Deri dje dukeshin kundër realizimit të reformës zgjedhore dhe sikur po e zvarrisnin procesin, por sot socialistët, demokratët, opozita e re dhe e vjetër po nisin të hartojnë drafte për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Opozita e re në Parlament, PD dhe aleatët e saj, si dhe Bindja Demokratike shprehen të gatshëm për të paraqitur propozimet e tyre për amendimin e Kodit Zgjedhor dhe për këtë po hartojnë grupe pune që do të merren me çështje të caktuara.
Në rendin e ditës të komisionit të posaçëm të reformës ishin konstituimi dhe raportimi i grupeve të punës dhe prezantimi i paketës së parë që adreson rekomandimet e ODIHR-it për fushatën zgjedhore, kuotat gjinore, financimin e fushatës, regjistrimin e subjekteve dhe abuzimin e administratës.
Në mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore, opozita e re ka propozuar që nuk mund të realizohen ndryshimet e Kodit pa u miratuar më parë Kodi Zgjedhor. “Nuk mund të pretendosh që të kesh barazi gjinore në një kohë që nuk ke lista të hapura”, mësohet t’i jetë drejtuar në mbledhje demokratja Hajdari, bashkëkryetarit të komisionit Damian Gjiknuri.
Ky kusht duket se është pranuar nga ana e drejtuesi socialist Gjiknuri, i cili ka kërkuar që të paraqiten propozimet për ndryshimin e sistemit. “Pasi të ezaurojmë paketën e parë do të kalojmë në miratimin në parim, kjo është e lidhur edhe me çështjet e tjera si çështja e sistemit. Çështja tjetër ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve, në të gjitha nivelet, iu la detyrë ekspertëve të gjejnë praktikat më të mira”, deklaroi Gjiknuri më pas në konferencën për mediat. Ai shtoi se për këtë do t’i merret mendimi edhe PD-së.
Gjiknuri tha se vlerëson faktin që PD-ja po përgatitet seriozisht për reformën zgjedhore. “Pavarësisht se nuk e njohin komisionin, ne nuk na pengon të krijojmë çdo lloj mënyre komunikimi për propozimet që kanë, me qëllim që ato të përfshihen në punën e komisionit të reformës zgjedhore. Edhe pa qenë direkt në komunikim. Por ne do të bëjmë çmos që çdo propozim i tyre, sipas rekomandimeve të OSBE-së, ta marrim parasysh dhe mbase do të jetë një rast i rrallë për dakordësinë”, theksoi socialisti Gjiknuri, sipas të cilit urë lidhëse mes dy kampeve mund të jetë OSBE-ja.
Në konferencë për shtyp deputetja Rudina Hajdari deklaroi se nuk mund të ketë ndonjë punë në dy faza dhe se ndryshimi i sistemit do të diskutohet paralelisht me pikat e tjera të reformës. Ajo bëri të qartë se paketa e dalë në media ishte pjesë e punës së ekspertëve të komisionit.
“Procesi të ecë në mënyrë paralele, as me dy faza e as me tre faza. Duhet të kemi një reformë zgjedhore të shpejtë”, theksoi Hajdari. Ajo bëri të ditur se opozita e re është për sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Por a ka frikë opozita e re për rrjedhje votash brenda saj për reformën zgjedhore, ku faktikisht vetëm pesë vota i nevojiten për kapur 84 votat?. “Nëse shumica do të zgjedhë këtë rrugë, do të jetë destruktive. Shumica mund ta zgjedhë, por nuk besoj se do të ishte e mirë për shqiptarët, pasi do të zgjedhë një rrugë të gabuar” theksoi Hajdari.
Partia Demokratike mblodhi që në mëngjes në seli ekspertët e saj dhe të aleatëve të tjerë. Pas mbledhjes, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u bëri thirrje socialistëve që të pranojnë mekanizmin e propozuar nga opozita në tryezën e OSBE-së. “Ne e kemi propozuar mekanizmin. Sa kohë nuk ka një refuzim të arsyetuar të palës tjetër, tregon se ka mungesë vullneti për të bashkëpunuar. Detyra jonë është të kemi gati kontributin. Përmbyllëm dy çështje kryesore të reformës, financimin e fushatave si dhe çështjet që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor. Ne kemi propozuar një mekanizëm për t’u angazhuar, reforma zgjedhore jo thjesht në letër, është kusht për hapjen e negociatave. Do të duhet që qeveria të shtrinte dorën dhe të kërkonte bashkëpunim. Bundestagu e ka bërë të qartë se nuk kërkon vetëm realizimin e reformës zgjedhore, por një reformë me pjesëmarrjen e të gjithëve”, theksoi Bardhi.
Ndërsa përfaqësuesja e LSI-së, Silva Cakaj u shpreh se opozita e bashkuar “është tepër e angazhuar për të pasur një produkt jo vetëm konstruktiv, jo vetëm serioz, që t’i shërbejë kauzës të këtij misioni historik, por mbi të gjitha që të jetë edhe i shpejtë”.
Të hënën ekspertët e opozitës do të mblidhen të diskutojnë sërish. Javën e ardhshme pritet të mblidhet edhe komisioni i reformës zgjedhore, ku do të ketë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
Përmes deputetit Andi Përmeti, edhe Bindja Demokratike bëri publike propozimet e saj për reformën zgjedhore, ku rendiste 6 pika kryesore që, më pas, iu dorëzuan komisionit të posaçëm. Sipas Përmetit, kërkohen jo vetëm ndryshim në sistemin zgjedhor por edhe në Kushtetutë, ku si një pikë e fortë renditet kufizimi i mandatit të kryeministrit. Propozimet për reformën zgjedhore u bënë prezent edhe nga vetë kryetari i BD, Astrit Patozi, i cili u shpreh se partia e tij është për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Përmes një deklarate, ai u shpreh: “Me këtë sistem zgjidhen shumë problematika njëherësh, të cilat do ta çlironin mjedisin politik shqiptar nga tendosja e fortë, që ka shkaktuar kriza politike. Do të prodhonte më shumë demokraci dhe më shumë stabilitet për vendin. Do të zbuste në mënyrë drastike arrogancën e pushtetit dhe do t’i detyronte drejtuesit politike ta kërkonin kompromisin si në raport me partnerët apo me kundërshtarët, ashtu edhe brenda partive të tyre. Do të barazonte fuqinë e votës së çdo qytetari shqiptar dhe do t’i jepte më shumë vlerë asaj, por do t’i bënte më të përgjegjshëm dhe më të lirë të zgjedhurit prej tyre. Shembulli më i mirë që kjo gjë funksionon ishte Kosova. Zgjedhjet atje u zhvilluan vetëm pak kohë pas 30 qershorit tonë. Diferencat me Shqipërinë janë spektakolare”.
Grupet e Parlamentit për reformën
Grupi i punës për votën e emigrantëve: Alket Hsyeni, Adnor Shameti, Korab Lita dhe Adriatik Alimadhi
Grupi i punës për barazinë gjinore: Vasilika Hysi, priten dhe tre të tjerë
Grupi i punës për sistemin zgjedhor: Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Ralf Gjoni
Grupi i punës për financat e partive: Nimet Musai, Arben Elezi, Klotilda Ferhati, Blerina Gjylameti
Grupet e punës të PD-së me aleatët
Në nivel politik: Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Endri Hasa, Arben Ristani.
Grupi i oponencës: Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Ilirjan Muho
Grupi i ndryshimeve ligjore, listimit të rekomandimeve të OSBE-së, çështjeve të votimit, identifikimit biometrik dhe elektronik dhe financimit: Ivi Kaso, Dhurata Çupi, Eriol Brahimllari./ SI
e.ll./dita

Aman more Gjiknur hiqni keto barbarizma te shemtuara si kjo fjala “dakordesi”.
Politikanet ignorante po na bastardojne gjuhen tone te bukur!
Opozita e rruges , eshte opozite destruktive dhe antikombetare . Fakti qe u largua ne menyre te shemtuar nga tryeza qe organizoi OSBE-ja , tregon se ajo ,ne esence ndjek rruge te pa ligjeshme . E them kete sepse , per te marre force ligjore cfardo projekti apo kodi zgjedhor , ai duhet miratuar nga parlamenti , atribut qe opozita e rruges nuk e ka dhe nuk mund t`i jepet . Asaj i mbetet vetem te sugjeroje , sepse nuk ka fytyre te marre pjese , si force vendimmarrese , ashtu sikurse jane edhe 139 parti te tjera politike jo parlamentare . Ndaj , opozita e rruges , hiqet zvarre vetem per te sabotuar e vene gure nen rrota . Perse i eshte shmangur problemit te reformes zgjedhore kjo opozite e inkriminuar e destabilizuese , te ciles , kur ishte ne parlamnet , Edi Rama edhe pse me shume kusure , i ka deklaruar publikisht , disa here qe : ” Bejeni ju projekt kodin zgjedhor , me garancite e nevojeshme ashtu si te doni ju , vetem te dakordesoheni me OSBE-ODHIR-in, dhe ne do ta votojme , pa as me te voglin ndryshim ” . A mund te thuhet me qarte se kaq ?! Por ajo nuk e ka bere dhe nuk e ben kete , sepse kerkon pushtetin ne tavoline , jo ne kutite e votimit !