Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker është takuar këtë të premte në Shkup me autoritetet më të larta drejtuese të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë këtyre takimeve, ndihmëssekretari theksoi, se Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur, ku vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet përmbylljes së reformave të filluara, duke vënë theksin në miratimin e ligjit të Prokurorisë Publike, me të cilin pritet të përcaktohet dhe statusi i Prokurorisë Speciale.
Ai është shprehur: “Duhet t’i tregohet opinionit se sundimi i së drejtës është kyç për vendin dhe askush nuk është mbi ligjin”.
Reeker ka porositur opozitën maqedonase që të marrë përgjegjësitë e veta ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara demokratike, duke qenë pjesë aktive në procesin e reformave. Ai tha: “Në demokracitë e mirëfillta, roli i opozitës është kyç, por opozita duhet të jetë konstruktive. Ka mbaruar koha e lojërave politike, tani është koha që gjërat të lëvizin për të mirën e vendit”.
Në vijim ai ka shtuar: “Ligji për Prokurorinë Publike patjetër duhet të lëvizë, ndërkaq miratimi i tij tani do të nënkuptojë që ai nuk do të jetë më në pikëpyetje dhe se ndërkohë BE-ja mund t’i fillojë bisedimet në vjeshtë”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka thënë, se është i hapur që bashkë me opozitën të bëjë dhe hapin e fundit për arritjen e një ujdie për miratimin e ligjit për Prokurorinë Publike, duke vënë theksin në mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian në tetor. Por lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski ka thënë, se do të ketë mundësi që Reekerit t’i tregojë, se “kush luan lojëra politike, dhe se jokonstruktive është qeveria e jo opozita”.
Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker është takuar edhe me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. Diplomati amerikan ka marë garanci nga BDI-ja për mbështetje pa kompromis në proceset integruese dhe reformat.
Burimi: DW
e.ll./dita
