Rekuiem për gazetarin Apostol Duka që u nda nga jeta

J L

Sefer Pasha

 

Jetojmë agun e kohës së ashpër të pandemisë dhe në çdo orë të ditës askush nuk e heq këmbën e hajrit e të sjell një lajm të mirë. Sikur të jetonim një jetë të epërme me imagjinatë të egër askund dhe gjithkund vjen rrotull fjala “vdekje” dhe shqiptarët ashtu si e gjithë bota nuk po del dot nga ky qerthull. Në këtë rrokullimë të kobëshme vdiq nga një sëmundje e rëndë (jo prej kovidit) gazetari, eseisti, poeti, prozatori, skenaristi dhe botuesi i librit Apostol Duka. Ai kishte mote që vuante nga një sëmundje, të cilën e zbrapsi me atë guximin gjenetik të labovitit safi, por qe e pamundur. Jam i sigurtë që Apostol Duka në rreshtin e dinastisë së vëllezërve Sofokli dhe Arben Duka si krijues nuk do ta donte që gjëma ta gjente në këtë kapërxyell fatkeqësie që ai e mallkonte. E kam takuar para pandemisë. Ishte me bashkëshorten dhe të venë e vëllait, Sofokliut. I ruhej sëmundjes dhe delte nga shtëpia rreth orës dhjetë të paradites. Nuk qëndruam gjatë. Po redaktonte një libër të cilën po e shkruante e shoqja e Sofokliut. Në atë takim të fundit i fola për përshtypjet nga fshati i lindjes Labova. Më shikonte si lumi i Drinos përfund fshatit, i cili në pranverë pret nga Çajupi që ta shuaj etjen e zallit me shirat e malit. Fisniku Apostol Duka më dëgjonte me ngashërim. Kishte mall për të shkuar në Labovën e dashur e të vendoste lule tek varri i prindërve. Nuk e pata takuar herë tjetër dhe se di nëse e la sëmundja për të parë Labovën dhe malin e shenjtë Çajupin, ku rrinë hyjnitë. Ishte idhtar i malit që i rri mbi kokë Labovës. Në malin e Çajupit Apostol Duka u përgatit për jetën si një ulikas.

Nuk do ta harroj atë ditë tek kafeneja afër shtëpisë botuese “Toena”, ku rrinim me Sofokli Dukën e krijuesit e tjerë. Aty Apostol Duka botoj dhe disa nga librat e tij. Më dha një fotografi me uniformën e ushtarakut kur ai punonte si gazetar në shtypin e Ministrisë së Mbrojtjes. Fotografinë e mbajta disa çaste në duar. Apostol Duka i njohur për supersticiozitetin e tij qe i një redaktor i rreptë në shtypin e ushtrisë, por dhe dashamir. Unë në ato mote isha pa përkrahje dhe Apostol Duka më ka botuar reportazhet, skicat, tregimet dhe ciklet me poezi. Tani që ai nuk jeton më i mbaj mend mirë telegramet që më dërgonte për të tërhequr honoraret, të cilat më gjenin në malin e Buretos, të Nemërçkës dhe sidomos në Kakavijë, ku ai me këmbëngulje me merte në telefon me Ibrahim Ganin nga gazeta “Luftëtari” dhe më kërkonin reportazhe. Mua nuk më mungonte intuita dhe shqisa e reagimit dhe Apostol Dukës i shkruaja për motivin dhe fabulën që ma kërkonte. Ai me ta marë shkrimin këndellej dhe më telefononte. Humorin e kishim të hazërtë. Në një rast i thashë se bisedën tonë telefonike po e dëgjon dhe ushtari grek nga vendroja dhjetë metra larg nga zyra ku unë shërbeja. Je me fat më thoshte Apostoli. Dhe më porosiste që të mbaja ditar.

Vetë Apostol Duka ka shkruar pareshtur. Shumllojshmëria e rrëfimeve ka për brum kohën që ai jetoi. Gazetën ku ai punonte e drejtonte një gjeneral si Hita Çako. Dhe nuk ishte e lehtë. Disa gjeneral shkuan në plumb dhe që të mbijetoje në ato kohëra kërkohej të shkruaje mbi një dërrasë me gozhdë të mprehta. Në ajrin e zymtë të diktaturës Apostol Duka me një mijë mundime diti habitshmërisht si labovit t’i kapërxejë çastet apokaliptike dhe e përballoj humnerën. Por si labovit i mençur e me qibër nuk e la veten në mëshirën e fatit dhe të intrigantëve. U shqua si ushtarak guximtar e nuk eci tymtazi. Ngulmonte në art dhe prevalonte zgjidhjen më të mirë. Feja e tij qe Shqipëria. Në datën 5 dhjetor 1983 unë përcolla në Kakavijë Amalia Flemingun, gruan e shpikësit të penicilinës, e cila kishte qenë për vizitë në Tiranë. Apostoli më telefonoi disa herë. Donte të dinte me detaj se çfarë tha deputetja e Parlamentit grek, bashkëshortja e shkëncëtarit të madh. Nuk pranonte në shkrime logjikën tribale, por poetikën universale.

Apostol Duka qe dhe një botues i mirë i librit. Me mundime, por ja dilte. Hidhte në treg tablo të bukura e subjekte me vegime të mrekullueshme e gjuhë të zgjedhur. Në linjat e librave të tij dëftohet tharmi i së vërtetës së kohës së trazuar. Si të gjithë vëllezërit Duka, ai, qe një idelalist romantik. E këndellte realja dhe gjuha e kulluar e labovitit. Me orë të tëra grindej me të vëllanë Sofoklinë se në cilën udhë kaloi Bajroni për në Tepelenë. Ikonë e jetës së tij mbeti Labova. I vëllai Sofokliu nxirte gazetën “Odrija” kurse ai vetë mblidhte këngët dhe gojdhënat e Labovës. I pëlqente kënga: – “Gruaja ime fshinë odanë/ /Me një degë manxuranë/. Bisedonim shpesh për librat dhe për dramat e tranzicionit të pambarimtë në disa rrafshe. Shumatorja e gjykimeve dhe preformanca të tij të mahniste. E trishtonte baltosja e imazhit të Shqipërisë. Po boshatiset vendi më thoshte me dhimbje. Duket edhe në librat që ka botuar. Apostoli nuk e duronte dot primitivizmin bajraktarik të drejtimit të pushtetit. Në librat që botonte, ku qe redaktor, pëlqente prozën e brishtë dhe alegorinë e personifkuar. Pakrahasueshmërisht me të tjerët me sens përgjegjësie e me bekim shkruante për atdheun. Kishte mënyrën apostoliane të këndvështrimit. Në takimet që bëheshin në Tiranë me Rexhep Qosen, të cilin ai e vlerësonte si simbol të mendimit filozofik, i bënte akademikut pyetje të kulluara. Unë jam një qasje autentike na thoshte në biseda. Qosen e kam model dhe arti i tij si një fill i florinjtë më ndjek në të gjithë krijmtarinë time.

Jeta e gazetarit Apostol Duka nuk ka asnjë gjurmë mëkati. Ai qe shëmbëlltyra e dlirë e labovitit të pastër si bora e malit të Çajupit. Edhe në esetë që botoj është unikal. Në rrëfenja, në zakone, në tradita e në karakter mbeti labovit. Thelbi polemik qe pjesë e jetës së tij edhe në prozën e mugullt të vitit 97 – të. Nuk ndërroi flamur edhe kur psikoemocionalistit Duka shpellagjitë i afronin ndonjë karrike të shtrembër. E lanë pa punë dhe jetoi në një hyrje të zakonshme pallati derisa mbylli sytë. Muza e labovitit nuk e lejoj që me spikama abstrakte në nyjet dramatike të tranzicionit të kërkonte mollë të arta nga maskarenjtë e Ali Asllanit, të cilët ai me artin e tij i shpersonalizonte. Apostol Duka që s’është më, qe sqimtar e me përjetime vetjake, edhe pse nuk i mungoi guximi i makthshëm dhe forca shpërfytyruese me fakte të lakuriqta, ai, nuk demnostroi urrejtje dhe as intriga kundër atyre pushtetarëve, që me doza perversiteti çfarë nuk bën në këtë të uruarën Shqipëri. Sa shumë e pëlqente thënien e Dostojevskit, i cili ka thënë:-  “Dënojeni njeriun të jetojë në një vend ku qëndron me një këmbë buzë një gremine të kobëshme. Ai jeton në shi, në borë, në ngricë, mes dhimbjeve dhe urisë, por nuk dëshiron të vdes. Reziston duke vazhduar jetën”. Por Apostol Dukën vdekja e kurthëroi. Ai nuk e imitoi dot atë që thotë Dostojevski. Frazat epitetore nuk kanë vlerë. Episodi mizor i vdekjes ndodhi për fat të keq. E braktisi engjëlli mbrojtës. Gjithsesi Apostol Duka do të mbetet në kujtesë si njeri që me forcën e personalitetit la pas emër të mirë. Qysh në gjallje e mori statusin e legjendës. Diti të përballoj në jetë çastet e ndritura dhe të zymta. Laboviti Apostol Duka qe tejet i parë e tejet i ditur e si në mitologji i përballoj i mynxyrat. I përkiste elitës së fisnikëve të Labovës dhe ashtu e mbylli jetën. Pati si prolog shpresën. Sa shumë që i pëlqente epitafi mbi varrin e Xhek Londonit, ku me porosi të shkrimtarit tek koka e varrit të tij të vendosohej një gur ku të shkruhej: – “Guri që nuk u hyn në punë punëtorve”!

Share This Article
3 Comments
  • Ngushellime per njeriun dhe talentin qe tere jeten punoi me ndershmeri dhe nuk ”u zvarrit” per karrige pas te “medhenjve!

  • U shokova nga ky lajm trondites dhe i papritur!
    Coli yne, i thjeshte dhe modest, kurajoz dhe i paepur nga sfidat e jetes, si gjithe vellezrit e vet të Familjes se shquar Duka….
    Por mua me lidhin me Colin tone te paharruar vitet studenteske, kur punonim se bashku edhe me shoke te tjere per te nxjerre gazeten e Rinise universitare te Tiranes, gazeten “STUDENTI”….
    NGUSHLLIME FAMILJES SE APOSTOL DUKËS dhe veçanrisht Vellait te tij te nderuar Poetit te shquar dhe Mikut tim Arben Duka !
    Lamtumire Coli yne i dashur dhe i paharruar!
    Nuk e kishe kohen per ikur!….

  • Ngushellime te sinqerta per Apostolin. Ngushellime familjarve vecanrisht poeti Arben qe ne faqen e Dites na dhuron xhevahire.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *