë, Valencia është një nga skuadrat e rralla që arriti të mposhtë Real Madrid në sezonin e kaluar, teksa fitoi 2-1 në “Mestalla”.

Kurioz është fakti se në të tetë ndeshjet e fundit të luajtura mes Real dhe Valencia kanë shënuar të dyja skuadrat

Ndaj Valencia, te kampionët e Spanjës dhe Europës, do të mungojnë Cristiano Ronaldo dhe Sergio Ramos të skualifikuar. Ndërkohë, te Valencia e drejtuar nga Marcelinho është në dyshim prania e Ezequiel Garay dhe Dani Parejo. Kjo do të thotë se mund ta nisin ndeshjen nga minuta e parë dy futbollistët e ardhur nga Inter, Jeison Murillo dhe Geoffrey Kondogbia. Luis Nani dhe Gabriel, i ardhur nga Arsenal, janë stërvitur me grupin, por nuk e kanë ende ritmin e lojës.

Real i ka fituar të katër ndeshjet zyrtare të luajtura në këtë sezon dhe të besuarit e Zidane janë mposhtur për herë të fundit nga Atletico Madrid në gjysmëfinalen e Champions League, por edhe në atë rast kishin fituar 3-0 në ndeshjet e parë

Për Valencia, që e nisi sezonin me fitoren 1-0 ndaj Las Palmas, trajneri Zidane tha: “Ata po luajnë mirë në këtë periudhë. Janë të organizuar dhe mbrohen mirë. Ne e dimë se do të jetë një ndeshje delikate dhe duhet të jemi shumë të motivuar, si ndaj çdo rivali. Në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin dhe të ruajmë përqendrimin, si e vetmja mënyrë për të qëndruar në majë.”

Simone Zaza shënoi golin e vetëm për Valencia kundër Las Palmas. “E nisëm me këmbën e mbarë dhe tani na pret sfida më e vështirë, por edhe ajo që të gjithë ne presim me padurim të luajmë, në “Bernabeu” kundër Real Madrid,” – deklaroi qendërsulmuesi italian.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *