“Reforma administrative e rëndësishme, shkollë për komisionerët zgjedhorë”

redaktor

Në intervistën e parë televizive, që pas marrjes së detyrës si Ambasador i OSBE-se në Tiranë, Florian Rauning, rrëfen për Top-Channel prioritet e 2014-ës. Ai thekson se reforma administrative duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe cilësore, ndërsa OSBE do të shkollojë komisionerët e zgjedhjeve lokale të vitit 2015.
Ambasador Rauning, cilat janë prioritetet e misionit të OSBE-së për vitin 2014?
OSBE-ja vijon me këmbëngulje të jetë partnere e Shqipërisë. Partner do të thotë një partner i sinqertë, por një partner edhe mik i vendit, që do të thotë një bashkëpunim i ngushtë me institucionet kryesore të vendit, si qeveria, Kuvendi, shoqëria, civile, opozita. Ne po vazhdojmë në këtë mënyrë siç kemi punuar deri tan – partnerë të sinqertë të Shqipërisë.
Ku do të fokusohet puna juaj gjatë 2014-s, në cilat fusha?
Fokusi do të jetë te puna me Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që të afrohen më shumë deputetët me popullin, me votuesit. Do të jetë punë me mediat: liria, pavarësia e mediave, përfshirë edhe mbështetje për reformën e transmetuesit publik. Do të jetë edhe vazhdim i reformës së sektorit ligjor për të siguruar një sistem ligjor sa më cilësor. Po ashtu, edhe te shoqërimi i reformës administrativo-territoriale.
Meqenëse jemi te reforma administrative, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të qeverisë përsa i përket kësaj reforme, aq më tepër që OSBE-ja, nëpërmjet një eksperti, ka asistuar deri tani në këtë proces?
Është një reformë shumë e rëndësishme, është një reformë themelore për Shqipërinë, prandaj OSBE-ja në Shqipëri e çmon faktin që qeveria ka nisur këtë proces të nevojshëm. Kuptohet që ky është një proces apo reformë kombëtare, në kuptim jo vetëm gjeografik, por edhe në kuptimin që çdo aktor, apo çdo institucion, çdo sektor i shoqërisë së vendit që preket nga kjo reformë, duhet të jetë i përfshirë në aksionet e reformës. OSBE-ja, si edhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë në vend, është gati ta shoqërojë këtë proces.
Z. Ambasador, tashmë ka një debat se kush duhet të ketë rol parësor në kryerjen e kësaj reforme qeveria apo parlamenti. Sipas OSBE-së, kush duhet ta ketë këtë rol?
Është një pyetje e mirë, por edhe e vështirë për t’u përgjigjur. Siç e kam thënë, është një proces që duhet të jetë sa më përfshirës që ka mundësi, por kuptohet që edhe duhet të ketë një lider procesi, një motor procesi. Si do të bien dakord të gjithë aktorët, është pyetje tjetër. Ndoshta është pikënisja e parë që të gjithë aktorët, të gjithë sektorët e prekur të merren vesh për strukturën e procesit. Ne jemi gati të asistojmë, por nuk i imponojmë diçka Shqipërisë, kjo është e qartë.
Deri në zgjedhjet lokale të 2015-s, sipas jush, a është kohë e mjaftueshme për ta përmbyllur këtë reformë?
Unë mendoj se është mirë të kesh afate për një projekt, sidomos për një projekt ku janë përfshirë disa hapa. Nga ana tjetër, për mua, më e rëndësishme se shpejtësia është cilësia. Cilësia, transparenca dhe besueshmëria e procesit dhe e rezultatit në fund. Afatet, mirë, por mos të harrojmë cilësinë e rezultatit. Kjo është më e rëndësishmja, që të gjithë aktorët në fund të jenë dakord me këtë proces.
Pas zgjedhjeve të qershorit 2013, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it ka lënë më shumë se 30 rekomandime. Sipas jush, kur duhet të nisë nga puna për ta rishikuar përsëri kodin zgjedhor, pasi mbeten diçka më pak se 15 muaj nga zgjedhjet lokale të 2015-s?
Është e drejtë që janë këto rekomandime. Unë përshëndes qeverinë që ka thënë se do të zbatojë plotësisht rekomandimet e ODIHR-it për reformën zgjedhore. Ne do ta shoqërojmë këtë proces, siç e ka bërë OSBE-ja dhe ODIHR-i tradicionalisht në Shqipëri. Ne do të punojmë në dy fusha: fusha e parë është prapë përmirësimi i procesit zgjedhor; fusha e dytë është profesionalizimi i komisionerëve dhe njerëzve që punojnë në procesin zgjedhor. Për shembull, bashkë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me Këshillin e Evropës, kemi një projekt-program që të ngremë shkollat për komisionerë zgjedhorë. Kuptohet që nuk duhet humbur kohë e të punohet për këtë reformë, për zbatimin e rekomandimeve. Masat që ju shpjegova tani janë nisur dhe jemi duke punuar për këto projekte.

Intervistoi:Muhamed Veliu

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *