Reforma shëndetësore dhe trashëgimia e inercisë së sistemit

anazapta

Vërehet një pasion mediatik për t’iu kundërvënë investimit qeverisës për reformën  shëndetësore. Disa episode që ndodhin në spitale, konflikte pacientë-mjekë, marrje ryshfetesh, cilësi e dobët ose vonesa të shërbimeve të urgjencës, aksidente prej pakujdesisë së shërbimit, u “vishen”  programeve reformuese të sistemit. Gati-gati lihet të kuptohet se këto difekte janë pasojë e Rilindjes. Episodet e mësipërme nuk mund të mohohen. Por a mund të eklipsojnë ato reformën shëndetësore që ka nisur? 

 

Episodet apo proceset reformuese?

Në mjekësi, përmasa e pasojave nuk është në korrelacion me shkallën e gabimit profesional dhe njerëzor.  Për të njëjtën shkallë gabimi, që në një sektor tjetër mund të kalojë pa u ndier, në mjekësi pasojat mund të jenë fatale. Në asnjë rast tjetër, beteja midis jetës dhe vdekjes nuk është kaq e varur prej sjelljes apo shërbimit të një individi.  Është kjo specifikë e profesionit që ka prodhuar betimin e Hipokratit, një imperativ prej parashikimit se mjekët do ta kishin gjithnjë e më të vështirë tu rezistonin tundimeve e gabimeve në mijëvjeçarët që do të vinin.  Këtu nuk kam ndër mend aspak të çliroj mjekët e pakujdesshëm nga përgjegjësitë, në disa raste ligjore, madje edhe penale. Për më tepër që një pjesë e tyre i kanë kundërqëndruar reformimit të sistemit. Por episodet nuk duhet të konsiderohen si tendencë. Ato duhet të vihen në balancë me prirjet reformuese të sistemit.

 

Dy sfidantë të reformës

Reformat shëndetësore në çdo vend ecin paralel me përpjekjet për “sabotimin”  e tyre.  Për shembull, reformën e Klintonit e bllokuan tre faktorë të përgjithshëm dhe një specifik. Të përgjithshmit qenë: i) shoqatat profesionale të mjekëve; ii) shoqëritë farmaceutike; iii) shoqëritë e sigurimit. Faktori specifik qe monopolizimi i reformës prej Hillarit dhe shmangia e institucioneve.  Ky faktor i fundit në Shqipëri është jashtë kontekstit pasi nuk kemi asnjë përpjekje për personalizim të reformës. Po kështu, as faktori i tretë nuk ka shfaqur ndonjë prirje kundërvënëse ndaj reformës.  Industria e sigurimit të shëndetit, duke qenë në një nivel modest, nuk është shfaqur si një protagonist i jetës publike dhe as i reformave në vend. Në fakt, do të ishte mirë të shfaqej sepse do të shërbente si një oponent i fortë, sidomos për mbrojtjen, sigurinë dhe shëndetin në punë, të cilat në Shqipëri janë në nivele mesjetare. Në Shqipëri, si sfidantët më të mëdhenj po konturohen shoqëritë farmaceutike dhe kultura mbizotëruese brenda sistemit, e cila ruan dhe shfaq një inerci të fortë dhe të dukshme kundër reformës.

 

Industria farmaceutike përballë formalizimit të tregut të barnave

Në perceptimin e publikut, reforma shëndetësore pothuajse po barazohet me konfliktin midis qeverisë (Ministrisë së Shëndetësisë) dhe kompanive farmaceutike.  Ky konflikt buron nga konflikti midis  qëllimit të kompanive farmaceutike (maksimizimi i fitimit) dhe parimit të qeverisjes (garantimi i shëndetit publik dhe aksesi në shërbimet mjekësore  i të gjithë qytetarëve, pavarësisht aftësive paguese). Palët në këtë konflikt i kanë bërë të qarta qëllimet e tyre: qeveria po krijon mekanizma për të ulur çmimet e barnave, kompanitë farmaceutike kërkojnë që ky objektiv i qeverisë  të  mos u prekë fitimet. Asnjë retorikë nuk mund ta fshehë këtë synim të sektorit privat. Në fund të fundit, kjo është filozofia e ekzistencës së tij. Pra, nga njëra anë  qeveria e trajton këtë çështje si një politikë shëndetësore e sociale, nga ana tjetër industria farmaceutike operon me parimet e sipërmarrjes. Në këtë “ndeshje” qeveria nuk mund të tërhiqet për katër arsye: i) qeveria do të tregohej e pasinqertë me politikat dhe premtimet e saj programore; ii) në partneritetin midis sektorit publik dhe privat,  ky i fundit  duhet të tregojë me prova përgjegjësinë për shërbimet ndaj publikut; iii) në kohën e sotme përgjegjesitë sociale të sipërmarrjes private janë një dukuri normale, të cilat për më tepër duhet të karakterizojë sipërmarrjet që operojnë në sektorë të lidhur me shëndetin publik apo shërbimet jetesore bazë për popullsinë;  iv) tërheqja e qeverisë do të ishte në dëm të interesave të pacientëve, pensionistëve, qytetarëve dhe publikut.

Industria farmaceutike në Shqipëri ndodhet para sfidës. Me sa duket, kësaj industrie po i merr më shumë kohë dhe energji përshtatja me filozofinë e reformës shëndetësore. Mospërshtatja, e shoqëruar me skepticizëm, pasqyrohet në reagimin ndaj formalizimit të tregut të barnave, evazioni i të cilit kishte krijuar anomali në tregëtimin dhe çmimet e tyre. Por formalizimi nuk duhet të përjetohet në mënyrë kapriçioze nga industria farmaceutike e cila mund të shkaktojë rritjen e çmimit të barnave, duke sabotuar haptazi  filozofinë dhe përmbajtjen e reformës shëndetësore. Ndoshta në fillim, formalizimi i tregut dhe lufta kundër evazionit fiskal dhe doganor, mund të shkaktojë rritje sporadike të çmimit të disa barnave, të cilat mund të kenë hyrë në Shqipëri ilegalisht. Por në perspektivë afatgjatë formalizimi do të shërbejë si garanti kryesor i uljes së qëndrueshme të çmimeve. Sa më shumë që tregu formalizohet, aq më shumë çmimet do të ulen, përjashtuar çmimet e barnave që kanë hyrë deri tani ilegalisht. Në klimën e një tregu të formalizuar, edhe ato do të fillojnë të ulen shumë shpejt.

 

Në fokus përgjegjësitë e qverisjes, jo inercia e sistemit

Zakonisht njerëzit i shumëfishojnë kritikat ndaj sistemit pas ndonjë vizite të rastit në spital. Zymtia e tyre, përzier me episodet e mësipërme që revokojnë ekranet, nuk mundet veçse ta shtojnë trishtimin. Prandaj, vargun e Majakovskit “…të mërzitshëm si spitalet…” le ta lemë në mërzinë tij. Mjekët janë dhe do të mbeten po ata, por që mentaliteti i tyre duhet të ndryshojë.  Spitalet janë po ato, por që kanë nevojë për një menaxhim tjetër. Vetë sistemi është përgjithësisht po ai, por në ndeshje me sfidat e ndryshimit. Prandaj do të ishte më konstruktive oponenca ndaj filozofisë, ritmeve dhe përmbajtjes së reformës sesa loja mediatike e mërzitshme me episodet. Të parat janë përgjegjësi e qeverisjes,  e dyta inerci e sistemit.

 

Share This Article
5 Comments
  • Te gjitha reformat qe ben qeveria jane te sukseshme dhe behen qe ne te jemi te lumtur.U lumturuam per ritjen e moshes se pensionit,per ngrirjen e rrogave dhe te pensioneve dhe akoma me shume kur na u plotesua deshira qe te ulet mosha e pensionit te politikaneve prandaj o Kosta mos na spjego asgje por hajt tja marrim kenges per Saliun,Edin dhe Floririn,Lum ju e l;um ne ,se te lumtur neve rrojme,te pangrene por krenare nga reforma ne reforme

  • Stela
    Cfare oponence tjeter kerkon zoti Barjaba per spitalet, kur ato si dje dhe sot jane ne gjendje te mjerueshme. Me fraza si keto qe nuk thone asgje, nuk mund te ndihmojne keto lloj shkrimesh qe u ngjajne premtimeve te qeveritareve te rilindjes. Njelloj si qeveria e PD-se dhe kalemxhijve te asaj apo kesaj race. Cdo kremje bishti, si vajisje per injetro. Mjaft me keto Barjaba.

  • Cfare reforme flisni??? Cfare mjekesi per te gjithe, pa lek, per me teper cilesore???? Ku e keni pare e degjuar ndonjehere? I vetmi produkt I kesaj reforms deri tani eshte nje pritshmeri shume e larte nga Ana e publikut, qe duke qene utopike, kthehet ne zhgenjim dhe pastaj zbrazet si urrejtje e percmim mbi personelin e shendetit, kryesisht mjeket….. Dhe mungesa e te medha ne logjistike e medikamente, I shtohet dhe lodhja, mungesa e pasionit dhe motivimit nga Ana e mjekeve…. Mjaft me sharje! Ky popull qe harxhon milliona qe nga kafet, gjykatat, taksat e rrugeve etj Mbeti duke permendur si korrupsion 2000 lekshin evjeter te infermiereve. Ne vend te respektit per njerezit qe punojne me 200 000 lek rroge, pas 30 vjetesh shkolle te mundimshme, neteve, ne mes infeksioneve, gjakrave e pislliqeve! Te pakten mos mbillni urrejtje, pa reforma eshte pare qe ne krye….

  • E kemi cuar retoriken ne menyre jetese, eshte cudi se si per popullate [te uritur!] nuk kemi nje numer masiv Filozofesh. Ne Cdo reforme Shqiptare te pretenduar e te diskutuar, nga cdo person/qeveri; ka vetem fjale. Fjale e asgje tjeter. Kerkohet te ndryshohen Mentaliteti, po si…me SMS? Cdo gje kerkon tranjime e investime te metejshme. Asgje nuk ndryshon me “deshiren e mire”

    Sa eshte buxheti i shtetit? Sa eshte x-% qe shpenzohet ne te per Shendetesine?
    Sa kushton nje (a) reforme radikale? (b) e pjeshme (c) kozmetike? Sa duhet per Siguracionet, Barnat e qofte dhe Bojen per te lyer spitalet. Po per aparaturat e analizat? Ku jane pare ndryshime pa invstime ne para?

    S’ka oponence ne “filozofi, ritme e permbajtje” sic kerkon autori; kur s’dihet permbajtja e as kostot.S’ka reforme-pa-para! Per me teper, shteti ka marre shume borxhe; e ne kthim te tyre ka thene; do kete Reforma [ i kushtezuar nga borxh-dhenesit] e me Reforma nje shtet kupton shkurtime ne Rend, Arsim e Shendetesi. Keto mund [e do te] beje shteti; ai s’puneson akrobate. Dhe sa me keq ti shkoje shlyerja e kesteve te borxhit nga keq-arritjet e mos-plotesimet e projektuara nga konsultantet nderkombetare, shume Shkurtime do te kete.

    A di njeri te flase me numra, investime e perqindje? Pasttaj themi, behet a s’behet. Sepse si behet e c’duhet bere; Shqiperia eshte plot me eksperte e retorikane, ku gjithmone punet lihet pergjysme qe pa filluar. Dhe 1/3-ta e fundit, e fjalise se meparshme, s’ka kuptim fare, por meqe jemi ne retorike s’besoj se ka probleme.

    Reforma ne Shendetsi…
    SA KUSHTON?

  • NUK MUND TE KETE ASNJEHERE SUKSES NJE REFORME NESE , NE SHENDETESI DO TE VENDOSEN INDIVIDE TE CILET NUK I LIDH ASGJE ME MANAZHIMIN , APO ME EKSPERIENCAT E FUSHES SE SHENDETESISE…
    DUKE FILLUAR QYSH NGA MINISTRIA E DERI NE TE GJITHA DREJTORITE E SPITALEVE NE TIRANE E RRETHE , JANE VENDOSUR TITULLARE TE PA AFTE E PA ASNJE PERVOJE MENAZHERIALE , MJAFTON QE JANE MIQ , SHOKE , FAMILJARE , OSE ME SAKTE PJESE E KLANIT MAFIOZ , ME KONTRIBUTE JO PARTIAKE POR TE KLANIT PER TE NXJERRE PERFITIME PERSONALE …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *