RECIPROCITETI: Vendimi (i vonuar) i qeverisë së Kosovës për qarkullimin e automjeteve dhe diplomacia teatrale serbe e tensioneve artificiale

redaktor

 

Nga Shaban Murati

Botuar në DITA

Një veprim normal i qeverisë së Kosovës në 20 shtator 2021 për të zbatuar marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë në 14 shtator 2016 për lirinë e qarkullimit të automjeteve midis dy vendeve, po përdoret nga presidenti i Serbisë Vuçiç për ngritjen e një vale të re tensionesh kundër normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kosova vendosi të zbatojë me vonesë të njëjtën masë, që zbaton prej vitesh Serbia, e cila nuk lejon makinat me targa të Kosovës të hyjnë në Serbi, por i detyron të vendosin targa të përkohshme serbe me pagesë. Tani të njëjtën gjë po zbaton qeveria e Kosovës që makinat me targa serbe, të cilat vijnë nga Serbia të vendosin targa të përkohshme të Kosovës me tarifën 5 euro dhe me të drejtë qëndrimi 60 ditë në Kosovë.

Pra dy elemente janë ekstremisht të qarta:

E para që vendimi i qeverisë së Kosovës është zbatim i marrëveshjes së nënshkruar midis dy vendeve në Bruksel dhe një veprim, që Serbia e bën prej vitesh me makinat me targa të Kosovës.

E dyta është që vendimi i qeverisë së Kosovës nuk është kundër dhe nuk ka asnjë lidhje me qytetarët e Kosovës, qofshin shqiptarë apo serbë.

Vendimi është vetëm për makinat me targa serbe, që vijnë nga Serbia në Kosovë. Por e vërteta nuk i duhet presidentit serb dhe Serbisë. Presidentit serb dhe Serbisë u duhet tensioni artificial dhe menjëherë shpërthyen në një histeri teatrale diplomatike kundër Kosovës, duke e paraqitur sikur po dëmtohen dhe po sulmohen të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.

Për ta bërë bindës pretendimin e tij presidenti Vuçiç urdhëroi shërbimet sekrete serbe të organizojnë bandat kriminale serbe në Veri të Kosovës për të ndërmarrë protesta të dhunshme dhe për të bllokuar rrugët kombëtare në Veri të Kosovës. Natyrisht policia e Kosovës nuk mund të lejojë bllokimin e rrugëve kombëtare nga kushdo qoftë dhe ndërmori veprimet normale të të gjitha policive të botës për sigurimin e qarkullimit të lirë të automjeteve në ato rrugë.

Presidentit serb i duhej konflikti artificial i krijuar nga bandat kriminale serbe të nxitura nga Beogradi, dhe nuk i intereson e drejta e Kosovës për reciprocitetin në çështjen e targave. Tensioni artificial në terren atij i duhet për qëllimet e tij politike dhe diplomatike.

Faqja e parë DITA, 22 shtator 2021

Presidenti serb nisi diplomacinë teatrale me një seri hapash për të simuluar një situatë lufte të re. Presidenti Vuçiç iu dërgoi letra të menjëhershme zyrave të BE dhe të NATO-s për gjoja kërcënimet, që po u bëhen minoritetit serb në Kosovë. Në një inskenim teatral të gjoja situatës serioze, në 21 shtator presidenti thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Ai ka kërkuar mbledhjen e përfaqësuesve në Beograd “Quintit”, të pesë shteteve kryesore perëndimore. Për të krijuar efekte dramatike presidenti serb urdhëroi dislokimin e njësive tankiste në kufirin shtetëror të Serbisë me Kosovën.

Dhe kulmi i situatës komike u arrit në 21 shtator, kur ambasadori i Serbisë në Uashington, M.Gjuriç, njoftoi se do të fluturonte për në Beograd që të rregullojë situatën në Veri të Kosovës.
Është ironike që kreu i shtetit serb po ngrenë histeri politike e diplomatike mbi një çështje, që nuk ka të bëjë as me serbët e Kosovës dhe as me shqiptarët e Kosovës.

Vuçiç bën sikur harron se Serbia ka nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për mënyrat e qarkullimit të automjeteve midis dy vendeve. Për mospranimin dhe mosrespektimin e marrëveshjes, që Serbia ka nënshkruar vetë në Bruksel, presidenti serb doli me një shpjegim të ri absurd.

Në fjalimin patetik drejtuar kombit në 20 shtator ai deklaroi se “targat serbe janë targa të një shteti sovran”. Por kur nënshkroi marrëveshjen e shtatorit 2016 me Kosovën a ishin sovrane targat serbe?

Sipas logjikës së tanishme presidenciale serbe targat e Kosovës nuk janë targa të një shteti sovran dhe kjo e justifikon atë që të mos pranojë respektimin e marrëveshjes ndërkombëtare të qarkullimit të automjeteve, që qeveria e Serbisë ka nënshkruar në Bruksel. Në diplomaci ka rregulla dhe presidenti serb duhet të kishte njoftuar më parë zyrtarisht Bashkimin Europian si garant i kësaj marrëveshje, se Serbia nuk e njeh më atë marrëveshje të nënshkruar prej saj.

Provokimi dhe fryrja e tensioneve artificiale kanë qenë gjithmonë një instrument tradicional i politikës ballkanike të Serbisë dhe i diplomacisë serbe në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre në dialogun në Bruksel, të ndërmjetësuar nga BE. Nëpërmjet provokimit të tensioneve artificiale në Veriun e Kosovës, Serbia po ndjek strategjinë e shtyrjes sa më shumë të orës së të vërtetës, kur asaj do t’i duhet të pranojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Presidentit serb ia bëri të qartë këtë të vërtetë me shkrim presidenti amerikan Biden në 15 shkurt 2021, ia deklaroi në sy edhe kancelarja gjermane Angela Merkel në bisedimet në Beograd në 13 shtator 2021.

Diplomacia teatrale serbe e tensioneve të tanishme artificiale synon të arrijë disa objektiva.

Së pari, kërkon të sanksionojë statusin virtual të metropolit dhe të provincës midis Serbisë dhe Kosovës. Sipas mendjes së ndryshkur politike dhe diplomatike të udhëheqjes nacionaliste serbe, në bazë të këtij statusi të ëndërruar serb Beogradi mundet të mos i zbatojë dhe t’i shkelë marrëveshjet, që i ka nënshkruar vetë në Bruksel, dhe të refuzojë që Kosova të zbatojë për ato marrëveshje reciprocitetin.

Së dyti, me tensionin e ri artificial dhe histerinë luftënxitëse Beogradi tenton që ta trembë burokracinë diplomatike të BE, që ajo të bëjë presione mbi Kosovën që të mos zbatojë ndaj Serbisë reciprocitetin e neneve të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe të pranojë de facto statusin e provincës.

Së treti, Serbia po kërkon që të krijojë tensione artificiale rreth Kosovës me qëllim që të bllokojë dialogun me Kosovën në Bruksel dhe të pengojë vënien në qendër të këtij dialogu të çeshtjes themelorë të njohjes reciproke, siç ia ka kërkuar asaj presidenti i SHBA, Xho Bajden. Serbia provokon tensione artificiale për të shmangur përballimin me të vërtetën e hidhur për të, se pas 10 vjet torollisjesh në Bruksel me çështjet teknike, dialogu Kosovë-Serbi duhet të hyjë në thelbin politik të dialogut, që është njohja reciproke midis dy shteteve.

Kjo është strategjia bizantine e presidentit serb Vuçiç, i cili në 20 shtator e afishoi hapur, kur deklaroi se “Unë nuk shoh ndonjë kuptim të dialogut në këtë moment”. Është e disata herë, që e ka thënë në dy muajt e fundit. Presidenti serb mendon se me këto akte teatrale të tensioneve artificiale në Veriun e Kosovës ai do të mund t’i shmanget trekëndëshit diplomatik pa rrugëdalje, ku e kanë vënë edhe SHBA, edhe Gjermania, për përfundimin e dialogut Serbi-Kosovë me njohje reciproke.

