Reali i Madridit kërkon mbi të gjitha këtë trofe nga trajneri Karlo Ançeloti. Sonte, në 20:45, përballë në “Bernabeu” do të jetë Dortmundi, në ndeshjen e parë çerekfinale. Trajneri e vlerëson rivalin.
Ançeloti ka thënë se “Dortmundit do t’i mungojë një lojtar i rëndësishëm si Levandovski, por stili i lojës mbetet i njëjti. Është skuadër shumë e bashkuar dhe mbrohet mirë. Duhet të bëjmë kujdes nga kundërsulmi i tyre. Sa për skuadrën time, ajo është në formë dhe ne duam fitoren”.
Ndërsa Jurgen Klop e ka të qartë diferencën mes dy klubeve. Megjithë problemet e sezonit, ai tregohet i qetë. “Barcelona, Reali apo Bajerni janë më të mirët. Ne duhet të vazhdojmë përmirësimin, por nuk i kemi mundësitë e tyre. Gjithsesi, më parë nuk besonin se ne mund të arrinim as në çerekfinale, por ne ia dolëm, ndërsa vjet ishim afër trofeut”.
