Reali i Madridit është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje ekonomike spektakolare për një klub futbolli. Bëhet fjalë për shifra marramendëse, nga 450 deri 500 milionë euro për 20 vitet e ardhshme. Pra, në arkat kampionëve të dhjetëfishtë të Europës do të hyjnë çdo vit 25 milionë Euro deri më 2034. Marrëveshja i referohet përfshirjes e një sponsori në emrin e stadiumit, që do të thotë se “Santiago Bernabeu” do të ketë një emër shtesë në këmbim të një shumë stratosferike. Reali i Madridit po punon prej kohësh për gjetjen e një sponsori të fuqishëm për t’ia bashkangjitur emrit të stadiumit dhe duket se negociatat po mbyllen me sukses. Klubi më i madh spanjoll ka një marrëveshje me IPIC, International Petroleum Investment Company, që është 100% në pronësi të Emiratit të Abu Dhabit, dhe që drejtohet nga pjesëtarë të familjes mbretërorë. Abu Dhabi Santiago Bernabeu, apo Abu Dhabi Bernabeu… Nuk është ende e qartë se si do të emërtohet impianti kryesor i Madridit, por është e sigurt që Abu Dhabi do të shkruhet në pjesën ballorë të stadiumit.
