Zona u harrua sidomos pas viteve ’90. Kjo për shkak se të djathtët, sipas banorëve, gabimisht po mundohen të fshijnë gjithë rolin e partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore
Gështenjat dhe Lufta e Reçit janë ato që e identifikojnë këtë dhe e bëjnë të njohur jo vetëm në Shkodër apo Malësi të Madhe, por në të gjithë vendin. Reçi i përket komunës Shkrel në rrethin e Malësisë së Madhe dhe është një zonë më së shumti kodrinore e rrethuar nga kodra e pyje plot gështenja. Fshati me rreth 1000 banorë shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik-Dedaj , rrugë e cila ndahet në drejtim të Reçit dhe të Razmës e cila ndodhet në lartësi më të madhe.
Ka linjë furgonësh deri në Reç. Një peisazh mahnitës të pret sapo futesh në rrugën që të çon në brendësi të Reçit, edhe pse kjo rrugë e gjatë rreth 2 km është me gropa dhe aspak dinjitizoze për një fshat që mbart mbi vete ngjarje të rëndësishme historike dhe një panorama e pasuri natyrore të veçantë. Në katër lagjet e këtij fshati jetojnë rreth 150 familje autoktone, ku secila ka çfarë tregon për historinë e këtij fshati, histori kjo që i bën të ndihen krenarë.
Në dy anët e rrugës, teksa hyn në brendësi të fshatit, gështenjat e larta krijojnë një kurorë magjepëse dhe tani në vjeshtë me ngjyra të ndryshme ku mbizotëron e verdha, e kuqërremta dhe aty-këtu e gjelbra. Në të majtë të rrugës hyrëse dallon lapidarin e ngritur në përkujtim të asaj që në histori njihet si Lufta e Reçit. Ai mirëmbahet nga vetë banorët dhe nuk ka pësuar fatin e lapidarëve të tjerë të ngritur në Shqipëri në përkujtime të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore.
Pak më tej dallohen siluetat e vendit ku çdo vit organizohet festa e Reçit, e cila, edhe pse jo me masivitetin e dikurshëm, vazhdon të zhvillohet të dielën e parë të shtatorit. Kjo ka bërë që kjo pjesë e fshatit, një shesh kodrinor i ulët, i mbuluar nga pemët e gështenjave të quhet vendi i festës, madje banorët ku duan të lënë ndonjë takim shprehen apo të tregojnë ku ndodhen “shihemi tek festa” apo “ndodhem tek festa”.
Reçi është një fshat që ka lënë gjurmë në historinë e vendit .Kjo jo vetëm për betejën e 30-31 gushtit 1943, por dhe për pjesëmarrjen aktive të banorëve të këtij fshati në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Luftën e Ulqinit, mbështetjen për Ahmet Zogun, Luftën e Dytë Botërore etj.
Rexhep Metaj është një nga banorët autoktonë të këtij fshati, që prej shumë brezash janë lindur, rritur e vazhdojnë të jetojnë këtu. Me Rexhepin bisedojmë të ulur nën gështenjat me ngjyrat e vjeshtës, pranë lokalit të Muhametit, një tjetër banor i këtij fshati që i vetëdijshëm për bukuritë dhe historinë e fshatit të tij, ka investuar dhe ngritur biznesin e tij ku gjithçka që serviret, është ushqim bio. Rexhep Metaj pasi tregon për pjesëmarrjen aktive të reçianëve në ngjarjet e ndryshme të historisë, ndalet më së shumti tek Lufta e Reçit e vitit 1943. Kjo është një ngjarje shumë e njohur në historinë e vendit, por nuk kanë munguar as përplasjet historike që vazhdojnë akoma dhe që lidhen më së shumti me organizimin e pjesëmarrjen e saj. Beteja kundër pushtuesve italianë e 30-31 gushtit 1943 në Reç, është ndër më të veçantat në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe kjo e veçantë ka bërë që ajo të përkujtohej çdo vit deri më 1992-shin me një festë të madhe që zhvillohej këtu dhe ku vinin njerëz të shumtë jo vetëm nga malësia, por dhe nga qytetit i Shkodrës.
Për 5 vjet, nga 1992-1997 nuk u organizua festa, më pas rifilloi të përkujtohet, ndonëse jo me masivitetin e pjesëmarrjen e dikurshme.E veçanta e luftës së Reçit është se ajo ishte një reagim i banorëve të fshatit, një grupim i tyre, një pjesëmarrje e madhe e paorganizuar, për të mos lejuar fashistët italianë të hynin në fshat. Gjatë luftës janë bërë beteja edhe më të mëdha në vende të tjera, por ato ishin të organizuara nga formacionet luftarake të rregullta që luftonin pushtuesit në Shqipëri, kryesisht nga nacionalçlirimtarja. Ndërsa lufta e Reçit ishte një organizim spontan i bërë kryesisht nga bajraktarët, pasi tradicionalisht bajraktari ka qenë drejtuesi i zonës që nga koha e Turqisë, Zogut etj.
Bajraktari i Reçit, Nuz Sokoli, ka pasur rolin e drejtuesit në zonë deri në vitet 1945-1946, ka pasë gradë ushtarake dhe në kohën e Zogut është paguar. Pjesa më e madhe e bajraktarëve të zonës kanë mbajtur krahun jokomunist dhe i janë bashkuar Legalitetit dhe pak Ballit Kombëtar. Shkaku i luftës në Reç ishin forcat partizane. Ato ishin të shpërndarë në Vorfë, pyllin e Reçit etj., ku ishte krijuar një si perde e gatshme për rezistencë, pasi nuk i donin pushtuesit italianë. Ky brez u shtri dhe në fundit e korrikut a fillimi i gushtit 1943 bajraktarët u mbodhën me qëllim që të shfrytëzonin dobësinë e Italisë në prag kapitullimi dhe të nxirrnin nga zona grupet partizane.
Ato u mblodhën tek Ura e Marshejt dhe lanë detyrë që forcat partizane që ishin 30-40 veta, një kompani, të nxirreshin prej zonës dhe të mos lejohej aktiviteti i tyre aty.
Reçi në atë kohë kishte rreth 150 shtëpi me rreth 1200 banorë pasi ishin akoma familjet patriarkale me shumë njerëz. Reçianët nuk pranuan pasi partizanët ishin të shpërndarë në shtëpitë e tyre dhe hanin bukë aty. Ndikim këtu pati dhe nipi i bajraktarit, Ramadan Reçi, i cili vinte nga një familje patriote, ishte i shkolluar, kishte përqafuar idealin komunist dhe duke qenë njeri i respektuar në zonë, i dëgjohej fjala.
Ai erdhi në Reç së bashku me një kompani të batalionit partizan “Perlat Rexhepi” dhe ndikoi që banorët të vendonin bashkërisht të mos lejonin italianët të hynin në Reç e më tej. Lagjet u organizuan dhe vendosën t’i prisnin me pushkë italianët. Një pjesë e italianëve iu drejtuan Reçit, të tjerë ishin në fshatin Lohe. Rezistenca e banorëve bashkë me partizanët dhe legalistët e zonës bëri që italianët vetëm sa hynë në Reç, dogjën dy shtëpi dhe aty u bllokuan pa mundur të lëviznin më tej. Kjo ndodhi mbrëmjen e 30 gushtit, në mëngjesin e 31 gushtit 1943 ato ishin shpartalluar.
Reçianët lidhën besë pavarësisht bindjeve politike dhe i rezistuan pushtuesit. Edhe sot, jo vetëm ata që sakrifikuan, por të gjithë reçianët kanë një krenari të ligjshme për këtë ngjarje. Kjo pasi ishte i vetmi fshat në Shqipëri që në mënyrë të ndërgjegjshme, pa u organizuar nga forcat pjesqmarrëse në luftë, u vetorganizua dhe bëri luftë me një shtet, pa marrë parasysh rrezikun. Gratë, fëmijët e të moshuarit u larguan për t’u strehuar shpellave të zonës, pa e ditur nëse do arrinin të shpëtonin dhe çfarë do gjenin kur të ktheheshin. Pati pasoja, sepse u vranë njerëz, por Reçi qëndroi kryelartë, pasi përballoi të huajin duke mos lejuar futjen e tij në fshat”, shprehet Rexhep Metaj.
Përkujtimi i ngjarjes
Kjo ngjarje është përkujtuar çdo vit me festë masive deri më 1992-shin. Në mbrëmjen e së shtunës së parë të shtatorit, Reçi ngrinte siparin e festës ku vinin shumë njerëz nga rrethi i Shkodrës (i cili atëherë përfshinte dhe Malësinë e Madhe), por dhe nga të tjerë. Gjithë natën, në çadra dhe me zjarre të ndezura festohej aq sa mundej. Ndërsa të dielën zhvillohej ceremonia zyrtare tek lapidari dhe tek sheshi ku ngrihej tribuna e mbaheshin fjalimet. Politizimi i kësaj ngjarjeje duke e quajtur si betejë vetëm të forcave partizane bëri që pas viteve ’90 ajo të humbiste.
