Realizmi socialist, ekspozohen 96 vepra në Kosovë

redaktor

Me pushkën e vendosur në krah dhe dorën grusht lart, djaloshi në tablonë e Fatmir Thaçit buzëqesh.

E realizuar në vitin 1978, kjo pikturë është pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Shumë pak të dhëna ka për jetën e piktorit, puna e të cilit shihet përmes disa veprave që janë në këtë institucion. Imazhi i këtij djaloshi, bashkë me 95 punime të tjera, u prezantuan mbrëmjen e djeshme në ekspozitën “Realizmi socialist shqiptar” që u hap në Galerinë Kombëtare të Arteve në Prishtinë.

Artan Shabani, drejtor i Galerisë Kombëtare Shqiptare, thotë se një ekspozitë e tillë vjen në Kosovë për të fuqizuar edhe më tutje bashkëpunimin kulturor mes Kosovës e Shqipërisë.

“Është tejet e rëndësishme që periudhat historike të përkujtohen e të paraqiten në bazë të veprave artistike të pikturave. Kultura dhe arti nuk lëvizin, janë njerëzit ata që lëvizin dhe ndryshojnë”, u shpreh Shabani në konferencën për media.

Në ekspozitë prezantohen 96 punime të 53 artistëve të njohur shqiptarë, krijimtaria e të cilëve u zhvillua deri në fund të viteve ‘90. Simon Rrota është artisti më i kahershëm që nis rrëfimin figurativ të kësaj ekspozite.

Më pas ndiqet nga emra shumë të njohur për publikun shqiptar të Kosovës si: Abdurrahim Buza, Agim Zajmi, Bujar Zajmi, Danish Jukni, Edison Gjergo, Ismail Lulani, Janaq Paço, Vilson Kilica, Muntaz Dhrami, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Skënder Kamberi, Guri Madhi, Gazmend Leka, por edhe nga emra më pak të njohur, por shumë të rëndësishëm si: Bajram Mata, Fatmir Biba, Dhimitër Theodhori, Vjollca Gavoçi, Besim Tula, Zanfira Heta, Shpëtim Arapi e të tjerë.

Kjo ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri më 30 janar, është një mënyrë për të udhëtuar në kohë, për të parë një nga periudhat më të trishta por dhe më interesante të pikturës shqiptare.

10380995_10208532899469046_9035282874897861068_n

foto nga ekspozita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *