Deri në katër është numri maksimal i barnave që mjeku i familjes apo ai specialist mund të lëshojë në recetën e re mjekësore për trajtimin e sëmundjes së evidentuar tek pacienti. Me ndryshimet e bëra në legjislacion, mjeku është i detyruar që çdo recetë mjekësore ta lëshojë në dy kopje, të cilat më pas do të ekzekutohen në farmaci. Kështu, pacienti do ketë mundësi që pas marrjes së barnave të disponojë edhe një kopje të recetës së marrë nga mjeku, ku përshkruhet ecuria e trajtimit të sëmundjes.
Ndërsa kopja tjetër do të mbahet në farmaci. Dikasteri i shëndetësisë ka detajuar formatin e ri të recetës, së bashku me udhëzimet që do të ndjekin bluzat e bardha në plotësimin e saj. Çdo recetë e lëshuar do të regjistrohet në sistem, e cila do të ndihmojë më pas në identifikimin e saktë të lëvizjes së barnave të përdoruara për çdo patologji. Receta mjekësore mund të klasifikohet në recetë për barna të regjistruara në regjistrin e barnave, barna biologjikë, si dhe për vaksinat.
Sipas udhëzuesit të receta mjekësore për barna të regjistruara në regjistrin e barnave përbëhet nga gjashtë pjesë. Në pjesën e parë jepen të dhënat e mjekut, emër mbiemër i mjekut, institucioni shëndetësor, numri i licencës së mjekut lëshuar nga Urdhri i Mjekut të Republikës së Shqipërisë. Në pjesën e dytë shënohen të dhënat e pacientit. Në këtë pjesë të recetës shënohet emri i të sëmurit, mosha, pesha trupore, gjinia, numri personal sipas kartës së identitetit dhe adresa e tij. Më pas receta përmban pjesën ku detajohet diagnoza.
Këtu përshkruhet, tipi i diagnozës akute ose kronike, diagnoza e pacientit dhe kodi përkatës i diagnozës në sistemin ndërkombëtar të klasifikimit të sëmundjeve “ICD 9”. Në pjesën e katërt bëhet përshkrimi medikamentit.
Në këtë pjesë lejohet përshkrimi deri në 4 barna, të lëshuara për diagnozën e përcaktuar. Bari përshkruhet si në vijim: “Emërtimi xhenerik (sipas regjistrit të barnave), formë doza (e rekomanduar), terapia e rekomanduar ku detajohet mënyra e marrjes të medikamentit, kohëzgjatja e terapisë, si dhe shënime të tjera mbi sëmundjen që mund të bëjë mjeku specialist. Në pjesën e fundit të recetës mjeku firmos për terapinë e rekomanduar për pacientin. Ndërkohë që përbri do të bëjë shënimet përkatëse edhe farmacisti pasi të ketë ekzekutuar recetën e marrë nga pacienti.
Receta e re do të shkurtojë burokracitë me plotësimin e librezave, teksa do ndihmojë edhe në shmangien e abuzimeve që mund të bëhen me ndryshimet e barnave në farmaci. Sipas të dhënave të bëra publike, vetëm për skemën e rimbursimit brenda një viti lëshohen rreth 4.6 milion receta nga mjekët e familjes dhe ata specialistë.
Pjesa dërrmuese e këtyre recetave i përkasin sëmundjeve kronike që manifestojnë moshat e treta. Nga muaji i shkuar, me hyrjen në fuqi të listës së re të barnave të rimbursimit ka nisur dhënia e recetave për periudha dy mujore për pacientët kronikë të stabilizuar. Kjo do të thotë se pacientët, sidomos pensionistët që janë dhe përfituesit kryesorë të skemës së rimbursimit, do të kenë një lehtësim të ndjeshëm, pasi nuk do ta kenë më të nevojshme paraqitjen pranë mjekut të familjes çdo muaj për barnat që marrin rregullisht me rimbursim, por një herë në dy muaj.
Përjashtim do të bëjnë të gjitha rastet në të cilat mjeku e fakton si të nevojshme ndryshimin e terapisë për shkak të ndryshimeve të shfaqura në gjendjen shëndetësore të pacientit. Aktualisht, Fondi i Sigurimeve të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka kontratë me 418 qendra shëndetësore në shkallë vendi, të cilat mbulojnë shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor.
Numri më i madh i këtyre qendrave shtrihet në rajonin e Elbasanit me 52 qendra, rajoni i Fierit me 45 qendra, rajoni i Tiranës me 40 qendra, rajoni i Korçës me 39 qendra, rajoni i Shkodrës me 37 qendra, rajoni i Dibrës me 35 qendra. Krahas barnave, në skemën e rimbursimit gjatë këtij viti pritet të përfshihen edhe pajisjet dhe materiale të ndryshme mjekësore.
Por risia e këtij viti është rimbursimi i materialeve mjekësore, për të cilat ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga grupet e pacientëve. Konkretisht bëhet fjalë për rimbursimin e materialeve mjekësore, siç janë “strishat” për diabetikët, që janë të nevojshme për të mbajtur nën kontroll sëmundshmërinë, e për pasojë, për të pasur një mjekim efikas e cilësor për pacientët.
Pjesë e rimbursimit pritet të jenë edhe qeset njëpërdorimshme për shkarkimin kolostomik, disa pajisje për kardiologjinë invazive, etj.

Aktualisht vizita me e thjeshte te mjeku shkon nga 10-15 minuta. I bie qe per te mbushur kete lloj recete, mjekut i duhen rreth “10 ore”, ku do te harroje ato qe ka shkruajtur ne fillim te recetes. Sot ne vendet e zhvilluara funksionon klasifikimi i semundjeve ICD10, por ICD9-ten zor se e njohin edhe ne QSUT. Ne vend qe gjerat te thjeshtohen me shume, nderlikohen shume me teper. Pa tjeter qe do te kete reagim nga komuniteti i mjekeve. Eshte i vleresueshem vendimi per te mos shkruajtur me teper se 4 barna ne nje recete.