Ka vite që një numër i konsiderueshëm rekomandimesh, përsëriten në raportet e përvitshme të Komisionit Evropian (KE), për Kosovën.
Ngjashëm me disa prej raporteve të kaluara, edhe këtë vit, Raporti i Vendit për Kosovën, i këtij institucioni të Bashkimit Evropian (BE), ndër të tjera, shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit, ekonominë joformale e ngecjen në reformën zgjedhore.
Në shumicën e këtyre fushave, sipas raportit, është shënuar përparim i vogël. Ndërsa, shumë prej rekomandimeve, për secilin nga institucionet përgjegjëse, mbesin të paadresuara.Përsëritja e rekomandimeve, për shkak të mosadresimit të tyre nga institucionet, sipas shoqërisë civile, është shqetësuese dhe tregon mungesë serioziteti e përkushtimi.
Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Radion Evropa e Lirë, se përfaqësuesit shtetërorë “duhet t’i marrin me shumë seriozitet kërkesat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian”, pasi, sipas tij, “pa adresimin e tyre, nuk mund të ketë lëvizje përpara në proceset integruese”.
“Gjuha (e raportit) vazhdon të mbetet e njëjtë, ku drejtësia vuan nga ndikimi i politikës. Ne kemi pa në rezolutën e nëntorit të Parlamentit Evropian, që Kosova është një shtet i kapur, ku korrupsioni është i përhapur në të gjitha institucionet. Prapë gjuha sa i përket korrupsionit, është e njëjtë në Raportin e Vendit, prandaj asgjë të mos i befasojë udhëheqësit institucionalë. Mirëpo, duhet ta kuptojnë një gjë, pa adresimin e këtyre kërkesave që ka Bashkimi Evropian, ne nuk mund të ecim përpara, as në procesin teknik të vizave, mirëpo as në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, e kjo i bie aplikimi për statusin e vendit kandidat”, thotë ai.
Ndërsa, Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, tha se mosadresimi i kërkesave dhe rekomandimeve në Raportin e Vendit, për vite me radhë, po e largon Kosovën nga synimi për integrim në Bashkimin Evropian.
“Raporti i fundit nuk dallon shumë prej atyre paraprakë. Nuk na ka sjellë asnjë befasi. Në shumicën e sektorëve raporti vëren që progresi i Kosovës është i papërfillshëm, dhe mesazhet dhe kërkesat e BE-së ndaj Kosovës mbesin të njëjta me vitet e kaluara”.
“Pra, të gjitha kërkesat dhe mesazhet e BE-së po na përsëriten, dhe rekomandimet, pothuajse, vazhdojnë të mbesin të njëjta. Kjo përveçse reflekton paaftësinë e institucioneve të Kosovës, që me përgjegjshmëri t’i adresojnë çështjet e viteve të kaluara, është njëkohësisht sinjal që Kosova është duke u larguar nga objektivi i saj themelor, anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, thekson Loxha.
Ndërkohë, Kryeziu, theks të veçantë vë në kërkesat dhe rekomandimet që lidhen me sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit dhe depolitizimin e bordeve, ndërmarrjeve dhe agjencive të pavarura.
“Ndikimi politik në të gjitha institucionet e pavarura, bordet, në agjencitë, zbatimit të ligjit, është evidentuar edhe në këtë Raport të Vendit. Prandaj, të gjitha këto janë sfida, të cilat në vazhdimësi janë duke e përcjellë vendin tonë. Por, kryefjala e procesit të integrimit evropian, duhet ta kuptojnë udhëheqësit institucionalë të Republikës së Kosovës, është sundimi i ligjit”.
“Pa një drejtësi të pavarur nga politika, me njerëz me integritet që janë të aftë për të hetuar dhe gjykuar profilet e larta, nuk mund t’i ofrohet perspektivë evropiane qytetarëve të vendit”, theksoi Kryeziu, drejtor i programeve dhe kërkimeve në EPIK.
Sipas Kryeziut, derisa sistemi i drejtësisë “vazhdon të vuajë nga ndikimi i politikës”, Kosova nuk është duke përmbushur as obligimet e saj kontraktuale me BE-në. Ai thotë se Kosova ka mbetur prapa në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe se ka përmbushur vetëm pesë (5) nga njëzetedy (22) prioritetet e Agjendës Evropiane.
Ditë më parë, ministrja për Integrim Evropian, Dhurata Hoxha, në një takim të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian, tha se Kosova “duhet t’i adresojë këto sfida, në mënyrë që vlerësime të tilla të mos përsëriten më”.