Provokimi i tensioneve me shtetet fqinjë është një metodë klasike i veprimit të diplomacisë dhe institucioneve subversive shtetërore serbe. Tensionet dhe klimën e luftës Serbia e sheh si një mënyrë të efektshme për realizimin e programit të saj shovinist të “Serbisë së Madhe”, të cilit qeveria e Vuçiçit tani i ka vënë emrin “bota serb”, dhe që planifikon aneksimin e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Nuk janë të rastësishme ndërhyrjet e njëpasnjëshme brutale dhe fushatat e tensioneve, që po provokon Serbia në Bosnje, në Mal të Zi dhe në Kosovë.

Projektuesi dhe drejtuesi kryesor i ofensivës së tanishme destabilizuese serbe në tre shtetet fqinjë është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në datën 21 shtator presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, nga Nju Jorku ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB, deklaroi se “gjëja më e rëndë është se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë një nga luftënxitësit më të shquar dhe më të zhurmshëm në vitet 90’, (të konflikteve në ish-Jugosllavi), dhe është një pengesë”.

Në datën 13 shtator 2021 presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, deklaroi: “Presidenti Vuçiç e don Kosovën pa shqiptarë dhe Malin e Zi pa malazezë. Presidenti Vuçiç ka ambicien që t’ia kalojë Sllobodan Millosheviçit dhe të arrijë gjithçka që Millosheviçi nuk mundi. Serbia është një bazë politike, sigurie dhe informative për realizimin e interesave të Rusisë në Ballkan. Serbia beson se është koha për të ribërë kufijtë në Ballkan”.

Pra dy presidentë të sotëm të dy shteteve anëtare të NATO-s dhe shtete fqinjë me Serbinë, të cilët e njohin Vuçiçin dhe Serbinë më mirë se të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë të marrë sëbashku, i tregojnë rajonit dhe botës se kush është realisht presidenti i sotëm serb, të cilin mendje të fandaksura në Tiranë po ia reklamojnë popullit të Shqipërisë si misionar hyjnor i parajsës së rajonit me projektin e tij të “Ballkanit të hapur”.

Është një urim i vjetër që shqiptarët ia bëjnë vetes: “Zot na ruaj mendt e kresë”, urim që sot duhet thënë ndryshe: “Zot, ruaji mendt e kresë udhëheqësve të Shqipërisë”.

Bashkimit Europian dhe NATO-s duhet t’i tërheqë vëmendjen njëkohëshmëria e zhvillimeve të fundit në tre shtetet fqinjë me Serbinë, ku gjeneratori i tensioneve është vetëm Serbia dhe institucionet e tij diplomatike dhe subversive. Nuk është rastësi mbështetja e fuqishme, që po i jep Rusia kësaj strategjie serbe të tensioneve me shtetet fqinje, sepse Moska ka interes strategjik që Ballkani të destabilizohet.

Bie në sy që histeria e tanishme luftënxitëse e presidentit serb lidhur me protestat e bandave kriminale serbe në veri të Kosovës mori një përkrahje të menjëhershme masive dhe iu kushtua një jehonë e jashtëzakonshme në mediat ruse. Media qeveritare ruse “Balkanist”, e specializuar për Ballkanin, njoftonte që në titull me entuziazëm në 21 shtator se “presidenti i Serbisë i dha Bashkimit Europian një muaj afat për kryerjen e rolit të ndërmjetësit në bisedimet me Kosovën”.

Nga këto zhvillime negative të tensioneve të reja të provokuara nga presidenti serb dhe nga diplomacia serbe, duhen nxjerrë disa mësime për diplomacinë e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe për të dy shtetet shqiptare.

Së pari duhet thënë se Kosova duhet të zërë mend dhe të mos i marrë me vonesë veprimet dhe aktet, që sanksionojnë barabartësinë e saj sovrane me Serbinë në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në dialogun e Brukselit.

