Edi Reja duket se është fiksuar pas skemës 3-5-2. Trajneri i Kombëtares shqiptare e ka vendosur tashmë që në debutimin kundër Islandës do të përdorë këtë variant taktik, ndoshta për t’iu përshtatur gjithnjë e më tepër kundërshtarit, që dihet për potencialin dhe agresivitetin që ka.
Në stërvitjen e djeshme në Gjermani, aty ku kuqezinjtë janë të grumbulluar që prej së dielës, Reja ka bërë një test kontrolli, nga ku ka lënë të kuptohet edhe formacionin që mund të përdorë ndaj Islandës.
Me Etrit Berishën të sigurt në portë, duket se në rolet e tjera do të ketë vend edhe për ndonjë ndryshim me kalimin e ditëve. Treshja e mbrojtjes që ka bindur deri më tani Rejan është ajo me Dermakun, Ismajlin dhe Veselin. Nga krahët e mesfushës, por që në pozita pritjeje natyrisht bëhen mbrojtës tipik, do të vendosen Hysaj dhe Aliji.
Ndërsa në qendër të mesfushës Reja ka menduar të hedhë Ramadanin si shkatërrues, si dhe Xhakën e Ndojin. Risia është në sulm, ku 74-vjeçari i beson formës së mirë të Cikalleshit dhe Uzunit.
Gjithsesi, edhe Sadiku është kandidat për ta nisur nga fillimi, paçka se dje u përdor me formacionin e dytë, ku në krah kishte Balajn. Kujtojmë se në ndeshjen ndaj Islandës mungon kapiteni Mavraj, i cili nuk ka shlyer ende pezullimin, teksa do të jetë gati ndaj Moldavisë.
Seanca e djeshme e stërvitjes ka zgjatur mbi 100 minuta, në fushën sportive të FC Oberstedten, një lokalitet në afërsi të Frankfurtit. Sipas njoftimit që ka bërë dje FSHF, në qendër të stërvitjes ishin gërshetimi i elementeve taktike me përshtatjen e tyre në skemat e lojës. Axhenda vijon sot me dy stërvitje në ditë, pikërisht në 10:30 stërvitja e paradites dhe në 17:00 ajo e pasdites.
Ndërsa të mërkurën, ekipi do të zhvillojë një seancë. Ndërkohë, të enjten në mesditë, skuadra dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron, nisen nga aeroporti i Frankfurtit për në Rejkjavik me avion çarter. “Menjëherë pas ndeshjes, me të njëjtin avion ajo do të kthehet në Rinas për të vazhduar grumbullimin në resortin ‘Tropikal’ në Durrës për ndeshjen e 11 qershorit, kundër Moldavisë”, sqarohej dje në njoftimin e FSHF.

j.l./ dita

Sot te gjithe ekipet profesioniste luajne me 4 vete ne mbrojtje dhe pesojn gola.Mbrojtje me 3 vete.Duhet te jene te garantume qe mbrojne porten duke mos lejue asnjihere kalimin e topit tek portjeri.E jo e jo brenda portes apo goditje binarit.
Moduli eshte shume i mire, varet si do i zbatojne urdherat e Rejes.
Besoj te jete vetem nje shaka futja e Ramadanit si titullar ne mesfushe