Real Madrid rikthehet fuqishëm në sulm për Gareth Bale. Sipas “The Times”, ofensiva madrilene është e bërë nga shumë para por edhe përfshirjen në tratativë të një futbollisti. Bëhet fjalë për Luka Modric, që mund të rikthehet tek Tottenham pas vetëm një viti në “Bernabeu”, lëvizje që pëlqehet edhe nga “Gjelat e Londrës”. Spursat duken të dorëzuar në luftën për të mbajtur uellsianin në skuadër, dhe rikthimi i Modric do të kishte sens të dyfishtë, pasi prish edhe planet e Manchester United, që sheh tek kroati alternativën ideale të Fabregas, i cilësuar i pashitshëm nga Barcelona. Madje kundërpërgjigja ka ardhur me ulje çmimi, pasi nga 140 milionë Euro, londinezët tashmë kërkojnë 120 milionë Euro për 24-vjeçarin. Një shumë që vlen sa treshja Rooney-Fabregas-Higuain. Por pavarësisht kësaj çmendurie duket që kjo tratativë është me një drejtim, pasi futbollisti ka përfshirë edhe familjen në tratativa, ku prindërit e tij i kanë kërkuar presidentit Levy mundësimin e këtij operacioni. Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, në skenë del edhe drejtori sportiv i Los Blancos, Zinedine Zidane cili i lutet londinezëve të ulen në bisedime. Francezi ka bërë të ditur që ftesa për të luajtur në “Bernabeu” mund të të vijë vetëm një herë në jetë dhe uellsiani nuk dëshiron ta humbasë. Sipas Zidane, Bale sezonin e kaluar ka qenë në lartësinë e Ronaldos dhe Messit dhe për të patur një futbollist të tillë është normale të paguhen shifra të mëdha. Ndërkohë vetë futbollisti është dukur në stërvitjen e fundit të Tottenham në Miami, aty ku është bashkuar edhe presidenti Levy, i cili ndoshta pret lëvizjen e radhës nga Florentino Perez. Sido që të shkojë tratativa, londinezët do të dalin të fituar, pasi Bale mbërriti në “Ëhite Hart Lane” për vetëm 5 milionë Paund, pavarësisht se askush nuk e njihte në atë kohë.