Ministria e Zhvillimit Urban do të ketë regjistrin e parë për numrin e të pastrehëve në Shqipëri dhe kategorizimin e tyre, sipas programeve.
Projekti, i inicuar nga MZHU dhe i mbështetur nga PNUD (The United Nations Development Programme), synon identifikimin e të pastrehëve për secilën prej 61 njësive vendore. Gjatë muajve shkurt-mars të vitit 2016, MZHU, me mbështetjen e PNUD, organizoi fazën e parë të trajnimin 2-ditor me temë “Kuadri ligjor dhe institucional për zbatimin e politikave të strehimit social në nivel vendor”.
Nëpërmjet trajnimit, ku morën pjesë ekspertët e strehimit nga 61 bashki, synohet zhvillimi i kapaciteteve të specialistëve në njësitë e qeverisjes vendore të të gjitha bashkive të vendit, për sigurimin e informacionit të detajuar mbi programet e strehimit social në Shqipëri dhe mënyrën se si duhet të zbatohen në nivel vendor, me qëllim plotësimin e nevojave të qytetarëve.
Pak ditë më parë ka nisur faza e dytë, gjatë së cilës do të trajnohen personat e kontaktit, të caktuar nga çdo bashki, të cilët do të kenë akses në sistemin online dhe do ta plotësojnë atë në vijim me të dhënat që lidhen me numrin e të pastrehëve dhe problematikat e tyre në çdo bashki.
Gjatë kësaj faze, secila prej 61 njësive vendore, do të plotësojë një pyetësor, modeli i të cilit ka marrë miratimin e ekspertëve të strehimit në MZHU. Nëpërmjet të dhënave të përftuara nga ky pyetësor, do të krijohet një tablo e qartë mbi situatën reale dhe numrin e të pastrehëve/aplikantëve në të gjithë Shqipërinë.
Ministria e Zhvillimit Urban, pas përfundimit të këtij regjistri, do të nisë një projekt – pilot për dixhitalizimin e këtyre të dhënave, duke përzgjedhur një prej 61 bashkive, për aksesimin e një sistemi online për strehimin.
Nëpërmjet këtij sistemi, do të mundësohet aplikimi për çdo qytetar, për një nga programet e strehimit si edhe evolucioni i kërkesës së tij në pushtetin vendor, duke bërë transparente çdo procedurë të njësisë vendore, përfshirë edhe procesin e monitorimit, që MZHU do të ketë mundësi të bëjë për këtë sektor kaq sensitiv për qytetarët.
