Gerard Piqué nuk do të ndryshojë kurrë. Ai gjithnjë ka luftuar me mënyrat e tij për pavarësinë e Katalonjës dhe do të vazhdojë ta bëjë.
Mbështetja e tij publike për referendumin e sotëm të katalanasve ka krijuar një debat të madh në Spanjë, por mbrojtësi ka dhënë sërish një mesazh të fortë në emër të idealeve që ka. Pas fitores 3-0 ndaj Las Palmasit, sot mbrojtësi deklaroi se do ta mbështesë me çdo kusht referendumin, edhe nëse emri i tij do të hiqet nga lista e kombëtares spanjolle.
“Nëse ndonjë drejtor apo Federata Spanjolle mendon se unë mund të jem një problem për kombëtaren, atëherë jam gati të shkëputem”, – tha 30-vjeçari. Ai e ka thënë me kohë se do të largohet nga “Furia e kuqe” pas Botërorit 2018, por duket se kjo mund të ndodhë edhe më shpejt.
I pyetur për dhunën e ushtruar sot nga policia spanjolle ndaj katalanasve, Piqué, me lot në sy, u përgjigj: “Jam krenar për popullin katalanas. Kjo ka qenë përvoja ime më e keqe”.
Barcelona sot u detyrua të luante me ishullorët, pavarësisht kaosit të madh të referendumit, sepse rrezikonte dënim me heqje pikësh.
