Për reformën në drejtësi dhe arsim (INTERVISTA)

redaktor

Departamenti i Shtetit para ca kohësh foli për luftën ndaj korrupsionit duke theksuar se “korrupsioni në Shqipëri është në të gjitha nivelet e qeverisjes”. Më drejtpërdrejt nuk ka si thuhet. Ambasadori britanik në Tiranë skajshëm tha se Gjyqësori në Shqipëri është i korruptuar, madje deklaroi edhe shifrën prej 100 gjyqtarësh të inkriminuar të sektorit të Drejtësisë. Këto konstatime janë vërtet alarmante dhe shqetësuese – thotë Moikom Zeqo në këtë intervistë në Dita.

Maxhoranca e majtë ka kohë që përgatitet për një reformë në Drejtësi. Edhe nga maxhoranca edhe nga opozita flitet për dekriminalizimin e Politikës, të Ekonomisë dhe vetëkuptohet edhe të Gjyqësorit.

Ky dekriminalizim është i pashmangshëm. Reforma në Drejtësi është më shumë se jetike- mendon prof.Zeqo.

 

– Pse e theksoni këtë?

– Sepse politika në mënyrë të thjeshtëzuar nuk është gjë tjetër veçse veprimtari progresive reformash. Subjekti politik mund të përshpejtojë, ose mund të ngadalësojë reformën. Klasa politike shqiptare këto 25 vjet ka ngadalësuar reformat e vërteta. Më shpesh janë bërë pseudo reforma. Janë konceptuar reforma të cilat janë lënë përgjysmë. Më shpesh është bërë buja dhe spektakli i reformave sesa vetë substanca e reformave. Tani jemi në pikën kur nuk mund të përfitojmë nga asnjë alibi. Prandaj unë e përshëndes dhe dua të besoj sinqerisht që reforma në Drejtësi do të bëjë një kthesë të re të politikës shqiptare. Kjo kthesë e re do të jetë një premisë për emancipim politik.

 

– Nga ana e tij Kryeministri Rama ka deklaruar se në vjeshtë pritet një tërmet të vërtet në drejtësi, duke paralajmëruar një reformë të thellë. Sa jeni optimist se kjo do të ndodhë?

– Po, është e vërtetë, Rama ka folur për një tërmet në drejtësi -është fjala për një rikonceptualizim adekuat, kushtetues të Drejtësisë. Por reforma në Drejtësi është shumë e ndërlikuar. Koncepti i reformës në drejtësi ka karakter universal. Kjo do të thotë që nuk mund të ketë një reformë reale në Drejtësi pa bërë një reformë kushtetuese të thellë. Ndryshimet e marrëzishme kushtetuese të vitit 2008 kanë ende peng politikën e sotme shqiptare. Nuk duhet nguruar dhe as vonuar për të saktësuar kushtetutshmërinë deri në fund. Sipas Kushtetutës tre janë pushtetet e mëdha: pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor. Pushteti gjyqësor në shumë kuptime është gati garantues edhe për pushtetet e tjera. A e kemi ne këtë konceptim të gjërave? A mund të jetë reforma në Drejtësi vetëm rikonstruktim nomenklaturash dhe njerëzish? A mund të jetë diçka mekanike? Padyshim që “gjyqtarët e plepave” nuk duhet të kenë vend në Drejtësi. Padyshim që duhet fuqizuar magjistratura shqiptare. Padyshim që prokuroria dhe gjykata në të gjitha nivelet duhet t’i afrohen nocioneve adekuate, pra të vërteta. Reforma të tilla të mëdha si reforma në Drejtësi kërkojnë një ekip njerëzish shumë të ditur konstitucionalistë, juristë etj., të cilët do ta interpretojnë reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi kërkon që cilësia e deputetëve shqiptarë në Parlament të jetë e një niveli të lartë dhe jo e një niveli mediokër, siç është përgjithësisht. Reforma në Drejtësi nuk është një çështje votimi. Ndonëse numrat dhe vullneti politik kanë rëndësi, reforma në Drejtësi është një çështje konceptualizimi madhor. Në qytetërimin juridik drejtësia parakupton dhe jetëson ekuilibrin social. Por reforma në Drejtësi është e shumëfishtë. Nuk mund të ketë një reformë strategjike dhe afatgjatë në drejtësi pa elementet e tërë shoqërisë në përputhje me këtë reformë.

 

– Ju, Moikom, kini një dozë skepticizmi të shfaqur në këtë arsyetim që bëni për reformën në drejtësi. Pse jeni i tillë?

Në veprën e tij të famshme “Fryma e ligjeve” (që Hegeli e ka quajtur “libër të mrekullueshëm”) gjeniu Monteskje thotë se reformat ligjore janë sa më adekuate me ligjin natyror pozitiv. Se, “ligjet civile dhe politike të çdo kombi duhet të jenë raste të veçanta të zbatimit universal, realitet të arsyes njerëzore”. Ndryshe, në vend të reformave do të kemi “iluzione juridike”. Reforma në Drejtësi nuk është thjesht juridike, pot është thelbësisht sociale. Kriminaliteti është një fakt endemik në kapitalizëm. Ai nuk mund të luftohet deri sa nuk mund të zgjidhet problemi i pabarazisë sociale dhe i papunësisë së lartë. Ligji është kufizimi i krimit. Por krimi burimësohet në shoqëri pa pushim. Është i pandalshëm. Por kjo nuk është një gjë fatalisht e pazgjidhshme. Në sociologji flitet për profilaksinë kundër krimit. Dikur Viktor Hygo ka thënë një frazë lapidare “ku ngrihet një shkollë, mbyllet një burg”. Krimi nuk mund të zhduket siç mendojnë disa njerëz patetikë dhe me dituri sipërfaqësore në rikthimin “e dënimit me vdekje”. Pra reforma e Drejtësisë konceptualisht është një reformë e vetëdijes, e edukimit, e arsimimit dhe e fuqizimit të indit social. Një formë e e fshehtë dhe virtuale e kriminalizimit është korrupsioni. Korrupsioni nuk i takon vetëm niveleve të larta të pushtetarëve, ndonëse tek ata është me përmasa të mëdha. Korrupsioni i takon edhe shtresave të tjera të kombit dhe përgjithësisht edhe gjeneratave të reja. Ja pra pse thashë që në fillim se reforma në Drejtësi është e ndërlikuar. Por është krejt e vërtetë që vullneti politik për reformën në Drejtësi është një pozitivizëm i madh.

 

– Mendoni se reforma në Drejtësi është një nga sfidat më të mëdha aktuale të shoqërisë shqiptare?

– Pa asnjë dyshim. Patriarku i sociologjisë Anthony Giddens ka shkruar se “raportet midis objektives dhe subjektives në shoqëri nuk krijojnë dy botë intelektualisht të ndara prej njëra-tjetrës. Progresi në fushën e mendimit vjen nga dialogu i vazhdueshëm, jo nga paragjykimet që janë njësoj dhe i ndajnë palët me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë subjekti politik mund të sendërtohet si objekt politik”. Reforma në Drejtësi është sfida e Shqipërisë së ardhshme. Të mos harrojmë se pasojat e qeverisjes së mëparshme berishiste janë të llahtarshme. Trashëgojmë në pikëpamje të drejtësisë një gjë të rëndë dhe të paimagjinueshme. Rama ka të drejtë kur flet për tërmet. Por afati i këtij tërmeti, -ndoshta gaboj-, është të paktën 20 vjet. Si intelektual dhe njeri i letrave e mbështes reformën në Drejtësi. Kjo reformë në Drejtësi i përket të gjithë palëve të klasës politike shqiptare. Të tëra elektorateve. Të tërë përfaqësuesve të zgjedhur. Të gjitha çështjeve. Të gjitha fushave.

Në mbarim të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit ju kini deklaruar se kjo mazhorancë nuk ka më alibi për punët që do të bëjë ose nuk do të bëjë në të ardhmen, për shkak të një pushteti të madh që ka grumbulluar nga baza deri në qendër. Pse duhet të frikësohemi nga kjo?

– Fakti që maxhoranca e sotme është shumë e madhe në pushtetin legjislativ, ekzekutiv por edhe atë vendor nuk është një fakt për të qenë të ndrojtur dhe të frikësuar. Në një kuptim të veçantë kjo maxhorancë i ka të gjitha atributet dhe kushtet për t’i bërë ndryshimet e mëdha konceptuale dhe reformat. Askush përpara saj nuk ka patur këtë mundësi. Kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme. Kjo është një e vërtetë e qartë. Por maxhoranca në demokraci nuk mund të jetë pa marrëdhënie komplementare të opozitës. Opozita natyrisht me frymën e saj të debatit prapë nuk mund të konceptohet si diçka tërësisht dhe arkaikisht antagoniste. Në shumë pika, përtej kundërshtimeve, maxhoranca dhe opozita duhet të reflektojnë në të njëjtat projekte të mëdha për reformat. Pse e them këtë? Më duket një miopi e madhe dhe një plogështi konceptuale fakti që opozita përveç disa deklaratave virtuale ose edhe të vullnetit të saj për dekriminalizimin, përgjithësisht ka një optikë negativiste të plotë. Kjo nuk duhet të ndodhë. Kjo nuk i shërben as vetë opozitës. Kam ndjekur me kujdes dhe për një kohë shumë të gjatë reformën për arsimin. Mendoj se reforma e arsimit është një reformë shumë e rëndësishme. Do të kisha dashur që debati për reformën në arsim të ishte substancial edhe nga opozita. Por në shumicën e rasteve ka qenë një pseudo debat dhe kjo gjë të trishton. Nga ana tjetër reforma e arsimit është e vonuar. Është e vërtetë që maxhoranca e ka të lehtë për ta votuar, por ka bërë mirë që nuk është ngutur. Ata që mendojnë se reforma e arsimit do të jetë një farë shkopi magjik për të ndryshuar progresivisht arsimin e lartë universitar në Shqipëri, gabohen dhe nuk kuptojnë asgjë. Kjo reformë jetike jep rezultatet e saj të paktën për 20 vjet.

 

– Pra, ju shpreheni dyshues për këtë reformë?

– Më shqetëson fakti që edhe deputetët e të gjithë krahëve në Kuvend janë nën nivelin konceptual të kësaj reforme, aq më tepër që një numër i madh u këtyre deputetëve janë të shkolluar në mënyrë të mjerueshme dhe posedojnë diploma universitare të blera. E kam dhe një shqetësim tjetër. Reforma e arsimit të lartë ka të bëjë me përmbajtjen shpirtërore dhe edukative të kombit. Kjo reformë përveç aspekteve teknike dhe të raporteve juridike do t’i jepte një rëndësi më të madhe brendisë së programit të kulturës kombëtare, të albanologjisë, të gjuhës shqipe, sepse shoh që si në universitetet publike dhe në ato private nuk është detyrimi i përcaktuar qartë në ligj për këtë brendi që në fund të fundit ka të bëjë me identitetin kombëtar, me fuqizimin apo me zbehjen e këtij identiteti. Nga ana tjetër niveli i Profesoriatit si në universitetet publike dhe në universitetet private lë për të dëshiruar, sepse në këtë Profesioriat në përgjithësi mungojnë personalitetet e mëdha kulturore dhe universitare për të qenë shëmbëlltyra frymëzuese të edukimit kombëtar, të ndërlidhur me kulturën universitare. Ata që do të bëjnë implementimin e reformës arsimore duhet të jenë njerëzit më të zotë të Shqipërisë. Po nuk besoj se Shqipëria ka kaq shumë njerëz të zotë në pikëpamjen që theksova më sipër. Ata që nuk duan të mos ligjërohet reforma arsimore janë akoma më të prapambetur dhe të vetëpërjashtuar nga zhvillimi strategjik i arsimit.

 

 *******

Intervista e plotë mund të lexohet në DITA print. Intervistoi Xhevdet Shehu

Share This Article
5 Comments
  • interviste pse se qave ky ruhet nga te dy krahet ase mish ase peshk
    po qysh drejtonmire mazhornca me pushtet ekzekutiv e legjislatin zwqo ka mall per enverin monizem

  • Megalloman qe zvarritet mbas pushteteve , gjithmone i tille ka qene, ben sikur te shan dhe te levdon ben sikur te levdon dhe padashur te shan, pa shtylle kurrizore, servil per te marre ndonje post. KAQ

    Kush merr persiper te shkruaje apo te jape nje interviste duhet te mendohet mire se cfare do qe te thote.
    Nese zbaton parim “fol por mos thuaj gje” ky eshte mjeshter.
    Prandaj populli shqiptar eshte pa fat se ata qe e mendojne veten elite i kpusin nje citat hegelian dhe e kane marre pasaporten per “intelktuhale”.
    Vdes ne vend po ka lexuar nje rrjejsht nga reforma e arsimit dhe as nuk e ka idene ku synon kjo reforme, eshte nje “peshk curilash” i marre ne interviste te porositur nga njerez qe nuk kane lidhje fare me reformat qe po diskuton.
    Ne ka ndonje gje per te thene aeshte ngritur ndonjehere me ndonje grup miq e qytetare qe ti kete bere per vete e te luftoje qe mos lejoje qe te beheshin ndertime ne amfiteatrin e Durresit? Jo .BEJ FRESK QEVERISE SE MBASE TE KAP DHEMBI NDONJE GJE.
    Ata mund te quhen qytetare civile dhe elite., TI jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *