Qeveria i ka kaluar 308 kilometër rrugë, pjesë të akseve nacionale dhe rurale në pronësi të bashkive të reja që janë krijuar sipas Reformës Territoriale.
Kjo do të thotë se këto rrugë janë nën kujdesin total të bashkive për rikonstruksion, mirëmbajtje dhe sinjalistikë.
Vendimi i qeverisë për këtë qëllim i cili ka hyrë sot në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare e ka bërë transferimin e pronësisë së rrugëve nga qeveria ndaj bashkive Berat, Elbasan, Korçë, Ura Vajgurore, Kuçovë dhe Prrenjas.
Pak kohë më parë, qeveria transferoi te pushteti vendor edhe kompetencat për ujitjen dhe kullimin, duke ju lënë hapësira të vendosin edhe tarifa të reja për këto shërbime.
Por teksa qeveria vijon të transferojë gjithnjë e më shumë përgjegjësi te pushteti lokal, kapacitetet e këtij të fundit nuk po ecin me të njëjtin hap.
Këtë vit, shumica e bashkive të vendit dështuan për të pastruar territorin sidomos në pikat turistike.
Pas shkrirjes së komunave shumë plazhe të vendit u tejmbushën me plehra për shkak se bashkia e madhe nuk arriti të mbulonte këto shërbime, raporton Monitor.
Po ashtu, Bashkitë e reja në stadet në të cilat ndodhen nuk kanë ende stafe të mirëfillta inxhinerike në organikat e tyre, që të menaxhojnë dhe të mbikëqyrin me profesionalizëm asetet rrugore.
Pothuajse të gjitha bashkitë nuk kanë përshtatur strukturat me funksionet e reja.
Ekspertë të pushtetit lokal shpjeguan se, njësitë e reja vendore duhet të krijojnë struktura të posaçme menaxhimi dhe shërbimi për fshatin bashkë më shërbimin në sportele.
Gjithashtu bashkitë duhet të riformatohen në bazë të funksioneve të reja duke përshtatur edhe strukturat, proces që kërkon kohë.

