Sami Khedira parashikon ditë më të mira për Real Madridin në drejtimin e trajnerit Karlo Ançeloti. “Për Realin po nis një epokë e re, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për karrierën time. Trajneri i ri gjithmonë sjell zhvillime të reja. Ai ka ide të reja dhe një filozofi loje ndryshe”, thotë mesfushori i kombëtares gjermane. “Ndihem i lumtur dhe krenar që luaj për Realin. Kushdo lojtar që vesh bluzën e bardhë, synon trofe. Jam i sigurt se me Ançelotin do të bëjmë një hap para”. Khedira thotë se ka folur me Kaká për trajnerin e ri dhe ka dëgjuar vetëm fjalë të mira për italianin.
“Kam dëgjuar shumë fjalë të mira për Ançelotin. Kaká ka punuar për shumë vite më të te Milani dhe na ka thënë vetëm gjëra pozitive për të. Skuadrat që ka drejtuar Ançeloti gjithmonë kanë luajtur futboll të bukur dhe shembulli më i freskët është Paris SG”. Sfida më e madhe e Ançelotit dhe e çdo lojtari të Realit është fitimi i trofeut të dhjetë në Champions League, tashmë i kthyer në obsesion për madrilenët. Pas tre eliminimeve radhazi në gjysmëfinale, Reali dëshiron suksesin, edhe pse do të jetë shumë e vështirë, pasi konkurrenca është e ashpër, duke nisur nga fituesi në fuqi, Bajern, i forcuar edhe më tepër. “Bajerni duhet ta dijë se rivalët evropianë kërkojnë të rikthejnë balancën. Do të jenë ata në rolin e presë”, paralajmëron Khedira.
