Regjistrimi në sistem për maturantët para 2014-s

redaktor

Maturantët që nuk plotësojnë formularin A1 dhe A1Z sipas afateve të përcaktuara, nuk mund të konkurrojnë për të vijuar studimet e larta gjatë vitit të ri akademik 2015-2016, si në fakultetet publike ashtu dhe ato private.

Autoritetet e arsimit sqarojnë se mesnata e ditës së sotme shënon edhe afatin e fundit që kanë në dispozicion maturantët e këtij viti, për t’u regjistruar në garën që do t’i çojë më pas drejt universitetit të preferuar. Sipas kalendarit të miratuar, duke nisur nga dita e nesërme (25 mars), nis zyrtarisht regjistrimi në sistem (nëpërmjet plotësimit të formularit A1Z), për të gjithë ata kandidatë që kanë konkurruar në vitet e shkuara, por që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të regjistrohen në një nga fakultetet publike të vendit.

Për këtë kategori, rregullorja lejon rikthimin sërish në garë, teksa përcakton se nuk mund të kërkojnë ndryshim të lëndëve që jepen si provime me zgjedhje, për rastet kur janë vlerësuar me nota të ulëta në maturat e shkuara. Rregullorja specifikon se nuk mund të ketë ndryshim të lëndëve, për të siguruar nota më të larta, në rast se këta kandidatë janë vlerësuar me nota kaluese në provimet e maturave të mëparshme.

Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por që nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie, apo Diplomë Mature, shpëtojnë edhe nga detyrimi për të dhënë si provim të detyruar gjuhën e huaj, ndryshe nga sa ndodh me maturantët e këtij viti. Kjo kategori pasi të ketë fituar provimet e tjera të detyruara, si dhe ato me zgjedhje, pajisen me diplomën dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore, por që janë model i vitit 2011.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë edhe me llojin e koeficienteve që do të përdoren për të llogaritur pikët finale për në universitet. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë, do të merren koeficientet e maturës shtetërore 2015, dhe jo ata të viteve kur kandidati ka dhënë provimin.

Çregjistrimi për të hyrë sërish në garë

Një pjesë e konsiderueshme e maturantëve të viteve të shkuara rezultuan në listën e fituesve të disa fakulteteve, por jo në degën e preferuar. Kjo kategori maturantësh mund të konkurrojë sërish, por me kushtin që të konfirmojnë procesin e çregjistrimit. Kështu, kandidatët që gjatë vitit të shkuar janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar, duhet ta vërtetojnë këtë me shkresën përkatëse të marrë nga dekanatet e fakulteteve, e cila dorëzohet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve. “Fleta e çregjistrimit origjinale dorëzohet në AKP para aplikimit në formularin A1Z, në mënyrë që të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e maturës dhe heqja e numrit të matrikullimit. Fotokopja e fletës së çregjistrimit dorëzohet në shkollën ku kandidati do të bëjë aplikimin online. Po sipas rregullores kandidatët që plotësojnë A1Z duhet të nënshkruajnë edhe një deklaratë personale, ku të shprehen se nuk janë regjistruar në asnjë program studimi në institucionet e arsimit të lartë publike dhe private. Kjo deklaratë duhet dorëzuar pranë shkollës, ku kandidati do të bëjë plotësimin online të formularit, jo më vonë se dy ditë nga mbarimi i afatit zyrtar i aplikimit data 30 mars”, sqarojnë autoritetet e arsimit.

Mbartja e pikëve nga maturat 2006-2013

Sipas udhëzimit të miratuar nga MAS mbi aplikimin me anë të formularit A1Z, specifikohet se kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2014 dy lëndë me zgjedhje, nuk do të japë më provime me zgjedhje për të hyrë sërish në garë për vijimin e studimeve të larta. Ndërsa kandidati që mbart nga maturat e viteve të përmendura një lëndë, duhet të zgjedhë për të dhënë provim vetëm një lëndë me zgjedhje, në përputhje me kushtin e krediteve. Kandidati që nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat para vitit 2015, duhet të zgjedhë për të dhënë provim dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje. Lëndët e zgjedhura duhet të plotësojnë kushtin, jo më pak se 8 kredite.

Kushtet për maturantët e diplomuar jashtë

Për maturantët që janë diplomuar në shkollat e mesme të huaja, e që rikthehen për të fituar ndjekjen e universitetit në vend, do të ndiqet një tjetër procedurë aplikimi. Për këtë grup kandidatësh, fillimisht duhet të bëjnë njehsimin e provimeve dhe diplomës, e më pas do të aplikojnë me plotësimin e formularit A1 dhe A1Z. Për njëvlershmërinë e arsimit të mesëm duhet të paraqesin pranë Komisionit të Posaçëm në MAS, brenda datës 15 prill dosjen e dokumenteve të kërkuara, ku përfshihen: “Kërkesa e aplikimit për njëvlefshmëri të diplomës së shkollës së mesme, fotokopja e dokumentit të identifikimit, fotokopja e dëftesës e përkthyer dhe e noterizuar, fotokopja e dëftesave origjinale për të gjitha vitet e shkollimit, si dhe dokumenti që vërteton dhënien e provimeve të barazvlefshme me ato të maturës në Shqipëri. Në këtë dokument duhet të jenë pasqyruar rezultatet për çdo lëndë që është dhënë si provim kombëtar”. Komisioni i posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e diplomës, përcakton indeksin e shkollës në tabelën e profileve. Ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara, e atyre me zgjedhje mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur. Duke përcaktuar në këtë formë nëse njihen provimet apo nëse kandidati është i detyruar që të japë ndonjë prej tyre. Me marrjen e dokumentit të njohjes së diplomave kandidatët do të regjistrohen online me plotësimin e A1 dhe A1Z (sipas rastit), procedurë e cila do të mbarojë në datën 10 Maj.

Kalendari i regjistrimit online me A1Z për maturantët e viteve të shkuara

Në datën 25 dhe 26 mars, plotësimi i formularit do të bëhet nga maturantët e Tiranës, Kamzës, Kavajës Durrësit, Krujës, Elbasanit dhe Peqinit.

Në datën 27 mars, do të vijojnë plotësimin e formularit maturantët në Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll, Berat dhe Kuçovë.

Në datën 28 mars, do të plotësojnë formularin maturantët në Fier, Mallakastër, Lushnje, Skrapar Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë e Lezhë.

Në datën 29 mars, do të plotësojnë formularin maturantët në Kurbin, Mirditë, Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat dhe Bulqizë.

Në datën 30 mars, do të plotësojnë formularin maturantët në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *