Prof. Fatos Tarifa
Ky libër është i veçantë. Ky libër është i vërtetë. Ky libër është i dobishëm. I veçantë, i vërtetë dhe i dobishëm për shumë arsye – mbi të gjitha për lëndën që ai trajton. Por edhe për një arsye tjetër, shumë të rëndësishme, e cila ka të bëjë me autorin që ia bën dhuratë këtë libër publikut shqiptar këtej dhe andej kufirit.
Ksenofon Krisafi është një emër shumë i njohur në jurisprudencën dhe në diplomacinë shqiptare. Pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe mikut tonë të çmuar Arben Puto, Krisafi mbetet njohësi më i mirë i historisë diplomatike të shtetit shqiptar dhe eksperti më i shquar i së drejtës ndërkombëtare në këtë vend. Por, përtej akademisë, ai është, gjithashtu, një ndër diplomatët shqiptarë më të shquar në këta dyzet vitet e fundit. Unë, pa asnjë hezitim, do ta cilësoja atë si Dekanin e diplomatëve shqiptarë.
Cilësive të mësipërme do t’u shtoja edhe një tjetër, që me shumë kursim do e rezervoja për pak studiues, ekspertë ose diplomatë të tjerë. Ksenofon Krisafi është, veç të tjerash, edhe një intelektual i angazhuar. Zëri i tij është dëgjuar në publik me shumë respekt sa herë është dashur të mbrohen çështje publike të rëndësishme dhe interesat e mëdha të kombit.
Të gjitha këto kualifikime shpjegojnë atë që thashë më sipër, se ky libër është i veçantë, i vërtetë dhe i dobishëm edhe për shkak të autorit që e ka shkruar atë.
Për të vlerësuar veçanësinë, vërtetësinë dhe dobinë e një libri si ky, ashtu si dhe të çdo libri tjetër të kësaj natyre, ngjarjet e përshkruara, protagonistët e tyre, personazhet që lëvizin në to, si dhe analizat e përfundimet në të cilat arrihet – të gjitha këto duhen vendosur në kontekst historik, pra në kohën dhe në hapësirën e tyre. Ky parim i rëndësishëm metodologjik jo vetëm i ka dhënë këtij libri një vijueshmëri e kompaktësi analitike të natyrshme, por edhe i ka mundësuar autorit një shtjellim logjik të lëndës dhe përfundime të argumentuara shumë mirë, vlera e të cilave nuk mund të mohohet.
Libri që mbani në dorë është një tjetër dëshmi e përvojës shumë të pasur akademike e profesionale të Profesor Krisafit në disa fusha njëherësh – në fushën e historisë së shtetit, të së drejtës e të diplomacisë shqiptare, në atë të së drejtës ndërkombëtare e të marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe në fushën e diplomacisë dy- dhe shumëpalëshe.
Rasti (ndoshta si një shprehje e domosdoshmërisë) e solli që Profesor Krisafi t’i shërbente Shqipërisë si përfaqësuesi i saj më i lartë diplomatik në një sërë organizatash ndërkombëtare (pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara), me qendër në Gjenevë. Në këtë pozitë, ky diplomat i klasit të parë i shërbeu gjithashtu edhe Kosovës, në një kohë kur populli i saj luftonte për lirinë e vendit të vet nga shtypja serbe dhe për shtetin e vet të pavarur. Krisafi u gjend në kohën e duhur dhe në vendin e duhur për t’i dhënë çështjes së lirisë e të pavarësisë së Kosovës mbështetjen e duhur diplomatike në atë qytet ku gëlon diplomacia shumëpalëshe më e dendur në tërë planetin tonë. Dhe këtë diplomaci ai ka ditur ta bëjë dhe e ka bërë si askush tjetër në radhët e diplomatëve shqiptarë.
Në rolin e ambasadorit që drejtonte misionin diplomatik të Shqipërisë në Gjenevë, Profesor Krisafi ka qenë personalisht i angazhuar në një veprimtari diplomatike të dendur e intensive që i ka shërbyer njohjes dhe mbrojtjes së çështjes së Kosovës. Por, në dallim nga shumica e autorëve shqiptarë, që deri më sot, me shumë zell, por për asnjë meritë të veçantë, kanë hedhur në treg kujtimet e tyre mbi bëma të qena e të paqena, duke dashur t’i ngrenë kult vetes së tyre, Krisafi, në këtë libër, ngre vetëm një kult – Kosovën. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë kryefjala e librit dhe substanca e tij. Kosova është motivi nxitës për të shkruar e botuar këtë vëllim, por edhe një pasion i vjetër i autorit, si historian dhe diplomat, për të njohur jo vetëm gjeografinë e kësaj pjese të trojeve shqiptare, të lëna padrejtësisht jashtë kufijve shtetërorë të shtetit amë, por edhe historinë, kulturën dhe traditat e popullit të saj liridashës e të talentuar.
Modestia me të cilën autori e përfshin veten në narrativën e tij është për t’u admiruar. Ai është jo thjesht rrëfenjësi, por një vëzhgues dhe analist i mprehtë i ngjarjeve dhe i dukurive, siç është, gjithashtu, si pak të tjerë, diplomati që i njeh, i vlerëson dhe i shpjegon qartë raportet e ndërlikuara mes konteksteve lokalë dhe atyre rajonalë e ndërkombëtarë në historinë e Kosovës së shekullit të 20-të dhe, sidomos, të dy dekadave të fundit të atij shekulli; kushtëzimet historike e ideologjike të perceptimeve mbi ngjarjet në Kosovë dhe pashmangësinë objektive të pavarësisë së saj, si e vetmja zgjidhje realiste në kushtet e katrahurës post-jugosllave; si dhe skizmën e krijuar në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare mes parimit westfalian të pacenueshmërisë së sovranitetit kombëtar dhe parimit tashmë universalisht të njohur të së drejtës së popujve për vetëvendosje.
Çështje të tilla përbëjnë kornizën teorike në të cilën Krisafi vendos dhe analizon periudha e ngjarje konkrete – nga periudha e hershme e zgjedhës serbe në Kosovë, te zgjimi i aspiratës së rinisë kosovare për ta bërë Kosovën Republikë në fillimin e viteve 1980, te shtypja e dhunshme e kësaj aspirate dhe mohimi i çdo të drejte të popullit kosovar në periudhën para dhe gjatë sundimit të Millosheviçit, te reprezaljet dhe gjenocidi serb në Kosovë që i dhanë shkas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe legjitimitet të plotë veprimtarisë së saj dhe ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për çlirimin e Kosovës, te mbështetja ndërkombëtare për shpalljen dhe njohjen e Kosovës si një shtet sovran e i pavarur e deri më sot.
Të gjitha këto shihen e vlerësohen nga një pozicion në të cilin pak njerëzve u është dhënë mundësia të vëzhgojnë, si Krisafi, dhe nga një këndvështrim historik e teorik që shumë analistëve të tjerë që janë marrë e merren me Kosovën u ka munguar. Kjo pikërisht e bën këtë libër të veçantë, të vërtetë e të dobishëm. Dhe unë besoj se këtë bindje do të krijoni edhe ju, të nderuar lexues, që e keni marrë atë në dorë.
