Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi ka vazhduar turin e konsultimeve publike për reformën territoriale duke u ndalur në Kukës. Gjatë takimit Ministri Çuçi theksoi se mbi 60% e komunave të Qarkut Kukës, janë totalisht të varura nga buxheti i shtetit dhe janë totalisht jashtë funksionit si njësi vendore të afta për të kryer shërbime. Shumica e këtyre shpenzimeve shkojnë për personelin pasi sipas të dhënave, administrata lokale në qarkun e Kukësit kushton 2 herë më shumë sesa administratat e tjera në rang vendi. Sipas përllogaritjeve të bëra nga grupi i ekspertëve, pas konsolidimit të njësive të qeverisjes vendore mbi bazën e reformës administrativo-territoriale, vetëm nga mirë administrimi i fondeve për personelin në 4 vjet mund të grumbullohen rreth 3 milionë USD si fonde shtesë që do të shkojnë për investime publike. Qarku i Kukësit ka 3 bashki dhe 24 komuna dhe më shumë se gjysma e këtyre komunave kanë më pak se 2000 banorë. Të tilla janë komuna e Bushtricës, Surrojit, Lekbibaj apo komuna Arrën me 462 banorë dhe komuna Kalis me 827 banorë, të cilat kanë humbur më shumë se gjysmën e popullsisë brenda dhjetë vjetësh. Përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore, drejtues të forcave politike, përfaqësues të sektorit privat dhe shoqërisë civile ishin të pranishëm në konsultimin publik ku u prezantuan kriteret teknike që do të përdoren për ndarjen e re adminsitrativo-territoriale.
Durrës, opozita nuk pranon të jetë pjesë e ndryshimit
Opozita nuk do të bëhet pjesë e diskutimit për reformën teritoriale. Kështu ka deklaruar prefekti i qarkut Durrës, Roland Xhelili, sipas të cilit kjo reformë pritet të japë një impakt pozitiv në menxhimin sa më të mirë të territorit. Miratimi i reformës territoriale po kundërshtohet nga forca e djathtë politike, ku pavarësisht thirrjes se maxhorancës, serish nuk po bëhet pjesë e kësaj reforme.
