Transporti publik nderqytetas do t’i nënshtrohet reformimit dhe për këtë ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, prezantoi draftin, i cili synon të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Synimi i kësaj reforme është që t’u ofrojë qytetarëve një cilësi më të madhe të transportit ndërqytetas. Shërbimi që ofrohet sot është shumë larg nga ajo cilësi që duhet të ofrohet. Janë mbi 467 linja që operojnë sot në Shqipëri. Ka një mbivendosje të jashtëzakonshme të tyre. Kjo sjell shpenzime të mëdha të panevojshme. Shihen përpjekje për të mbijetuar në treg. Konkurrencë të pandershme që reflektohet me evazion dhe paaftësinë e operatorëve për t’i rinovuar dhe reflektohet në cilësinë e dobët që ofrohet. Ekzistenca e kaq shumë linjave rrugore ka impaktin e vet dhe numri i aksidenteve rrugore ka qenë në shifra shumë të larta”, tha Haxhinasto.
Sipas tij, projekti i ri parashikon ristrukturim të linjave dhe një sistem të ri biletimi.
“Gjithë kjo parregullsi është reflektuar edhe në dëmin që u ndodh ju si operator. Ju mbi konsumoni në mënyrë të pa nevojshme 40% më shumë karburant. Edhe situata e kontrollit dhe menaxhimit të këtij sistemi është e pa qartë është konfuze ka përgjegjësi të ndara mes pushtetit vendor dhe qendror. Pra vendimmarrjet lokale bëhen në bazë të kërkesave lokale por nuk bëhet në bazë të kërkesave kombëtare. Sistemi duhet të ketë harmoni. Një nga arsyet pse duhet të ecim para me reformën territoriale është edhe kjo”, nënvizoi ministri.
