Real, Mbappe kushon 4.5 milionë euro për ndeshje

Gazeta Dita

Ndërsa bota ka kthyer sytë nga transferta rekord e Neymar, i cili është transferuar te PSG për 222 milionë euro, para mbylljes së kësaj merkato mund të jemi dëshmitarë të një tjetër operacioni me shifra marramendëse.

Barcelona ka fituar një thesar të vërtetë, por Real Madrid po mendon ta shpenzojë një të tillë për të siguruar Kylian Mbappe nga Monaco. Francezi është 18 vjeç, ka luajtur 40 ndeshje me skuadrën e tij në kampionat dhe kushton 180 milionë euro. Për një çmim të tillë, Real do të marrë një lojtar që kushton 4.5 milionë euro për ndeshje.

Sipas shtypit francez, Monaco kërkon 180 milionë euro sepse ata mendojnë se Barcelona do të futet në garë pas shitjes së Neymar. Por kjo mbetet për t’u parë. Mbappe ka udhëhequr Monaco drejt triumfit në Ligue 1 sezonin e kaluar dhe deri në gjysmëfinalet e Champions League, duke tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha të Europës. Kjo është shuma që madrilenët do të duhet të paguajnë, nëse vendosin ta blejnë Mbappe.

40 paraqitjet e Mbappe janë më pak se 30 orë futboll në kampionat, kështu që ky operacion do të ishte i pazakontë për Real Madrid. Në fakt, historia tregon se “Los Blancos” investojnë shuma të mëdha vetëm për kampionë të afirmuar, të cilët e kanë treguar atë që dinë të bëjnë diku tjetër. Që nga viti 2000, Real ka thyer rekordin e shumës së paguar për një lojtar plot pesë herë: Luis Figo, Zinedine Zidane, Kaka, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale.

Ndryshe nga Mbappe, të pesë këta lojtarë e kishin afirmuar veten e tyre si yje të futbollit. Figo ka qenë 27 vjeç kur u transferua nga Barcelona për 40 milionë euro në vitin 2000. Zidane kishte fituar Kupën e Botës në 1998 dhe Topin e Artë para se të bëhej “Galaktik” në 2001-in për 51 milionë euro. Kaka ka kushtuar 62 milionë euro në 2009-ës pasi kishte fituar Serie A dhe Champions League me Milan.

Tre herë fituesi i Premier League, Cristiano Ronaldo, është blerë në të njëjtën javë me kaka për 90 milionë euro. Bale, ylli i Tottenham, ka qenë blerja e fundit rekord për 96 milionë euro në 2013-ën. Real Madrid, me pak fjalë, e dinte mirë se çfarë po bënte me ata pesë lojtarë. Mbappe, nga ana tjetër, mund të konsiderohet një rrezik. Në fakt, nëse ata do ta blejnë sulmuesin adoleshent, do të shpresojnë që ai të tregojë se vendimi i tyre për të paguar 180 milionë euro ka qenë ai i duhuri.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *