Duhet t’i njohim vetes të drejtën për ta nxirë atë në vend të Shqipërisë. Ndryshe do vazhdojë të na vrasë përditë siç vrau dje Tushën, pasi i vrau vajzën dhe burrin. Tani po vret Shqipërinë!
Tushe Osmani nuk është zgjuar më këtë mëngjes pasi ka pirë një gllënjkë helmi në një shtëpi pa drita dhe pa njerëz. Dritat ia kanë fikur se s’ka para t’i paguajë, ndërsa njerëzit një nga një ia ka marrë tragjedia e Gërdecit, që vazhdon të vrasë. Vajza e saj, Resmija, vdiq duke punuar në biznesin e lobuar nga i biri i kryeministrit, për të cilën nuk u dënua askush. Më pas burri i saj nga marazi vrau veten në një moment dëshpërimi. Sot herët në mëngjes të njëjtën gjë bëri dhe ajo.
E bëri këtë gjest një javë pasi kuptoi se të gjithë ata që duhet të dënoheshin për vrasjen e vajzës së saj, u falën me amnistinë e nëntorit. E punësuar si pastruese në Tiranë tek një veprimtare e të drejtave të njeriut, që flet publikisht vetëm për të drejtat e qeverisë, ajo më në fund pa se jeta në këtë vend nuk kishte më kuptim. Pas vdekjes së vajzës, ajo priti drejtësi, po nuk mori. Jo të gjithë prindërit qëllojnë të fortë dhe stoik si zonja Durda, që shkon në çdo gjyq dhe u rri përballë vrasësve të djalit të saj dhe mbrojtësve të tyre.
Tragjedia më e madhe në Shqipëri e shkaktar nga lobimi politik që favorizonte një çështje korruptive, më në fund u varros pa u gjykuar. Njësoj si kjo çështje, u varros pa u gjykuar skandali i famshëm i Ilir Metës dhe video-përgjimi i tij, i cili me zë dhe figurë rrënonte nga themelet moralin dhe staturën e qeverisë shqiptare.
Më keq dhe më dhimbshëm akoma, po varroset dita- ditës gjykimi i vrasjeve politike të 21 Janarit, të cilat ndryshe nga çështjet e tjera, është hetuar nga FBI dhe po hidhet poshtë nga gjykata e Sali Berishës në Tiranë. Si në një film të frikshëm me skena mafioze, sa herë që ka seancë gjyqësore, aty shkojnë “gardistë” që u puthin dorën atyre që kanë qëlluar dhe ulen me fytyrë të egërsuar para gjyqtarëve të trembur.
Janë këto histori të tmerrshme të drejtësisë shqiptare që kanë çuar klasifikimin e Shqipërisë si një kovë pusi në rankimin e Transparency International, duke na zbritur 15 vende menjëherë. Ky është rekordi më i zi që ndonjë qeveri shqiptare ka arritur të vendosë ndonjë herë. Dhe e thënë qartazi në deklaratën e Transparency International, kjo vjen pikësëpari nga mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë ose konsolidimi i mosndëshkueshmërisë të zyrtarëve të lartë.
Është e qartë. Ky rekord i zi më shumë se sa nga gjaku i 26 të vrarëve në Gërdec, është vendosur nga fati i zi i Tushe Osmanit dhe burrit të saj, që vranë veten nga dëshpërimi që nuk ia dolën dot të vendosin drejtësi për vajzën e tyre të vrarë. Ato i ka pasë punësuar i biri i kryeministrit në një “biznes të sigurt” dhe atyre nuk ua hedhim dot t’u themi që kryeministri nuk dinte gjë dhe nuk kish dëgjuar kurrë për Gërdecin. Të ndjerën Tushë nuk e gënjenim as dot që i biri i kryeministrit nuk dënohet se e mbron Bamir Topi. Edhe pse e paditur, ajo kaq e pat kuptuar ndaj nuk desh të zgjohej këtë mëngjes.
Është e qartë se ky rekord i zi nuk është arritur nga deklaratat e Sali Berishës për videon e Ilir Metës, por për faktin që Gjykata e Lartë e Shqipërisë e shpalli atë si një objekt që nuk ekziston, pasi Sali Berisha shijoi deri më 3 të natës verën në shtëpinë e Ilir Metës dhe pak orë para gjyqit kafen publike me të në Hotel Rogner. Askush në këtë vend, sado budallenj të na konsiderojë Sali Berisha, nuk beson se Sali Berishën e çoi tek shtëpi e Ilir Metës, Bamir Topi me Kreshnik Spahiun dhe për më tepër të besojmë që nga inati i imazhit të Berishës, këta të dy ndërhynë që Ilir Meta të mos dënohej.
Është e qartë mbi të gjitha që ky rekord i zi nuk u vendos vetëm pse u vranë katër vetë në Bulevard, por më shumë nga fakti se ekspertiza e FBI, e cila hetoi dhe zbuloi kush i ka vrarë, u hodh në kosh të plehrave. Sado budallenj t’i konsiderojë Sali Berisha shqiptarët, ata nuk e besojnë se Bamir Topi, i shpallur puçist më 21 janar së bashku me Ina Ramën, kanë “punuar” natë e ditë që vrasësit e urdhëruar nga Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, të mos dënohen, por të sillen si “kumbarë” në sallë të gjyqit.
Ky rekord i zi është vendosur nga grumbullimi i gjithë pushteteve në dorë të një njeriu dhe përdorimi i këtyre pushteteve për të plaçkitur këtë vend, qoftë dhe duke vrarë. Ka marrë nën kontroll Presidentin, KLD, drejtësinë, SHISH dhe gjithçka tjetër, vetëm që të mos e ndëshkojë njeri për ato që bën. Ky rekord, më i ziu i gjithë historisë së Shqipërisë, është rekordi i vetëm real që Sali Berisha ka vendosur në qeverisjen e tij.
Duke ia njohur këtë “meritë”, duhet t’i njohim dhe përgjegjësinë për të vrarët dhe të poshtëruarit nga dëshira për të plaçkitur këtë vend pa i hyrë gjemb në këmbë. Duhet t’i njohim vetes të drejtën për ta nxirë atë në vend të Shqipërisë. Ndryshe do vazhdojë të na vrasë përditë siç vrau dje Tushën, pasi i vrau vajzën dhe burrin. Tani po vret Shqipërinë!