Janë 8 paragrafet që ka ndryshuar Komisioni i venecias në draftin e saj final të rekomandimeve për reformën në drejtësi, nga drafti i shkurtit. Këto ndryshime në draftin final rrëzojnë disa prej 11 pikave të kundërshtuara nga partia demokratike dhe për të cilat ajo kërkoi dialog politik.
Konkretisht ndryshimet janë bërë në paragrafet 8, 15, 17, 18, 19, 61, 66 dhe 69 të Draft Opinionit, ndërkohë konstatohet se është shtuar edhe një paragraf 56 në opinionin final të Venecias.
Gjykata e Lartë Administrative edhe Këshilli i Emërimeve janë dy prej shqetësimeve të opozitës që nuk përmenden në opinion, i cili nga ana tjetër nuk jep zgjidhje përfundimtare për përbërjen e disa institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë duke e lënë këtë vendim në dorë të vendimmarrjes politike.
Në opinionin final të publikuar sëfundmi në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias bie në sy se këto ndryshime janë të karakterit teknik, me përjashtim të paragrafit 8, ku ka një shtesë përmes të cilës Komisioni i Venecias e ka ngushtuar hapësirën në të cilën partitë politike mund të debatojnë duke shmangur çdo çështje nga draftet e mëparshme. /H.M/ Dita