Moszbatimi i akteve të reciprocitetit që burojnë nga këto marrëveshje, dhe sidomos heshtja e papranueshme e Kosovës për shkeljet e marrëveshjeve të Brukselit nga Serbia, kanë krijuar situatën paradoksale, ku Serbisë i duket blasfemi diplomatike që Kosova po zbaton detyrimet e marrëveshjes së Brukselit. Dhe guxon presidenti Vuçiç dhe jep alarm europian pse Kosova po respekton reciprocitetin me Serbinë sipas marrëveshjes me të.

Së dyti, është e papranueshme dhe shenjë e një qëndrimi tribal politik që disa forca dhe politikanë të caktuar në Prishtinë, në situatën e tensioneve të reja të tanishme po sulmojnë për interesa meskine elektorale qeverinë e Kosovës për vendimin e saj të drejtë. Raportet e Kosovës me Serbinë janë raporte që duhen parë në prizmin e interesit kombëtar dhe shtetëror, pa ngjyrim politik, fisnor apo krahinor.

Diplomacia serbe e tensioneve artificiale duhet t’i kujtojë diplomacisë dhe qeverisë së Kosovës rregullin e artë të reciprocitetit në marrëdhëniet midis shteteve sovrane. Reciprociteti nuk është shpikje e qeverisë së Kosovës, por është e drejtë e saj, është normë dhe praktikë ndërkombëtare që kur lindën shtetet.

Serbisë i duhet mësuar se ka përballë një shtet të pavarur dhe sovran, jo vetëm për targat, por në çdo element të marrëdhënieve dhe të marrëveshjeve dypalëshe me të. Serbia mund ta vonojë njohjen e Kosovës, por reciprociteti i sovranitetit dhe i të drejtave si shtet, i zbatuar me rigorozitet nga Kosova, do ta detyrojë Serbinë të vijë sa më parë te njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

 

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
9 Comments
  • Ske si te mos i japesh te drejte, pike per pike,…..bravo…shpresoj te reflektoje qeveria e Shqiperise …kjo eshte real politik, endrrat jane te bukura por bota eshte e eger….ka gjithmone kohe per te ndryshuar ide, vetem gomari nuk di te ndryshoje mendje.

    • Z. Edi Rama, duhet qe menjehere te vendose brenda nje muaji pajisjen me targe provizore te makinave te Kosoves, kur ato hyjne ne Shqiperi, sic veprohet kur ato shkojne neSerbi. Ky eshte parimi i reciprocitetit me vellaun e madh serb Vucic, i cili rrjedh nga marreveshja Ballkani i Hapur.

  • Reciprociteti ne maredheniet midis dy shteteve sovrane tregon DINJITET e jo vasalitet!
    Te lumte Albin Kurti,se je kryeminister shqiptar me trimi dhe me atdhetari nga te gjithe larot qe kane sunduar trojet shqiptare per 30 vjet!
    Le ta lexoje kete shkrim Edi Rama per te kuptuar se i doli boja “Minishengenit” tradhetar dhe “Balkan open” antishqiptar!
    Ja pra,qe ta marrin vesh armiqte e Evner Hoxhes,se nuk e shiti ai Kosoven,por po e shet sot Edi Rama dhe ju hani mut kot!
    Mos ulurini UJKU-UJKU,kur CAKALLI RAMA po ben kerdine!
    Se po del kundershtar me i rrezikshem kunder Kosoves Ramna se sa vellai i Rames Vucici!

  • Reciprociteti ne maredheniet midis dy shteteve sovrane tregon DINJITET e jo vasalitet!
    Te lumte Albin Kurti,se je kryeminister shqiptar me trimi dhe me atdhetari nga te gjithe larot qe kane sunduar trojet shqiptare per 30 vjet!
    Le ta lexoje kete shkrim Edi Rama per te kuptuar se i doli boja “Minishengenit” tradhetar dhe “Balkan open” antishqiptar!
    Ja pra,qe ta marrin vesh armiqte e Evner Hoxhes,se nuk e shiti ai Kosoven,por po e shet sot Edi Rama dhe ju hani mut kot!
    Mos ulurini UJKU-UJKU,kur CAKALLI RAMA po ben kerdine!
    Se po del kundershtar me i rrezikshem kunder Kosoves Rama se sa vellai i Rames Vucici!

  • në këtë rast dobiçi ynë,që i doli në krah kurtit,duhet të kërkojë nga “partneri” i ballkanit të hapur,zbatimin e marrveshjeve të nënshkruara prej tij!
    pra dhe për këtë marrveshje që ai ka nënshkruar “me një shtet të tretë” jashtë “ballkonit të hapur”!!
    sepse si i thonë llafit,nëse një shtet i këtij ballkoni të hapur,firmos marrveshje me shtete të tjera dhe nuk i zbaton!?
    atëherë ka shumë mundësi të mos zbatojë dhe marrveshjet brënda ballkonit të hapur!!
    dobiçi ynë ka një rast që të bëjë atë që nuk e bëri,falë euforisë(në rastin më të mirë për të),kur filloi takimet për “ballkonin e hapur” a “mini shengenin” e vjetër!!
    të fillojë e ti vërë kushte sërbisë për atë që ajo kërkon të bëjë!!
    kushti i parë është njohja e kosovës!
    pa një kusht të tillë nuk mund të vijë kushti i dytë!
    kushti i dytë është vendosja e rregullave se si do të funksionojë ky ballkon i hapur!
    heqja e të gjithë barrierave nuk është aq e kollajtë pa vendosur kushte për fitimet që do të dalin nga kjo heqje barrierash!këto fitime duhet të shpërndahen në një mënyrë që të përfitojnë të gjithë pjestarët e ballkonit të hapur!!
    ballkani i hapur nuk mund të jetë një mënyrë zhvatjeje të shtetit më të fuqishëm!duam apo nuk duam,në një grup shtetesh njëri është më i fuqishmi!!
    këto që them,nuk janë thejshtë kundër sërbisë!sot për sot ajo është më e fuqishmja!në sasi,sepse në cilësi,GDP e maqedonisë për frymë ja kalon si shqipërisë dhe sërbisë!!
    regullat duhet të jenë të tilla që të përfitojnë të gjithë!!
    ne,ballkani perëndimor nuk bëjmë pjesë në BE,por megjithatë ne përfitojmë ndihma praj saj!!
    BE,shpërndan subvencione e investime nga përfitimet e saj tregëtare në tërë pjestarët e saj!!
    dhe kjo në bazë të rregullave të shkruara,të vendosura!!
    palloshi ynë ka mundësinë,nëse ka mësuar ndonjë gjë deri më sot nga “puna e drejtimit të shtetit”,sot të kapë për bolesh vuçin!!
    nëse nuk e bën do të thotë,se na heqçdo dyshim që është vegël e tij!!

  • Januzi thote me Se pari e Se dyti e Se treti, se Serbia kerkon tensione artificiale per te bllokuar dialogun me Kosoven ne Bruksel!
    Cilin “dialog” z. Januzi? Ate maskaraden ku ulen dy pale qe nuk kane njohje te ndersjellte ?!
    Ai nuk eshte Dialog, eshte nje foto tavoline me dy pale te perplasur dhunshem koke me koke qe ti sjelle gjume te qete kur ta shohin atyre ne Bruksel.

  • Albin Kurti ka shumë të drejtë në zbatimin e një marreveshjeje të nënëshkruar nga të dy palet në Bruksel,pamvaresisht se e vonuar.
    Duke u nisur nga kjo,unë i jap të drejtë K:Ministrit të Kosoves,kur Ai,i qendron fort parimit të njohjes së Pavaresise së Kosovës dhe njohjes reciproke mes dy vendeve sovrane,mbasi-siç citon zoti Kurti-problemet e tjera do të zgjidheshin shumë më kollaj se deri më tani.Fakti që Vuçiç nuk pranon njohjen e Kosovës është shpallja që Ai,kohet e fundit ka dale si frymezues i “Botes Serbe” ndersa duhesh te dilte me parrullen e paqes ne Ballkan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *