Më 12 qershor 1991, 25 vjet më parë (e habitshme vërtet sesi ikën kaq shpejt vitet!) u krijua Partia Socialiste e Shqipërisë. 25 vjet janë një çerek shekulli. Një periudhë kohore relativisht e konsiderueshme, për politikën dhe historinë. Kam pritur më tepër seriozitet dhe përkushtim për të përkujtuar në këtë 25 vjetor krijimin e subjektit politik të së majtës demokratike, fill mbas sistemit totalitar. Si një nga dëshmitarët e kohës, ndjej në vetvete detyrimin për të respektuar të vërtetën në strukturë kohore të një çerek shekulli më parë.
Përgjithësisht në shtypin politik, më saktë në mediat e politizuara dhe të subjektivizuara në mënyrë delirante nuk janë bërë analiza të sakta për këtë ngjarje që lidhet me subjektin e Partisë Socialiste në rolin e saj të patjetërsueshëm. Përgjithësisht në mënyrë pexhorative, por jo edhe pa elementë të së vërtetës formale është artikuluar ideja se nuk ka pasur një themelim të PS-së, por thjesht një konvertim të ish PPSH-së në një parti që ndryshoi emrat, stemën, sloganet dhe u mbiquajt si PS. Kjo tezë është vulgare dhe në shumë aspekte dashakeqëse, por nuk përputhet me atë që quhet e vërteta historike. Kam shpresuar që për 25 vjet të kishte edhe një zhvillim sociologjia politike, ose të krijohej një politikologji shkencore. Por ja që nuk ka ndodhur kështu. Natyrisht më 12 qershorin e vitit 1991 janë bërë shumë artikuj, janë shpalosur opinione kontroverse etj.. Në vështrimin tim, (e thashë më sipër që jam një dëshmitar, natyrisht jo i vetmi), asnjë histori nuk shkruhet pa shikuar konkretisht dokumentacionin e kohës. Shkatërrimi i sistemit monist, rënia e shteteve totalitare komuniste ka qenë një dukuri e përmasave botërore. Një dukuri e pazakontë dhe me rëndësi të jashtëzakonshme. Shumë shkencëtarë të mendimit politik, ndër ta do të veçoja Zbigniev Brzezinski, kanë hamendësuar rënien e komunizmit botëror por, siç thonë edhe vetë analistët, rënia e Murit të Berlinit dhe përgjithësisht shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik dhe çmitizimi i sloganeve të diktaturës së proletariatit dhe të utopisë komuniste ndodhi me një shpejtësi gati të pabesueshme dhe nuk u parashikuan saktësisht. Shqipëria ka pjesën e saj në këtë histori botërore.
***
Sistemi totalitar kishte vite që kishte dështuar konceptualisht por edhe ekonomikisht. Paradoksalisht, në një plenum të PPSH-së, Ramiz Alia formalizoi një ligj të lejimit të pluralizmit politik, madje pa abroguar dhe kushtetutën komuniste që nuk e lejonte një gjë të tillë. Më 29 -30 maj 1990 në gazetën “Zëri i Popullit” botohet shkrimi i mjekut Ylli Popa, “Në kërkim të kohës së humbur” që qe një lloj manifesti i ndryshimit, për të kapërcyer Rubikonin e totalitarizmit drejt një shoqërie demokratike. Krijimi i Partisë Demokratike shkatërroi përfundimisht monopolin politik të PPSH-së. Kjo ishte vërtet një ngjarje historike. Por, krijimi i Partisë Demokratike nuk bënte të mundur akoma krijimin e spektrit dhe të pluralizmit politik. Për të krijuar një ekuilibër jetik edhe të historisë, edhe të politikës, kërkohej urgjentisht që përveç partisë së djathtë të krijohej edhe një parti e majtë. Kjo përcaktoi gjenezën e krijimit të Partisë Socialiste. Duhet të dallojmë dy faza: Fazën para 12 qershorit 1991 që përgatiste opinionin, por edhe strukturat partiake për një ndryshim sfidues dhe me një program social-demokrat. Kam këtu parasysh muajin prill 1991 kur së bashku me Maqo Lakrorin kemi parë materialet e përgatitura nga një grup pune për transformimin që pritej. Procesverbalet e mbledhjeve janë dhe mund të dëshmojnë gjithçka. Kur kam kritikuar dhe kam folur për rendin e formulave të tilla si “Marksizmi – Leninizmi”,“Diktatura e proletariatit”, apo edhe për Kritikën e Kultit të Enver Hoxhës, këto diskutime nuk u bënë në ndonjë rreth shumë të gjerë në atë kohë. Megjithatë, u bë përpjekje për një përshtatje dhe për një formulim të një programi socialdemokrat.
Diskutimi kritik që kam mbajtur të kongresin e 10-të PPSH-së ka qenë i pavarur dhe nuk kam biseduar me asnjeri për gjithë tezat që parashtrova në atë fjalim. Nuk dija gjithashtu dhe që Dritëro Agolli kishte përgatitur një diskutim kritik. Këto dy diskutime u bënë në një mjedis kur edhe nuk ishin sqaruar gjërat dhe ngjallën emocione të mëdha kundërshtuese. Megjithatë pothuaj që të gjithë ishin të vetëdijshëm që fundi i një historie i përkiste tashmë kujtesës dhe duhej nisur diçka e re në bazë të idealeve demokratike. Pas kaq vjetësh mund të them se krijimi i Partisë Socialiste ka qenë diçka jashtëzakonisht e rëndësishme që plotësoi konceptin e pluralizmit politik dhe vendosi një ekuilibër të madh në raport edhe me një parti të djathtë siç u shpalos Partia Demokratike dhe ky ekuilibër të paktën nuk lejoi disa deformime më të skajshme, më të furishme dhe më fantazmagorike të ditës.
***
Krijimi i Partisë Socialiste ishte krijimi i një subjekti socialdemokrat të mirëfilltë. Emancipimi i PS-së ka qenë një proces. Nuk është bërë brenda disa ditëve. Përkundrazi ka qenë një strukturim i vazhdueshëm, përmbajtësor. Zgjedhjet e 22 marsit të 1992 i dhanë fitoren Partisë Demokratike me të drejtë. Grupi i deputetëve të Partisë Socialiste qe relativisht i vogël por përbëhej nga personalitete të kulturës dhe njerëz me integritet moral. Situata ka qenë shumë e vështirë. Deputetët e PS-së përjetuan diçka të dyfishtë: Një përvojë të re, të panjohur më parë të debatit demokratik dhe njëkohësisht emancipimi partiak kaq të domosdoshëm që nuk mund të shpërfillet. Përfaqësimi politik i PS-së në kuvend në vitet 1992-1996 ka qenë një histori e një suksesi të madh. Duhet thënë se proceset demokratike në Shqipëri, patën në fillim deformime të frikshme. Sali Berisha dhe lidershipi i tij treguan një tendencë agresive të “tejkalimit të së drejtës”. Filloi shkatërrimi i gjithçkaje, institucioneve ekonomike, zotëroi teza e kuotës zero si dhe e misteriozit “çeku i bardhë”.
Vitet 1992-1996 kanë qenë shumë të vështira për deputetët e PS-së. Fatos Nano, kryetari i PS-së, u burgos, një ngjarje kjo tejet tronditëse. Në atë kohë, mjetet mediatike qenë shumë të pakta. Më kujtohet vazhdimisht thënia e Havelit se komunistët më të këqinj u bënë antikomunistët më të mëdhenj. Të ishe deputet i PS-së dhe të përjetoje privacione, por duhet thënë se këta deputetë e konstituuan në substancë PS-në si një subjekt të politikës demokratike. Mbaj mend që në atë kohë kishim vetëm një gazetë, Zërin e Popullit, revistën “Sot” si dhe një gazetë socialiste të Shkodrës me kryeredaktor shkrimtarin dhe lirikun e madh Frederik Rreshpja. Madje Frederik Rreshpja, ky i burgosur i vjetër politik i burgjeve të diktaturës me vullnetin e tij të lirë e përkrahu partinë socialiste dhe si kryeredaktor i gazetës në Shkodër shtjelloji një publicistikë të klasit të parë. Madje ai qe dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992. Po përmend këtë fakt që nuk e përmend askush. Duket sikur është harruar ky protagonizëm i çuditshëm dhe i denjë i Frederik Rreshpjes. Dua të përmend gjithashtu se më 15 janar të 1992 unë i caktuar nga partia socialiste mora pjesë në organizmin dhe përurimin e FRESH-it, Forumit të Rinisë Socialiste dhe kam mbajtur fjalim përshëndetës në kongresin e tyre. Por në këtë kongres ka mbajtur fjalim përshëndetës edhe paharruari Frederik Rreshpja. Koha vërtetoi që krijimi i PS-së qe me një rëndësi të madhe për Shqipërinë, për vetë demokracinë. Koha vërtetoi që PS-ja si subjekt i së majtës përfaqësonte elektoratin më të madh të Shqipërisë. Do të ishte e padrejtë dhe pa asnjë kuptim që elektorati i majtë të mos përfaqësohej. Nuk do të ishte aspak demokratike që t’i mohohej përfaqësimi politik elektoratit të majtë. Ky elektorat i majtë përbënte shumicën e shqiptarëve. Ata i kishin provuar privaconet e diktaturës, por shpresonin për një rend demokratik dhe PS-ja përfaqësonte një kauzë. Kauza në politikë është e pazëvendësueshme. Një politikë pa kauzë është e dështuar. Faktet treguan që vetëm disa muaj më vonë u zhvilluan zgjedhjet për pushtetin vendor. Shumicën e pushtetit vendor e fitoi PS. Kjo e bëri akoma më të konsoliduar ekuilibrin politik në mënyrë që të mos kalonim në plotfuqishmërinë e një partie të vetme si PD e cila reflektoi një partiokraci të rëndë. Këto janë fakte. Nuk kaloi shumë por pikërisht në vitin 1994 Berisha ideoi të ashtuquajturin referendum për ndryshimin e kushtetutës. Debatet që u bënë në Kuvend qenë të mprehta. Fushatat pro kushtetutës së Berishës që i jepte atij atributet e një presidenti me kredencialet e një pushteti shumë të madh qenë me një performancë të kushtueshme, trullosëse dhe hipnotizuese. Fitorja më e madhe konceptuale politike e PS-së në 1994 qe pikërisht që në referendum e rrëzuan projektin e kushtetutës së Berishës. Kjo tregoi që PS qe një parti që tashmë mbronte fatet e vendit, principet e demokracisë. Dhe këtë e arriti pa qenë vetë në pushtet, por pikërisht në opozitë.
***
Fitoret e opozitës siç i ka pasur PS-ja e viteve 1992-1996 nuk janë përsëritur më në historinë e politikës shqiptare. Përkundrazi ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të bëra bashkarisht nga PS dhe PD qenë në kundërshtim me fitoren e PS-së në referendumin e vitit 1994. Ndryshimet e deformuara kushtetuese të vitit 2008, sidomos dhunimi i konceptit kushtetues të votës së lirë dhe të votimin formal të listave të përcaktuara nga kryetarët e partive ka qenë diçka krejt e kundërt dhe me pasoja negative të mëdha deri në ditët e sotme, pa një kthim mbrapa në raport me fitoren e PS në referendumin vitit 1994.
Por roli historik i PS është akoma më i madh në historinë e këtyre 25 viteve. Studiuesit dhe politologët pa dyshim do ta studiojnë këtë gjë. Jam i bindur që do ta studiojnë. Sali Berisha dhe PD lejuan krizën e skemave piramidale që qenë një katastrofë unikale dhe e panjohur më parë në krejt historinë e Shqipërisë. Pastaj ndodhi viti i kobshëm 1997. Ky vit e pati një skenar okult të një lufte civile. Por për fat të mirë kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi edhe për arsye të vetëdijes së gjithë shqiptarëve por edhe të rolit të PS-së dhe elektoratit të majtë.
Nuk mund ta harroj një katrahurë të tretë: Grushtin e Shtetit të vitit 1998. Një grusht i pastër shteti. Ishte pikërisht PS, por edhe gjithë populli shqiptar që përballuan edhe këtë thagmë. Do të përmend një subjekt sa kombëtar dhe ndërkombëtar që lidhet me qenien në pushtetin qendror të PS-së si dhe me maxhorancën e saj në kuvend, lufta për çlirimin e Kosovës, marrëveshja e Rambujesë, krijimi i UÇK-së dhe sulmi i NATO-s. U arrit në pavarësinë e Kosovës, ngjarje epokale që ndodh një herë në 2000 vjet. Është në nderin e historisë politike të PS-së por edhe më gjerë edhe të krejt popullit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë dhe në troje të tjera etnike që u ndihmua, u stimulua u sakrifikua për Luftën Çlirimtare në Kosovë. Jam i bindur që historianët do ta vënë në dukje këtë ngjarje të pashembullt.
PS deri në vitin 2005 i pati tre kryeministra të saj: Pandeli Majkon, Ilir Metën dhe sidomos Fatos Nanon. Nga 1997-2005 PS në pushtet luajti një rol për strukturimin e institucioneve, shumëfishoi mediat dhe shtypin, u bënë ndryshime pozitive, që nuk duhen mohuar edhe gabime të mëdha që gjithashtu kanë ndodhur.
Kurrë nuk ma ka marrë mendja që në vitin 2005 PS do të humbiste zgjedhjet, Fatos Nano do të jepte dorëheqje, pothuaj përfundimtare nga politika (në moshë ende shumë të re) dhe Sali Berisha i përzënë me armë në vitin 97 do të vinte përsëri me votë në vitin 2005. Unë e di shumë mirë se si ka ndodhur një gjë e tillë. Por unë po flas për dukuritë, nuk më interesojnë shumë emrat. Përgjithësisht në analizat e mia nuk kam konflikt interesi, sepse jam një njeri i letrave, një studiues dhe një shkrimtar me një vetëdije për politikën në Shqipërinë, tashmë në pension dhe nuk kam absolutisht asnjë ambicie politike sepse e konsideroj karrierën time krejtësisht të mbyllur. Kjo më bën më gjakftohtë dhe kriticizmin tim e kam funksional. Nuk kam qenë në influencën e askujt dhe nuk mbaj krahun e askujt. Partia Socialiste me kryetar Edi Ramën u përpoq të fitonte zgjedhjet në 2008, por qe e pamundur. Në vitin 2013 PS i fitoi zgjedhjet në koalicion me LSI-në. Ky është fakt i pamohueshëm. Nga 2005 deri në 2016 kanë kaluar 11 vjet dhe qoftë për arritjet qoftë edhe për të metat e PS nuk ka analizë. Duke mos pasur analiza, nuk ka as sinteza. Unë nuk hyj te kritizerët e skajshëm të Edi Ramës. Ai ka energji dhe është legalisht kryetari i PS-së. Këtë nuk e vë në dyshim askush, por duhet të theksoj se PS-ja e Edi Ramës ndryshon në shumë aspekte nga ajo e dikurshmja. Unë e kuptoj akselerimin, por edhe ndryshimin. Por konceptualisht kurrë nuk e kam kuptuar tezën pa asnjë kuptim, aspak shkencore, populiste dhe tërësisht të dështuar “përtej të majtës dhe të djathtës”. Kjo tezë e artikuluar nga Tony Blair solli humbje të mëdha në Partinë Laburiste. Për ta ripërtërirë Partinë Laburiste u desh një rikonceptualizim i së majtës angleze dhe sot kryetar është i mirënjohuri Jeremy Corbyn.
***
Këtë 10 vjetshin e fundit ndryshimet politike që lidhen me të majtën europiane kanë qenë të rendit konceptual. E majta në Francë, në Spanjë, në Angli, por edhe në Itali si dhe në Greqi, ka përjetuar një krizë të institucionit të partisë së quajtur të majtë. Kjo krizë e së majtës europiane është evidente. Nuk është e shpikur dhe as e sajuar artificialisht. Kjo ka të bëjë me absolutizimin formal të institucionit të partisë si parti e thjeshtë elektorale, pa një program që ngjall kaos tek elektorati. U realizua një parashikim i një politologu të madh, Max Veberit, i cili ka thënë se kriza e vërtetë politike nuk është ajo mes partive të mëdha që pretendojnë pushtetin, por është kriza e partisë tradicionale me elektoratin tradicional. Pra është kriza e përfaqësimit. Ndryshimet e bëra në PS këto vitet e fundit kanë qenë shumë subjektive dhe shpesh jo institucionale. Kryetari i PS-së ka ndryshuar dhe ngjyrën e simbolit heraldik të partisë, përgjithësisht ka folur për “Shqipërinë e gjeneratës tjetër” dhe personalitete të kulturës dhe njerëzit me autoritet moral dhe dituri të veçantë nuk janë më në strukturat e PS-së por janë jashtë. Kjo në fund të fundit në aspektin personal nuk është ndonjë tragjedi e madhe, por duke pasur parasysh se partitë politike duhet të kenë një përfaqësim politik të një niveli shumë të lartë edhe intelektual, kjo përbën një problematikë të rëndë për PS-në. Subjektiviteti në përzgjedhjen e ministrave, deputetëve etj. ka qenë i skajshëm.
Ai që më bën përshtypje mbas 25 vjetëve është referenca se përfaqësimi politik (deputetët) e viteve 1992-1996 qenë personalitete të kulturës dhe fushave të tjera, kurse përfaqësuesit e sotëm nuk janë të tillë. Vetë Ilir Meta ka thënë që ky është parlamenti më i dobët që kanë shqiptarët për 25 vjet. Kjo e vërtetë mund të jetë për të gjitha partitë, por në rastin konkret të PS-së mua më dhemb më shumë. Nuk besoj se kriticizmi e dëmton një parti. Besoj të kundërtën. Kriticizmi e vë në lëvizje mendimin. PS e ka të domosdoshëm kriticizmin si dhe funksionalizmin real të institucioneve të saj vendimmarrëse.
Vlerësimi për figurën e Edi Ramës është një çështje që i takon studiuesve dhe historisë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për figurën e Fatos Nanos. Vetëm studiues seriozë, pa mllefe dhe pa paragjykime mundet që të strukturojnë opinione të qëndrueshme. Unë besoj ende te forca ripërtëritëse e PS-së. Besoj që kontradiktën që ka sot lidershipi i PS-së me elektoratin e majtë ta shikojë seriozisht dhe të bëjë përpjekje për të krijuar premisa emancipuese dhe të korrigjimit. Unë nuk jam profet, të definoj zhvillimin e ngjarjeve. Nuk mund të bëj parashikime mesianike. Nuk e pranoj mesianizmin në politikë. Mendoj seriozisht se ka ikur koha e liderëve karizmatikë. Liderët e sotëm të të gjitha partive të majta dhe të djathta në Evropë dhe në botë quhen kryetarë mandatorë të partive. Ideja e liderit është zbehur në përmbajtje. Pra kërkohet më tepër modesti dhe më tepër përkushtim.
***
Ajo që më habit mbaj 25 vjetëve është që e majta shqiptare nuk e njeh fare debatin filozofik që ndodh sot në Europë. Fjala vjen, për debatin që bëhet në Partinë Laburiste të Anglisë. Debatin që bëhet sot në Francë. Filozofja e politikës Hannah Arendt ka përshkruar krizën marramendëse që ka mbërthyer shoqërinë e sotme, si rrjedhojë e humbjes së kuptimit të fjalëve tradicionale kyç të politikës, drejtësi, institucione, arsye, përgjegjësi, virtyt, seriozitet, përmbajte, e vërteta, program dhe përkushtim. kjo mendimtare e jashtëzakonshme e politikës na sjell në qendër të vëmendjes idenë për të ridistiluar përsëri esencën vitale të këtyre koncepteve tradicionale dhe moderne. Si të përdorim për të rivlerësuar pozicionin tonë të tanishëm dhe të fitojmë denjësisht një sistem referimi për të ardhmen. Arendt, një nga mendjet më origjinale dhe frytdhënëse të epokës sonë ka kërkuar emancipimin e domethënies klasike të politikës. Mungesa e një debati të tillë në të majtën shqiptare është triumfi i një banaliteti dhe mungesës së plotë të ideve. Dhe për çudi e majta shqiptare nuk ka qoftë edhe një organ modest për të ushtruar debatin politik. Shumë e vështirë të krijojmë ide të qëndrueshme pa përplasjen e ideve. Lukreci ka thënë: “Ex nihilo nihil” (Asgjë nuk vjen nga asgjë”). Filozofi Dekart parashtronte kredon e tij “Cagito, ergo sum” (“mendoj prandaj jam”).
Pra nëse nuk mendon si i majtë si mund të jesh i majtë? Shumë parti të mëdha të së majtës që kanë pasur edhe personalitete të shquar brenda tyre, kanë pësuar disfatë. Partia e majtë greke PASOK nga parti e parë sot numërohet si parti e katërt. Një gjë e tillë i ndodhi më përpara edhe partisë socialiste të Kraksit në Itali. Ndryshime të tilla kanë ndodhur edhe në Spanjë, po ndodhin edhe në Francë.
***
A duhet që politika shqiptare ta njohë këtë situatë? Unë kam besim që PS ka forca të brendshme për të ripërtërirë vetveten. Ka një elektorat që mund të rigjenerojë përtëritje. Nuk kam besim shumë në apelacionet e jashtme që nuk thonë asgjë si për shembull: Apelacioni “Rilindje”. Për një njeri serioz përmbajtja është më e rëndësishme se sa fjalët e bujshme. Partia socialiste është një proces zhvillimi. Zërat kritikë si Ben Blushi, duhen parë pavarësisht personazhit. Fjala vjen një deputete, një figurë e shkencës si Mimoza Hafizi, për mua ka një dinjitet më të madh se sa të tërë servilët dhe të klonuarit e PS-së apo edhe të vetë Edi Ramës. Në fund të fundit, 25 vjetori i PS-së në shumë kuptime i takon historisë. Kam pritur që të bëhej një festim qoftë edhe formal. Por më e rëndësishme, të nderohen personalitetet e para 25 vjetëve. E kam ndjerë veten shumë mirë midis tyre unë që po artikuloj tashmë këto fjalë. Me Dritëro Agollin, Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Namik Doklen, Gramoz Ruçin, Ermelinda Meksin, Sabit Brokajn, Ethem Rukën, Fehmi Abdiun, Shaqir Vukajn, Bardh Agasin, por edhe të tjerë, kemi qenë protagonist të një historie. Shumë zhvillime që ndodhin në politikë nuk varen nga personat ose nga sloganet. Por politika kërkon qëndrestarë, njerëz të përkushtuar dhe të sakrificës. Shumë njerëz nga grupi parlamentar i PS-së sot më duken si të klonuar. Për tre vjet, një pjesë e madhe e tyre edhe nuk flet në kuvend.
Mendimtari i madh amerikan George Steiner flet për kërcënimin e banalitetit dhe të kitsch-politikës. Ai thotë se në kohen e sotme janë në krizë si institucioni i kishës, ashtu dhe institucioni i partive në përgjithësi. Steiner cilëson politikanin modern si “croks within the law” dmth si “hajduti brenda ligjit”. nga ana tjetër kur politika e kufizon lirinë në një parti, kjo të kujton Big Brother të Oruellit në romanin “1984”. PS duhet sa më shumë të hapet, eksperimentimi me futjen në politike të të fortëve pa shkollë, por të pasur, qe një eksperiment i kushtueshëm dhe paradoksal. PS të reflektojë, të mos skllavërohet nga slogane, që bëjnë artificialisht ndarjen dhe kundërvënien e moshave dhe të rindërtojë konceptin e meritokracisë reale dhe jo të klonimeve të njerëzve krejtësisht të pa vlerë. Nuk mund të drejtohet një parti e majtë me koncepte të djathta dhe hibride. Nuk është çështje trilli apo performance vetiake. Politika është si bumarangu, përherë rikthehet e të bie në kokë. Ka gjithmonë një DIAS IRAE , dmth një Ditë të Gjykimit. Kësaj nuk i shpëton askush.
***
Gjithsesi e majta ka edhe një përgjegjësi historike në politikë: Çështjen tashmë të pakthyeshme dot mbrapsht të reformës në drejtësi. Reforma në Drejtësi është shumë më tepër se sa emrat kryesorë të politikës aktuale. Shumë gjëra mund të ndryshojnë në zgjedhjet e vitit 2017. Reforma në Drejtësi nuk mund të shmanget. Reforma në drejtësi do të jetë një tjetër atu për zhvillimin e politikës apo edhe të vetë rigjenerimit të PS-së, të së majtës në përgjithësi, por edhe të së djathtës dhe të spektrit politik. Dikur në shek XVII një gjigant i kulturës shqiptare Pjetër Bogdani bashkëkohës i të njëjtit shekull me Shekspirin dhe Hobsin parashtronte këtë kredo të tij “populus non intelligents vapulabit” (populli nuk do ta pësojë nëse është i ditur). Kështu që njohja e të vërtetave esenciale të politikës kërkon edhe një thellësi konceptuale të sajën.
Sot në botë e majta është në krizë. Kriza ndjehet edhe në Shqipëri. Do të ishte marrëzi ta mohonim këtë gjë. Por kriza nuk përballohet. Kriza kërkon domosdoshmërisht një përfaqësim politik të nivelit të lartë intelektual, me dituri të admirueshme dhe integritet të fuqishëm moral. Ndryshe problemet e së ardhmes do të jetë e vështirë të përballohen. Sot botohen libra të studiuesve dhe bëhet debat për kritikën ndaj neoliberalizmit, por në Shqipëri nuk ka asnjë shqetësim të tillë. Neoliberalizmi kritikohet dhe shpesh është quajtur si ideologjia totalitare e neoliberalizmit që e bën edhe politikën thjesht një agregat pasiv të ekonomisë, apo e kthen shtetin social në një element muzeu. Pa dyshim që e majta shqiptare do të ketë në fund përfaqësues më të ditur dhe më të përkushtuar. Me nderimin më të madh për miqtë dhe shokët e mi të 25 vjetëve më parë të grupit parlamentar të PS-së në vitet 1992-1996, i çliruar nga të gjitha ambiciet dhe subjektivizmat që nuk i hyjnë askujt në punë, them se kam besimin njerëzor për zhvillime të reja dhe për një të ardhme të PS-së në 25 vjetorin e ardhshëm të shekullit XXI. “Dixi ex salvavi…(Fola dhe shpëtova shpirtin tim).
Moikom Zeqo – DITA

TE LUMTE MOIKOM. SI GJITHMONE JE ME IMIRI ,ME I DITURI, ME I PASTRI ME NJEREZORI,ME IRIU NE MENDIM E NE GJYKIM.
E vleresoi me nota maksimale zotin MOIKOM ZEQO per mendimet e drejta qe ka dhene per permiresimin e punes dhe ecjen perpara te ps-te.Por mendoje se duhet te permenden edhe pengesat qe i bejne ps-te apo Edi Rames,duke i vene shkopinje nen rrota.Jame me mendimin tende zoti Zeqo qe krtika eshte nje mjete,qe, te ndihmon.
Mire e ke ti Moikom, por jam i bindur se Edi Rama as do t’ja dije per ato qe shkruan dhe mendon ti. Me arrogancen dhe papergjegjshmerine qe e karakterizon ai do te vazhdoje ne rrugen e tij drejt humneres. Asnje mesim apo keshille te tenden nuk do te marre parasysh. Se gjithçka i ka bere me koshience te plote. E keqja eshte se ai e transformoi PS-ne duke e kthyer ate nga nje parti idealesh ne nje grumbull amorf dhe pa shpirt. Ku gelojne tipa pa personalitet dhe merita, per me shume edhe bandite ose biznesmene te dyshimte. Pra ti ke plotesisht te drejte, dhe e shpetove shpirtin tend, por PS-ne nuk e shpeton dot as ti dhe as kushdo tjeter. Ajo ka sot siper vetes hijen e mortit, siç tha dje Fatos Nano. Asnje respekt per Fatos Nanon nuk kam, por jam plotesisht dakort me diagnozen e tij. Me duket se edhe PS-ja do te behet nje parti e sistemit, e kastes sunduese te oligarkeve te rinj, njelloj si PD_ja dhe LSI-ja. Pra nuk do te kete parti qe perfaqeson interesat e popullit dhe te vendit, por thjesht parti qe do i sherbejne kastes se te fuqishmeve ne vend dhe do u binden direktivave qe do u vijne nga Brukseli apo Uashingtoni. The game is over.
P.s. Kam pershtypjen se shkrimit tend nuk i kane dhene vendin e merituar ne gazete. Per mua sot ai duhet te zinte vendin e kryeartikullit.
Urime Prof. Moikomi per shjkrimin synopsis dhe evokimin historik te PS-se dhe politikes tone ne teresi qe ende’ s’ka marre trajta te nje politike te vertete dhe s’ka patur e s’ka politikane te vertete se dhe shkolle per kete risi ne s’kemi patur e s’kemi dhe kjo duket ashiqare perdierisa vendi eshte apo ka mbetur kaq anarkik dhe i varfer, se ka munguar ekspertiza dhe filozofia qe permendni ju.
Dhe duhet thene se dhe PS e vertete nuk u krijua asnjehere, por vetem ndryshoi emrin…me disa arnime qe sidoqeqene e lane ate “patchy party” (parti e arnuar..) …se ne kongresin e 10-te merrete pjese dhe kameleoni Ramiz Alia e Byroja Politike me Nexhmije Hoxhen apo Jo qe i dhane tonin diskutimeve dhe nga fundi pati dhe zera reformues…qe mezi i ndryshuan vetem emrin.
Dhe me kryesorja Fatos Nano qe dhe ky “i propozuar” nga R. Alia, kur u be kryetar i PS-se vuri kushtin qe te kishte ne krah si zevendesa Ismail Lleshin dhe Spiro Deden, jo me shume se pas 6-muajsh i largoi-denjigroi te dy dhe me pas e dime se si e degradoi Partine Socialiste ne qeverisje dhe ri-solli Berishen…!!!
Ndersa Edi Rama qe erdhi “incognito” ne PS (asnjeri se thote si erdhi ky rrebel dhe anarchist PD-ist ne PS ?!) sot ka krijuar nje grup njerezish anonym qe s’kan asnje lidhje me PS-ne dhe kete duhet ta themi açik dhe se slogani i tij “Shqiperia e gjenerates tjeter” ( e huazuar nga Toni Blair-I deshtak) perjashton mendimin dhe pervojen-ekspertizen dhe promovon adoleshentet dhe te paaftit ose askushet qe sot jane ne krye te drejtorive, ministrive dhe pa keshilltare si asnje vend e qeveri ne bote dhe ekonomia pertoke…dhe shqiptaret vazhdojne te gjenjne si rruge shpetimi – kurbetin e zi..!!!! Ju verte permendni thenien lapidare te Dekard-it “cogito ergo sum” por kjo me sa di ka semantiken e “mendimit-ndergjegjes qe vdes i fundit-pas materies-raporti “materie-ndergjegje” i filozofise se lashte-greke, Aristoteliane e ndersa nuk e di nese ka patur vertete mendim-ndergjegje ne PS-se po te kishte s’do kishte mundur te riciklohej Sali Berisha!!!
Urime Prof. Moikomi per shkrimin synopsis dhe evokimin historik te PS-se dhe politikes tone ne teresi qe ende’ s’ka marre trajta te nje politike te vertete dhe s’ka patur e s’ka politikane te vertete se dhe shkolle per kete risi ne s’kemi patur e s’kemi dhe kjo duket ashiqare perdierisa vendi eshte apo ka mbetur kaq anarkik dhe i varfer, se ka munguar ekspertiza dhe filozofia qe permendni ju.
