Vlerësimi i aftësisë së kufizuar pranë qendrave shëndetësore tashmë po shtrihet edhe në rrethe. Pas Tiranës, Durrësi është qarku i dytë që ka nisur të aplikojë skemën e re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, ku me ngritjen e komisioneve multidisiplinore që përmbyllin ciklin e vlerësimit bio-psiko-social të personave me aftësi ndryshe pranë qendrave shëndetësore të përcaktuara, do të bëhet i mundur vlerësimi i shkallës së aftësisë së kufizuar, për të përcaktuar për çdo individ masën e mbështetjes financiare, si dhe shërbimet e tjera të nevojshme shëndetësore.
Skema e re do të shmangë burokracitë dhe sorollatjet nëpër shumë dyer per personat me aftësi ndryshe sikundër ka ndodhur më herët, teksa nga ana tjetër me vlerësimin e ri bio-psiko-social, çdo individ do të mbështetet financiarisht sipas shkallës së sëmundjes dhe kompleksitetit të saj, gjë e cila përcaktohet nga komisionet e dedikuara.
Pjesë e ndihmës financiare për aftësinë e kufizuar për herë të parë do të jenë edhe fëmijët e moshës 0-2 vjeç. Konkfirmimet janë bërë gjatë ditës së djeshme nga vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli, teksa ishte e pranishme në pikën e vlerësimit të hapur në qendrën shëndetësore të Krujës.
“Për qarkun e Durrësit, ka nisur zbatimi i kësaj reforme dhe janë ngritur 2 komisione në Qendrën Shëndetësore nr. 2 në Durrës dhe 1 komision në Qendrën Shëndetësore Krujë. Paralelisht po punohet për aplikimin e kësaj skeme të re në qarkun e Elbasanit, ku zbatimi do të nisë nga muaji tetor, si dhe do të vijohet me shtrirjen edhe në 4 qarqe të tjera të vendit Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Lezhë brenda 300 ditëve të para të mandatit të tretë të qeverisë, për të vijuar më pas edhe me shtrirjen në nivel kombëtar”, ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme ministrja Manastirliu.
Falë ekipeve multidisiplinore me mjekë e punonjës socialë, kryhet vlerësimi shëndetësor dhe social në pikën e dedikuar brenda qendrës shëndetësore, duke lehtësuar kohët e pritjes, sorollatjet e burokracitë dhe duke rritur transparencën në sistem.
“Në qendrën shëndetësore këtu në Krujë ne kemi krijuar ambientet e përshtatshme, edhe me stafin e dedikuar të Shërbimit Social Shtetëror dhe të Shëndetësisë, për të krijuar këtë mekanizëm kaq shumë të rëndësishëm, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të cilët vuajnë nga probleme shëndetësore, por mbi të gjitha dhe për t’i dhënë atij që i takon, aq sa i takon, në raport me ndihmën që i jep shteti. Pra për të ulur çdo abuzivitet, për të ulur burokracitë dhe për të rritur kështu transparencën”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.
Përfitimi financiar për fëmijët 0-2 vjeç
Mbështetja financiare do të përfshijë edhe fëmijët me aftësi ndryshe të grupmoshës 0-2 vjeç. Përfitimet për këtë kategori do të ofrohen jo vetëm si ndihmë financiare, por tashmë edhe si një paketë e mirëfilltë shërbimesh.
“Një ndër risitë e kësaj reforme është mbështetja për fëmijët 0-2 vjeç dhe që nuk ka qenë më parë. Ende nuk është shtrirë në të gjitha qarqet sepse reforma aktualisht po shtrihet në mënyrë graduale. që edhe të mësojmë nga shtrirja e saj, që të përmirësohemi nga shtrirja e kësaj reforme në strukturat e tjera. Por vlerësimi i fëmijëve 0-2 vjeç dhe në tërësi i fëmijëve 0-18 vjeç është përmirësuar dhe ka sjellë rezultate, që fëmijët të cilët nuk ishin mbështetur me pagesa të aftësisë ndryshe, tashmë kanë filluar të mbështeten”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.
Duke theksuar se skema e mbështetjes së personave me aftësi ndryshe, është jo vetëm ndihmë financiare, por tashmë një paketë e mirëfilltë shërbimesh, Manastirliu tha se janë mbi 160 mijë persona në nevojë që mbështeten nga shteti. “Deri më sot ne kemi mbështetur dhe vijojmë të mbështesim mbi 160 mijë persona. 75 mijë prej të cilëve janë persona me aftësi ndryshe. 72 mijë janë persona të cilët janë invalidizuar në punë dhe rreth 18 mijë janë ndihmës apo kujdestarë të personave të cilët kanë problematika të thelluara shëndetësore”, tha më tej ministrja Manastirliu.
Vlerësimi i aftësisë së kufizuar aktualisht po realizohet në bazë të kritereve të reja, me komisione multidisiplinare, të cilat kanë në përbërje figura profesionale mjekë dhe punonjës social. Personeli është staf i Shërbimit Social Shtetëror dhe për të ofruar një shërbim sa më pranë qytetarit, pa sorollatje nga një institucion në tjetrin, këto komisione janë vendosur pranë qendrave shëndetësore, duke ndërthurur për herë të parë shërbimet socio-shëndetësore. Kjo reformë, reflekton praktikën bashkëkohore ndërkombëtare dhe vjen në përputhje me standardet e OBSH-së, Konventën e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksioneve.
