Bibihal Uzbeki është 105 vjeç, vjen nga Kunduzi, Afganistan, dhe tani ndodhet në kampin më të madh të refugjatëve në Kroaci, në qytetin e Opatovacit, pranë kufirit me Serbinë, pas një udhëtimi njëzet ditor. Pavarësisht moshës së saj ajo ëndërron për një jetë më të mirë, pa luftë dhe bomba.
Bibihal erdhi në këtë qytet kufitar me familjen e saj prej 17 anëtarësh. Djali dhe nipi i saj 67 dhe 19 vjeç e kanë mbajtur mbi shpinë përgjatë pjesës më të madhe të kësaj rruge të vështirë nëpër male, shkretëtira, dete dhe pyje në Evropë. Kjo është një rrugë e rrezikshme dhe e lodhshme edhe për të rinjtë, shkruan “The Guardian”.
“Më dhëmbin këmbët, por jam mirë”, tha Uzbeki, e ulur përtokë brenda një çadre të Kryqit të Kuq. I dridhen duart. “Kemi pasur probleme shumë herë. Kam vuajtur shumë. Rashë dhe u vrava në kokë. Kam plagë në kokë”, thotë ajo.
Policia kroate tha se e mësuan moshën e saj duke parë dokumentet./ DITA



