Zhvillimi i kërkimit shkencor në universitetet shqiptare është një proces tërësisht i dështuar. Kjo jo vetëm prej mungesës së fondeve që nevojiten, por edhe për shkak të mbingarkesës së pedagogëve të cilët shpenzojnë më pak kohë për zhvillimin e kërkimeve. Përballë reformës së shtruar akademikët kërkojnë që 14 institutet e shkëputura disa vite më parë t’i kthehen sërish Akademisë së Shkencave. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Medies dhe Arsimit, ekspertët e akademisë kanë ngritur shqetësimin se puna e bërë deri më sot nga këto institucione ka dështuar dhe është shumë larg parametrave që duhet të ketë studimi shkencor. Sipas tyre me zbatimin e reformës së re ne arsimin e lartë, duhet që të vihen kritere të qarta, ku të përcaktohen mirë kushtet për pedagogët që duhet të merren me mësim në auditorë, dhe të atyre që do të ndjekin vijimin e studimeve të ndryshme mbi kërkimin shkencor. Kreu i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti thekson se po diskutohet mundësia që këto institute të rikthehen pranë akademisë. “Reforma e viteve 2006-2007 e shkëputjes së instituteve nga sistemi i akademisë ka qenë pa rezultat, nuk e ka justifikuar veten dhe mendohet, në variantin e paraqitur, të kthehet në linjën themelore struktura që ka qenë në vitin 2005- 2006. Domethënë, Akademia e Shkencave të jetë me institute të dy seksioneve, seksioni të shkencave natyrore dhe atyre shoqërore. Kjo ndarje, kjo punë pedagogjike, shkencore na ka lënë pa punë të mirë shkencore, por nuk mund të mohojmë se ka siguruar një punë të mirë pedagogjike”, ka deklaruar Korkuti. Me ndërhyrjet ligjore të zbatuara rreth 8 vite më parë u bë e mundur që Institutet e Shkencave Albanologjike të grumbulloheshin në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Ndërkohë që pjesa tjetër e institucioneve të shkencave teknike e natyrore u tjetërsuan dhe u përfshinë në universitete. Kjo reformë u shoqërua edhe me shkurtime të punonjësve, si dhe me përgjysmim të fondeve. Ndërsa akademikët mbi 75 vjeç duhej të dilnin në pension, dhe të shkëputeshin nga kërkimi shkencor.