Sabrije Çelaj, mësuese dhe banore e Reçit, thotë se kjo ndodhi pasi forcat e djathta, krejt gabim, duan të mohojnë gjithçka që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri e ku ishin pjesqmarrës dhe partizanët. Por lufta e Reçit ishte e të gjithëve. Vetë banorët, por dhe komuna kontribojnë dhe kjo ngjarje dhe pas ndërprerjes 5-vjeçare, nga viti 1997 vazhdon të festohet edhe pse thjesht dhe larg festimeve të dikurshme. “Sivjet, në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë, festa ishte më e dobët se çdo vit”, shton Rexhep Metaj.
Pasuritë natyrore
Reçi me katër lagjet e tij shtrihet mes kodrash e pyjesh dhe përveç bukurisë së peisazhit afron dhe vende për turizëm kulturor. Bjeshkët e Reçit, Qafë-Grada etj., përveç pyjeve me gështenja kanë dhe shpella, kala të vogla dhe vende që tregojnë kulturën e hershme të zonës. Siç tregojnë banorët e Reçit, realisht këto nuk janë mirëmbajtur dhe askush nuk është kujdesur për to. Të tilla janë kalaja e Qafë-Gradës që i përkiste periudhës së Bizantit, Kalala e Balshajve apo ajo e Ballcit, që është kalaja e fundit që ka rënë fill pas asaj të Drishtit, 5-6 javë më pas, sipas Marin Barletit. “Shpella e Bogdanit edhe sot vizitohet, dhe pse larg. Por ajo ka qenë vendi ku ka luftuar, shkruar e drejtuar politikën e kohës Pjetër Bogdani.
Lumi i Rrjollit është një tjetër vend në Reç ku dikur ka qenë e pranishme pjesa më e industrializuar e asaj kohe, ku bluhej bereqeti dhe endej shajaku dhe ku dërgohej në Mal të Zi”, thotë Rexhepi. Zona frekuentohet nga të huajt, pasi kanë interes për bukuritë e pasuritë e saj. Megjithatë, turizmi nuk është i organizuar dhe është në fillimet e tij. “Këtu vijnë pushues ditorë që kalojnë disa orë në mes pyjeve me gështenja apo duke vizituar zonën. Ka dhe të huaj që interesohen e vijnë, madje që nga Zelanda e Re. Rruga shpresojmë të bëhet, pasi është premtuar nga MADA, dhe kjo do ta lehtësojë qarkullimin”, shprehen banorët. Rruga për në Reç kalon nga ajo e Razmës, një tjetër resurs turistik me vlera.
Të rinjtë janë krenarë për vendlindjen e tyre dhe shpesh tregojnë interes për objektet që ndodhen në të, thotë Sabrije Çelaj, duke shtuar se nxënësit shkojnë shpesh tek shpella e pëllumbave, tek kalaja etj.
Gështenjat
Ky frut është i identifikues për Reçin. Siç tregojnë reçianët, pema e gështenjës është mbjellë këtu 250 vjet më parë e sjellë nga emigrantët nga Kraja, një territor shqiptar që ndodhet në Mal të Zi, i njohur për kultivimin e gështenjës. “Kanë qenë krajanët që e kanë sjellë në Reç gështenjën 250 vjet më parë, madje sot akoma është në këmbë pema e parë e gështenjës së mbjellë, madje jep prodhim 30-40 kg. Këtu gështenja nuk është natyrale, por e kultivuar. Duke qenë zonë kodrinore, gështenja e vreshti janë më të pranishme. Dikur ka qenë kooperativë dhe kishte dhe tokë buke, ndërsa tani është gështenja ajo që siguron të ardhurat kryesore për banorët.
Nga rreth 500 ha tokë, 150 ha kanë qenë tokë buke. Aktualisht banorët punojnë për treg me gështenjë, rrush dhe sherbelë.
Këtu prodhohen rreth 600 ton gështenjë çdo vit dhe raçianët janë të parët që kanë organizuar eskportin e saj në Itali. Në 7- 8 vitet e fundit, tregu më i garantuar është ai i gështenjës që eksportohet në Itali”, tregojnë banorët.
Ndonëse ndodhet në brendësi të Malësisë së Madhe, Reçi mund të jetë një destinacion turistik për vendasit e të huajt. Edhe pse turizmi këtu është në hapat e parë dhe vetëm ditor, zona ka çfarë të afron. Duke qenë pjesë e një komune me resurse turistike, si Boga dhe Razma, edhe Reçi me përkrahje e më shumë vëmendje mund të kthehet në një destinacion turistik të mirëfilltë. Ai ka mrekullinë natyrore, historinë e lavdishme, kulturën e lashtë dhe mikpritjen e bujarinë karakteristike për banorët e tij.
me pas shtet do te ishte ndryshe po imier aj popull me ate shtet qe ka
me pelqej shum reportazhi po shpresojm mos te bien ne vesh te shurdher
nuk interesohet shteti per ta