Dashuria mes dy femrave ka fituar simpatinë e jurisë së festivalit të Kanës. Filmi “Rrugët e Adelës” ka fituar Palmën e Artë të edicionit të 66-të të Festivalit të Kanës.
Filmi i regjisorit franko-tunizian Abdellatif Kechiche rrëfen historinë e një 15-vjeçareje që zbulon dalëngadalë seksualitetin e saj. Adele (e interpretuar nga aktorja Adele Exarchopoulos) si të gjitha moshataret e saj shkon në shkollë, merr pjesë në manifestimet e nxënësve dhe bisedat mbi shumë tema që kanë të bëjnë me moshën e saj. E para për të është një eksperiencë heteroseksuale me një djalë, por ndërkohë tërhiqet nga një e panjohur me flokë blu, pa e kuptuar as vetë se çfarë po i ndodh. Pas eksperiencës së parë lesbike me një shoqe shkolle, Adele do të zbulojë dashurinë pasionante dhe intime me Emën, vajzën e panjohur me flokë blu, e interpretuar nga Lea Seydoux. Këtu zë fill një histori me skena seksi në mënyrë eksplicite, ndoshta të parat e këtij lloji për nga kohëzgjatja në film.
Në film nuk mungojnë referencat dhe ngjashmëritë me histori reale apo filozofi si ajo e Sartrit. Ema është një artiste bashkëkohore që vjen nga një kulturë krejt tjetër nga ajo e naives Adele dhe pas premtimeve, debateve, ankesave e bisedave për dashuri të përjetshme, edhe historisë mes saj dhe Emës i vjen fundi. Një histori që nuk ndryshon nga ato të çifteve heteroseksuale, një fund po i ngjashëm. Një tradhti që nuk mund të falet, ndarja dhe ritakimi që nuk i bashkon për së dyti. Filmi është pritur mirë nga kritika në shtypin francez. Subjekti është aktual në Francë, ku hyrja në fuqi e martesave gei ka shkaktuar pakënaqësi javët e fundit.
dava perversësh….