“Është e papranueshme, gjithashtu, sa i përket Raportit të Vendit, që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve na përsëriten ndër vite. Dhe, kemi ende shumë punë për të bërë te zbatimi i legjislacionit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër ekonomisë joformale, reforma zgjedhore, këto janë të gjitha të gjetura, të cilat i kemi evidentuar edhe ne vetë”.
“Ne duhet të jemi titullarë në adresimin e këtyre sfidave, dhe, që vlerësime të tilla të ngjashme të mos përsëriten. Nuk kemi kohë dhe hapësirë për tolerime të tilla, sidomos kur është në pyetje mirëqenia e qytetarëve tanë”, tha ministrja Hoxha.
Hoxha, po ashtu, tha se “të gjeturat shqetësuese kërkojnë seriozitet më të lartë dhe veprim të menjëhershëm” nga të gjitha institucionet e vendore, ndërsa shtoi se ngecjet e evidentuara në Raportin e Vendit, duhet të jenë “alarmi i fundit, për të dëshmuar që Kosova është e përkushtuar në synimet e saj strategjike, për integrim në BE”.
Komisioni Evropian ka publikuar paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Pakoja e zgjerimit paraqet dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit.
Burimi: Radio Evropa e Lirë
e.ll./dita

Nuk eshte e vertete.Kete here rekomandimez e KE pet Kosoven jane serioze
Këshilli i Ministrave dëshpëron Kosovën:
Nuk ka viza, taksa të hiqet menjiher
I ashpër dhe shumë kritik për Qeverinë e Kosovës dhe shtegun nëpër të cilin po ecën Kosova drejt integrimeve evropiane është seksioni i Konkluzave të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për vendin, që pothuajse në asnjë pikë nuk pajtohet me praktikat qeverisëse të Qeverisë Haradinaj.
“Vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli”, ndërsa “përmbyllja pa shtyrje të mëtejshme të marrëveshjes me Serbinë, me lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë, është qenësore që Kosova dhe Serbia të lëvizin në shtigjet respektive evropiane”.
”Taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë duhet të hiqet menjëherë”.
Këto janë pikat kryesore të Konkluzave të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që do të miratohen në mbledhjen e sotme dhe të cilat media i ka siguruar në tërësinë e tyre.
Ato përçojnë sinjalet më të këqija për Kosovën qyshkur janë dhënë për herën e parë.
Të ashpra, të qarta dhe shqetësuese, ato duhet të jenë sirena alarmi për qeverinë ngaqë në plotninë e tyre përshkruhen nga kërkesa për t’i bërë veprimet ndryshe nga që po bëhen aktualisht.
Në trembëdhjetë nga katërmbëdhjetë pikat të cilat i ka miratuar Këshilli, kërkohet ndryshim – qoftë një dinamikë e re, qoftë një pozicion ndryshe nga ai që aktualisht mban Qeveria e Kosovës. Pra, kërkohet që Qeveria e Kosovës t’i adresojë ndryshe problemet.
Kritikat e Këshillit të Ministrave janë veçanërisht të ashpra për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për punësimet e njerëzve me precedentë penalë (dhe të dënuarit për krime lufte), për mosimplementimin e Asociacionit, për mos hapjen e Urës së Mitrovicës, dhe për mënyrën si po trajtohet Gjykata Speciale.
Por, për Qeverinë e Kosovës pjesa më e rëndë duhet të jetë ajo tek pika e fundit, që flet për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, që përmbyllet me fjalinë se ky vendim akoma është duke u shqyrtuar.
Siç është bërë e qartë, sa i përket taksës kërkesa është e palëkundur: ajo nuk është në frymën evropiane dhe po e pengon bashkëpunimin rajonal, e rrjedhimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Konkluzat e Këshillit adresojnë po ashtu edhe kritikat, që deri tani kësaj qeverie i janë bërë nga shoqëria civile, për mungesën e vendosmërisë në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Këshilli mbetet i shqetësuar për ndërhyrjet politike në emërimet e pamerituara dhe shpreh keqardhje për caktimin e njerëzve të dënuar për krime lufte në pozita të tilla, që është në kundërshtim me vlerat evropiane”.
Fjalë të mira ka për aprovimin e disa ligjeve të rëndësishme, por të cilat duhet të implementohen.
Duke adresuar kritika të shumta në plotninë e pjesës për Kosovën, Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian shprehin mospajtimin e BE–së për rrugën dhe mënyrat që po përdor Kosova, si paralajmërim për pozicionin që do të mbahet në çështjet që lidhen me agjendën evropiane të vendit.