Dhe duhet thene se dhe PS e vertete nuk u krijua asnjehere, por vetem ndryshoi emrin…me disa arnime qe sidoqeqene e lane ate “patchy party” (parti e arnuar..) …se ne kongresin e 10-te merrete pjese dhe kameleoni Ramiz Alia e Byroja Politike me Nexhmije Hoxhen apo Jo qe i dhane tonin diskutimeve dhe nga fundi pati dhe zera reformues…qe mezi i ndryshuan vetem emrin.
Dhe me kryesorja Fatos Nano qe dhe ky “i propozuar” nga R. Alia, kur u be kryetar i PS-se vuri kushtin qe te kishte ne krah si zevendesa Ismail Lleshin dhe Spiro Deden, jo me shume se pas 6-muajsh i largoi-denjigroi te dy dhe me pas e dime se si e degradoi Partine Socialiste ne qeverisje dhe ri-solli Berishen…!!!
Ndersa Edi Rama qe erdhi “incognito” ne PS (asnjeri se thote si erdhi ky rrebel dhe anarchist PD-ist ne PS ?!) sot ka krijuar nje grup njerezish anonym qe s’kan asnje lidhje me PS-ne dhe kete duhet ta themi açik dhe se slogani i tij “Shqiperia e gjenerates tjeter” ( e huazuar nga Toni Blair-I deshtak) perjashton mendimin dhe pervojen-ekspertizen dhe promovon adoleshentet dhe te paaftit ose askushet qe sot jane ne krye te drejtorive, ministrive dhe pa keshilltare si asnje vend e qeveri ne bote dhe ekonomia pertoke…dhe shqiptaret vazhdojne te gjenjne si rruge shpetimi – kurbetin e zi..!!!! Ju verte permendni thenien lapidare te Dekard-it “cogito ergo sum” por kjo me sa di ka semantiken e “mendimit-ndergjegjes qe vdes i fundit-pas materies-raporti “materie-ndergjegje” i filozofise se lashte-greke, Aristoteliane e ndersa nuk e di nese ka patur vertete mendim-ndergjegje ne PS-se po te kishte s’do kishte mundur te riciklohej Sali Berisha!!!
NADUHET MOJKOM ZEQO ME SHOKW, pwr kohwn qw po pwrjeton vwndi ynw….
Faleminderit i nderuari Moikom Zeqo.Kjo llojikw fjale e demostruar nga Ju, i duhet sot shqipwrisw e sw pari PS.si paria e shumicws sw shumwvuajtur sa me horizont pwr tw ardhmen.
Tw tjerat i kanw thene komentuesit e mw sipwrm, qw sa kuptoj ju mbwshtesin.Pacin mbrodhwsi ata dhe Ju,qw mendoni pwr kwtw vwnd e kwtw popull tw terrorizuar nw 25 vitet e fundit.Mirw qw kemi njw shumicw tw majtw, qoftw dhe fiktive aktualisht, se do na kish marrw ;deri fshirw “LUMI” i antishqiptarizmws aktuale.
Le ta thonw fjalwn e tyrw,kushdo qw e quan veten shqiptarw tw vwrtetw,si Ju, i miri Moikom Zeqo.
Paci shwndet e prodhimtari me vlerw, e kwto shkrimet e fundit pwrgjithwsuese.
I duhet ;”MOJKOM ZEQO me shokw”,pwr kohwn qw po pwrjeton vwndi ynw..
Dashamirwsi D…
Moikom Zeqo i duhet edhe sot e mot Partise Socialiste!
Moikomi e shikon te verteten ne sy dhe e analizon sic di ta bej ai. Nje falenderim i madh nga te gjithe dashamiresit e mbrothesise se Shqiperise tone.
Moikom Zeqo, figure e ndritur e kombit. Moikom Zeqo figure e ndritur e PS, te cilin PS kur erdhi ne pushtet e la te braktisur, kur dihej qe Sala e flaku ne rruge per pikpamje politike.
Bravo te qofte, o Moikom, qe nuk ndalesh ne mendimet e tua korrekte e te sinqerta.
Nje popull i tere te do e te vlereson.
Te lumte o Moikom, qe nuk rresht se shkruari. Keto te verteta duhet t’i dijne brezat, se PS me ata qe i kane mbetur nuk ka me se cfare te transmetoje. Nuk e kam menduar kurre qe Gramoz Ruci do te jetonte kaq shume gjate ne krye te Partise.