Dhuna sektare ka detyruar më shumë se 100 mijë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre për në Birmaninë Perëndimore. Në gadishullin Miebon ku janë vendosur kampet e refugjatëve budistë dhe myslimanë, veprohet me standarde të dyfishta
Komuniteti budist Rakhine dhe ai mysliman Rohingia kanë jetuar të ndarë për gjenerata të tëra dhe tani gjenden të izoluar me forcë në gadishullin Miebon. Ndonëse mijëra rakhineve u janë shkatërruar shtëpitë, rohingiat janë ata që vuajnë në kushte edhe më të këqija. Të refuzuar si qytetarë në dy shtetet kufitare, Bangladesh dhe Birmani, ata vazhdojnë të jenë të viktimizuar në kampet ku kanë kërkuar strehim.
Në Miebon, në jug të kryeqytetit birmanez Situe, standardet e dyfishta janë të qarta. Vetëm një milje larg njëri-tjetrit, budistët dhe myslimanët popullojnë kampin e ndarë sipas vijave etnike. Në qendër të qytetit, tridhjetë e pesë tenda mbajnë logon e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Këto janë ‘shtëpitë’ e 400 budistëve që kanë qëndruar këtu prej përleshjeve të fundit në tetor.
Pu Ma Git iu dogj shtëpia gjatë luftimeve dhe tani, ajo me dy vajzat e saj, po qëndron në një nga tendat bashkë me tre familje të tjera. “Qeveria po kujdeset për ne. Këtu kemi ushqim dhe shërbim mjekësor. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë”, shprehet Pu. Është e qartë se në këtë zonë nuk ka mungesa.
Dërgesa të bllokuara
Një kamion drejtohet për në kampin Rohingia, në atë që ndryshe njihet si lagja e myslimanwve. Tani ajo është krejtësisht e rrafshuar, kanë mbetur vetëm themelet e shtëpive . Para gjashtë javësh mbi disa nga ato themele ngrihej shkolla fillore në të cilën Kin La Mai ishte drejtoreshë. “Rakhinetë erdhën këtu dhe hodhën gurë e shkopinj”, thotë Kin, e cila bashkë me 4 mijë myslimanë rohingia lëvizi jashtë qytetit, duke formuar kampin e quajtur Taung Pau.
Jetojnë në mes të rrëmujës dhe baltrave të zeza, thuajse në qiell të hapur. Tendat janë kthyer në mbetje rreckash të shqyera nga koha dhe kushtet e motit, ndërsa populli që jeton në to është i uritur dhe i dëshpëruar. Punonjësit e ndihmës këtu tregojnë se ky është një nga kampet më të këqija në Azi, në mos në të gjithë botën.
Pakot e ndihmave në të dyja kampet në Miebon duhet të shpërndahen me varka, ndërsa përpjekjet për të dhënë shërbimet e duhura sanitare në Taung Pau, deri më tani kanë qenë të bllokuara. Budistët rakhine kontrollojnë molin e zbarkimit dhe refuzojnë të lejojnë agjencitë e ndihmave që të kenë qasje të rregullt në kampin e myslimanëve.
Punonjësi i një agjencie ndihmash thotë se kufizimet që vijnë nga komuniteti budist pengojnë rreth 90% e punës së agjencisë. Duke pasur parasysh këto kundërshtime, vetëm ushtarakët birmanezë mund të detyrojnë kalimin e ndihmave për në kampin mysliman. Por deri më tani, ata kanë refuzuar të ndërmarrin masa praktike. Në vend të kësaj, ata qëndrojnë roje në Taung Pau duke ndaluar rohingiat që të shkojnë të ruajnë të mbjellat e tyre (ndërkohë që rakhinetë në mungesë të tyre ua kanë zaptuar fushat).
Marrëdhënie më të mira
Në qendrën urbane Rakhine kushtet janë më të mira. Marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve dhe agjencive ndërkombëtare të ndihmave janë përmirësuar. Por pasi vizitoi të dyja kampet përfaqësuesja e lartë e Kombeve të Bashkuara, Valeri Amos, përsëriti kërkesën urgjente për pajtim.
Ky synim mbetet i largët me gjithë tensionin e lartë mes të dyja palëve. “Nevojiten më shumë para për të financuar operacionin e ndihmës për kampin Rohingia, por tani është në dorë të autoriteteve birmaneze për të mbajtur një qëndrim më të fortë. Duhet të marrin rolin e udhëheqësit dhe të punojnë për të bashkuar në paqe komunitetet”, përfundoi zonja Amos.