Sistemi shëndetësor do t’i nënshtrohet një sërë ndryshimeve sa i takon arritjes së një shërbimi më cilësor të kujdesit shëndetësor që do të ofrohet për pacientët. Duke marrë pjesë në takimin e zhvilluar në qytetin e Korçës, në bashkëpunim me projektin e USAID-it, me temë :“Seminari Vjetor i Zhvillimit të Lidershipit Shqiptar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik”, ministri Ilir Beqaj ka deklaruar edhe ndryshimet që pritet të zbatohen në sistemin shëndetësor. Sipas tij, çdo sëmundje do të ketë regjistrin e saj, ku do të raportohen të gjitha rastet e përhapjes, dhe teknikat e përdoruar në lidhje me trajtimin. Grupi i ekspertëve të shëndetësisë ka përgatitur tashmë dokumentin që do t’i kalojë javës së ardhshme për miratim, Këshillit të Ministrave, e që ka të bëjë konkretisht me vendimin për regjistrat e sëmundjeve, për të krijuar një sistem mbledhjeje informacioni në të gjithë vendin sa i takon nivelit të sëmundshmërisë. Ministri Beqaj sqaroi gjatë takimit se krijimi i këtij regjistri është i domosdoshëm për të përcaktuar masat e ndërhyrjes për shumë sëmundje, do të përfshijë shëndetësinë publike dhe atë jopublike. “Regjistrat e sëmundjeve, po themi do të qëndrojnë nga pikëpamja institucionale në Institutin e Shëndetit”, ka deklaruar ministrin Beqaj. Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe lidhja e rrjetit spitalor në një sistem informacioni. Aktualisht po punohet me Bankën Botërore për të filluar një projekt brenda këtij viti, ku një komponent shumë i rëndësishëm, do të jetë sistemi i informacionit i shërbimit spitalor në Shqipëri. “Qendra Spitalore Universitare, 4 spitale të tjera universitare dhe 11 spitalet rajonale do të jenë në një sistem të vetëm. Më tej, kemi recetën elektronike, e cila është një projekt që besoj se do ta fillojmë në shtator dhe padyshim kemi edhe sistemin e gjurmimit të barnave”, ka konfirmuar ministri Beqaj. Ndërkohë që me shtrirjen e telemjekësisë synohet që të kualifikohet edhe më tej personeli mjekësor. Sa i takon të dhënave të mbledhura nga procesi i kualifikimit të personelit mjekësor nëpërmjet procesit të ricertifikimit, Beqaj ka shtuar se : “Të dhënat që kemi nga raporti i vitit 2013 nga Qendra e Edukimit në Vazhdim janë me të vërtetë shumë pesimiste. Nëse vazhdojmë me atë situatë, praktikisht i bie që në 1 Janar 2015 duhet ta mbyllim gjysmën e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Kështu që, jam i bindur që një pjesë e mirë e asaj pune dhe kualifikuese që bëhet, nuk raportohet”, situatë për të cilën u kërkua më shumë punë. Telemjekësia është ofrimi i shërbimit mjekësor nga distanca, përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit elektronik që mundëson shkëmbimin e informacioneve shëndetësore të dobishme për diagnozën, trajnimin dhe parandalimin e sëmundjeve dhe lëndimeve, për kërkim dhe punë shkencore, si dhe për edukim të vazhdueshëm të personelit mjekësor e gjithë kjo në interes të përmirësimit dhe zhvillimit të plotë të shëndetit të individëve dhe komuniteteve. Telekonsulta dhe teleprezenca është përdorimi i teknologjisë së telemjekësisë për të mundësuar mjekun të vlerësoje në distancë gjendjen shëndetësore të pacientit.