Regjistrimet në kopshte e shkolla nisin më 2 shtator

redaktor

Regjistrimet për pranimet e reja në institucionet e arsimit parauniversitar fillojnë dy javë para çeljes zyrtare të vitit të ri shkollor 2013-2014. Specialistët e Drejtorisë Arsimore në kryeqytet bëjnë me dije se prindërve nuk u duhet të shkojnë pranë kësaj drejtorie (apo dhe atyre të rretheve), për të konfirmuar regjistrimin e fëmijës së tyre në një nga klasat e ciklit të detyruar 9 vjeçar, atij të mesëm, si dhe për pranimet e reja që do të regjistrohen në kopshte e çerdhe. E gjithë procedura do të kryhet pranë institucioneve shkollore, të cilat tashmë janë drejt mbylljes së përgatitjeve për të hapur dyert kundrejt pranimeve të reja. Drejtori ekonomik në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, Kalofsh Ferati vë në dukje se është përcaktuar data 2 shtator, si koha në të cilën do të fillojë zyrtarisht regjistrimi i fëmijëve që do të akomodohen për herë të parë në kopshte, çerdhe, ciklin fillor, si dhe në gjimnazet e Tiranës. Po e njëjta procedurë do të ndiqet edhe në strukturat arsimore publike të rretheve. Sipas tij, prindërit për të regjistruar fëmijën në klasat e arsimit të detyruar, si dhe në kopshte e çerdhe nuk duhet të paraqiten pranë kësaj drejtorie, por pranë institucionit më të afërt shkollor që ndodhet në vendbanimin e tyre. Regjistrimet e reja për këtë vit nuk do të jenë më në bazë të preferencave të prindërve, por vetëm sipas vendbanimit të fëmijës. Ndërkohë që gjatë viteve të kaluara prindërit të gjithë mësynin drejt institucioneve të klasifikuara si më populloret, duke shkaktuar radhë të gjata dhe kaos në regjistrimin e fëmijëve të tyre. Pavarësisht preferencave të tyre, për vitin e ri mësimor 2013-2014, Drejtoria Arsimore e Tiranës me procedurën e hartuar ka marrë të gjitha masat e duhura për t’i dhënë fund kaosit dhe radhëve të gjata, duke e lënë kryerjen e të gjitha procedurave pranë shkollave përkatëse dhe institucioneve të tjera publike, sipas një rregulli që nuk lejon regjistrimet e fëmijëve në shkolla të cilat nuk janë në pjesën e territorit ku fëmija ka vendbanimin. Zbatimi i këtij rregulli pritet të shmangë edhe mbingarkesën që shënohet në disa shkolla, të cilat për vite me radhë janë përballur me një fluks të lartë nxënësish, çka më pas penalizon edhe me zhvillimin e mësimit me turne. “Regjistrimet në arsimin parauniversitar bëhen bazuar në dispozitat normative, dy javë para fillimit të vitit shkollor. Shkollat në qytetin e Tiranës nuk kanë nevojë që të vijnë pranë Drejtorisë Arsimore pasi e dinë vendin se ku do të regjistrohen, me përjashtim të shkollave private, të nxënësve që vijnë nga rrethet dhe nga jashtë, të cilët do të administrohen nga përgjegjësja e sektorit të Kurrikulës dhe Cilësisë. Ajo bën shpërndarjen sipas ngarkesës së shkollave në qytetin e Tiranës”, sqaron Ferati.

Shkollat në rikonstruksion

Sa i përket shkollave që janë në rikonstruksion bëhet me dije se janë marrë të gjitha masat për sistemimin e nxënësve në institucione të tjera deri në mbyllje të punimeve. Sipas Feratit, është detajuar edhe plani i shpërndarjes së ambienteve, në të cilat këta fëmijë do të kryejnë mësimin për një periudhë të caktuar, derisa shkolla e tyre të përfundojë procesin e plotë të rikonstruksionit. Këta nxënës do të sistemohen në shkollat më të afërta të zonave ku jetojnë (sistemim ky që do të jetë i përkohshëm). “Deri më tani të gjitha objektet që janë në rikonstruksion, janë marrë masat dhe janë sistemuar në ambiente të tjera, që në përfundim të vitit të kaluar. Përshembull shkolla “Ahmet Gashi” është sistemuar pranë shkollës “28 Nëntori”, shton Ferati. Shkollat të cilat janë në fazë punimesh dhe ende nuk janë gati të hapin dyert në shtator janë: “Ibrahim Brahja” dhe “Niket Dardani”, për të cilat është zgjidhur edhe sistemimi i nxënësve në ambiente të tjera afër shkollës. Ndërkohë që në dhjetëra institucione të tjera shkollore aktualisht po punohet për rikonstruksionin e tyre, punimet e të cilave pritet të përfundojnë në mesin e muajit shtator, kohë në të cilën do të fillojë zyrtarisht edhe viti i ri mësimor. Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritet e arsimit rezulton se vetëm në kryeqytet gjatë vitit të ri mësimor do të çelin rreth 58 shkolla 9 vjeçare publike dhe 23 shkolla të mesme, ndërkohë që në të gjithë vendin numërohen rreth 380 shkolla të mesme e 1477 shkolla 9- vjeçare.

Procedura

Për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë kërkohet certifikata e lindjes si dhe certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Mospasja e këtyre dy certifikatave kushtëzon edhe pranimet e reja në shkollat publike të vendit. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se janë detajuar dhe procedurat për regjistrimet e nxënësve në klasat e tjera të arsimit 9-vjeçar, të cilat nisin zyrtarisht me 2 shtator sipas një kalendari të caktuara. Regjistrimi i nxënësve në klasat e tjera të shkollës së arsimit të detyruar bëhet me këto dokumente: dokumenti i përfundimit të klasës së mëparshme, certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Institucioni arsimor ku duhet të regjistrohet fëmija, përcaktohet nga organet e pushtetit lokal me propozim të drejtorisë arsimore të rrethit ku nxënësi ka vendbanimin e tij.

Viti i ri shkollor, mësimi me turne i pashmangshëm

Nisja e vitit të ri shkollor do të rikthejë sërish mësimin me turne në shumë shkolla të kryeqytetit. Shkak për këtë, sipas ekspertëve të arsimit, bëhet mungesa e ambienteve të reja për përballimin e fluksit të lartë të kërkesave që paraqiten çdo vit për studime, veçanërisht ato të shkollave të mesme. Prej kohësh ka nisur puna për riorganizimin e studimeve në shkollat e arsimit parauniversitar, por pavarësisht kësaj mbipopullimi i klasave duket se do të jetë prezent edhe për vitin e ri shkollor. Sipas autoriteteve mësimore kjo gjendje vjen si pasojë e fluksit të lartë të regjistrimeve të reja, mungesës së klasave, përfshirjes së një sërë shkollave në proces rikonstruksioni, problem ky që nuk konstatohet vetëm në kryeqytet por edhe në shumë rrethe të vendit. Në këto kushte, edhe për vitin e ri shkollor 2013-2014, duket se do të jetë e pashmangshme realizimi i mësimit me turne. Megjithatë, sipas studimeve të bëra, konfirmohet se kjo problematikë mund të marrë zgjidhje pas një periudhe gati 4 apo 5-vjeçare, kohë në të cilën do të kenë përfunduar së ngrituri shumë godina shkollore, të cilat do t’u vijnë në ndihmë atyre institucioneve që kanë ngarkesë të lartë. E deri sa kjo të ndodhë, nxënësit shqiptarë janë të detyruar që mësimin ta zhvillojnë me turne.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *