Një ditë pas takimit me konstitucionalistë, eksperte ligjore dhe akademikë lidhur me procesin ligjor të shqyrtimit dhe të përzgjedhjes me anë të shortit të kandidaturave për anëtarët e ardhshëm të Këshillit e Emërimeve të Drejtësisë, kreu i Shtetit Bujar Nishani zhvilloi sot konsulta me përfaqësues të partive parlamentare.
Në takim morën pjesë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama si dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca thuhet se në takim, Presidenti Nishani vuri në dukje “domosdoshmërinë e zhvillimit të një procesi përzgjedhjeje me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sa më të mirë të mundshëm”.
Kushtetuta e re hyn në fuqi më datë 11 gusht dhe Presidenti ka pesë ditë kohë, pra deri më datë 16 gusht që të organizojë përzgjedhjen me short të anëtarëve të Këshilli të Emërimeve.
