Pas diskutimeve disamujore, Kuvendi ka futur në procedurë parlamentare Kodin e Sjelljes së deputetëve, hartuar me asistencën e OSBE-së.
Miratimi i këtij akti vlerësohet se do t’i shërbejë përmirësimit të standardeve etike dhe performancës së deputetëve si dhe rritjes së besimit të qytetarëve në institucionin e parlamentit. Nisma me 15 nene parashikon standarte jo vetëm në sjellje por edhe në transparencën e mënyrës sesi deputeti ushtron detyrën e tij.
Në këtë kod parashikohet ndër të tjera konflikti i interesit dhe deklarimi e kontrolli i pasurive të deputetëve, kufizimet gjatë ushtrimit të mandatit e deri edhe çështjet e dhuratave e përfitimeve të tjera të ngjashme. Në bazë të këtij Kodi, Kuvendi do të publikojë periodikisht shpenzimet financiare për çdo deputet për paga, dieta, karburant, shpenzime telefonie, strehim etj.
Po ashtu, ky kod vlerësohet edhe si një përpjekje për të luftuar korrupsionin në radhët e deputetëve. Sa i përket konfliktit të interesit dhe deklarimit të pasurive, deputetët do të asistohen në përmbushjen e detyrimit nga administrata e Kuvendit.
Kjo e fundit do të dorëzojë në Inpektoriatin e Deklarimit të Pasurive e Konfliktit të Interesit deklaratat e plotësuara të deputetëve si dhe të njoftojë rastet e konfliktit të interesit apo refuzimin e plotësimit të deklaratave nga ana e të zgjedhurve. Sa i përket dhuratave për deputetët, Kuvendi pritet të hartojë një regjistër të posaçëm të dhuratave ku listohen dhuratat që lejohet të pranohen apo që janë pranuar nga deputetët.
Po ashtu, edhe për veprimtaritë jashtëparlamentare të deputetëve do të mbahet një regjistër i posaçëm. Pjesë e Kodit të Sjelljes janë edhe normat e komunikimit në institucion apo respektimi i rregullave për veshjen zyrtare, mospërdorimin e aparateve telefonike etj.
