Apokalipsi mbase nuk do të kish këto gjasa e përmasa. Sigurisht, në imagjinatën e njeriut mesatar, apokalipsi është diçka e paraparë në filma hollivudianë, diçka e potershme dhe shkatërruese në kuptimin material. Pallate që rrëzohen, toka që çahet nën këmbët tona, lumenjtë që derdhen të tërbuar mbi qytete e fshatra, dete që me një të shkundur të valëve zhdukin çdo shenjë qytetërimi. Të paktë ata që e konceptojnë që ky nuk do të ish apokalipsi ynë, sepse thjesht një asgjesim i tillë nuk do të mund të rrëfehej nga një qënie njerëzore.
Ka një tjetër apokalips që duhet të na interesojë, si specie dhe qenie, individë të vetëdijshëm për prezencën tonë në këtë botë. Ky është apokalipsi i arsyes dhe i kujtesës. Kujtesa është arsyeja e mirë e qenies, e cila i mundëson asaj të qënurit në kohë në mënyrë të qëndrueshme dhe të vetëdijshme. Pa arsyen dhe kujtesën shumë gjëra nuk do të ishin bërë dot, madje as edhe një hap i këtij parakalimi në kohë e në Histori, që quajmë njerëzim apo qytetërim.
Rrënimi i arsyes është hapi i parë drejt shndërrimit të qenies në një prezencë të ftohtë, të mbyllur në vetvehte dhe aspak e ndjeshme ndaj gjërave që i ndodhin përreth. Arroganca e pushtetit, arma në duart e një grupthi njerëzish me ambicje dhe babëzi përtej çdo imagjinate, e lidh individin në mënyrë të patjetërsueshme me nevojën, nevojën për të mbijetuar. Kjo ofensivë kundrejt arsyes dhe kujtesës, që ka për qëllim final robërimin e njeriut, kalon nëpërmjet gjuhës dhe fakteve që mbushin kronikat e përditshmërisë.
E tashmja është skena ku zhvillohen aktet e një apokalipsi të heshtur, ndërkohë që të gjithë dukemi si të impenjuar nga routine e përditshmërisë. Madje, shumë prej nesh, kanë dhe iluzionin e të qenurit të lirë, kësisoj sepse mund të mendojnë, të veprojnë dhe të shprehen si të lirë. Por ky akt në vend që të përçojë në një prezencë më aktive në dimensionin e dramës, e tragjedisë që zhvillohet çdo ditë përpara syve tanë, përkundrazi dhe çuditërisht, ka efektin e kundërt. Individi izolohet, gjendet i mbyllur në guackën e vetë përpara një bote që duket e shurdhët dhe e pandjeshme ndaj tij.
Gjyqtari Hoxha lexon vendimin mbi 21 janarin, trupa e Gjykatës së Apelit u bën skonto njerëzve që më papërgjegjshmërinë dhe babëzinë e tyre morrën jetë njerëzish, ty të duket sikur gjithshka po bie, toka po të çahet nën këmbë ndërkohë… . Ndërkohë asgjë nuk po ndodh! Gjithshka hesht dhe vazhdon të shkojë rrugës së vetë sikur asgjë të mos kish ndodhur.
Brecht, në rileximin e veprës klasike të Antigonesë, na vë përpara një apokalipsi të kryer tashmë. Arsyeja ka rënë, kujtesa është shkatërruar falë një dëshire përverse për të dalë përtej së tashmes, për të harruar, një dëshirë që në të vërtetë na robëron akoma më shumë. Në tentativën tonë për të harruar e për të mbyllur sytë e për të mos parë çka po ndodh, e gjejmë veten lidhur me vargonjtë e nevojës për të mbijetuar. Apokalipsi Brechtian është tragjedia e drejtësisë së dhunuar, e drejtësisë shndërruar në një vegël represioni dhe dhune. Ligji është doreza e hekurt me të cilin është veshur dora e pushtetit.
Gjykatësit e kësaj drejtësie dhunojnë arsyen e qenies. Ata janë aty pikërisht për këtë gjë, për të mohuar me forcën e ligjit-vegël forcën e fakteve. Nëse ti vret dikë me legjitimimin e mbrojtjes të simboleve të pushtetit, ky pushtet dhe simbolet e tij marrin përmasa mistike, çnjerëzore dhe nga ai çast e tutje gjithshka është e mundur. Drejtësia e përdorur si altari ku farkëtohen simbole të një pushteti të errët. Individi, njeriu, qytetari është jashtë dhe i dhunuar nga këto simbole. Ai, kur mundet, është i detyruar të blejë mëshirën e këtij sistemi.
Nuk mund kurrsesi të harrojmë viktimat e pushteteve që, me po këtë simbolikë, vranë në emër të një legjitmiteti të mistifikuar. Nuk mund të harrojmë që demokratizimi i një shoqërie është pikërisht një proces që përkon me demistifikimin e çdo forme pushteti. Demistifikim i cili ka për qëllim vënien në qendër të strukturës shoqëri-shtet njeriun dhe të drejtat e tij.
Aty ku gjykatat legjitimojnë vrasjen e njeriut në emër të mbrojtjes të një ndërtese, selie qeveritare apo ç’tjetër, aty e vetmja mundësi për t’u përgjijur është mbrojtja e arsyes dhe shpluhërosja e kujtesës. Arsyeja dhe kujtesa, kuraroja dhe besimi që rrjedhin prej tyre u përkasin rrugëve dhe shesheve. Sheshi, epiqendra e një qytetërimi është si ajo poçja ku shkrihen dhe përzihen metalet, aty ku formohet indentiteti i një shoqërie, i qytetarit. Sheshi është simboli, i vetmi legjitim, i shtetit në shërbim të shoqërisë. Sheshi jo vetëm si hapësirë urbane dhe arkitekturore por si simbolikë. Sheshi është dhe kutia e votimit dhe vota.
Dje, Policia e Tiranës nuk pranoi të shqyrtojë kërkesën e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit për të protestuar, për të ushtruar një të drejtë që Kushtetuta u njeh atyre dhe çdo qytetari në mënyrë të pakufizuar. Forcat e Rendit nuk pranuan as ta merrnin në shqyrtim këtë kërkesë, detyrë e tyre me funksion garancie dhe jo licensimi. Kjo ndodhi dje,vetëm pak ditë pas vendimit të turpshëm mbi Gërdecin, pas vendimit mbi 21 janarit.
Çfarë po na thotë ky shtet! Po na thotë që nuk kemi të drejtën të protestojmë, nuk kemi të drejtën për të shprehur zemërimin dhe dhimbjen tonë për padrejtësitë që na bëhen ditën për diell nga ata që duhej të ishin aty për të na shërbyer. Ky shtet e ka humbur çdo ligjitimitet për të folur e për të vepruar në emrin tim, në emrin e çdo qytetari shqiptar.
Shteti ka rënë e në vend të tij është ngritur një regjim. Demokracia ka rënë e në vend të saj është ngritur një diktaturë, e cila dikton me dhunë vullnetin e saj, vullnet i cili buron nga ambicjet e babëzia e disave për pushtet politik dhe ekonomik.
Ky është i vetmi shtet që vret. Shteti tjetër, ai që i shërben qytetarit dhe shoqërisë, ai shtet ka në themel si parim të patjetërsueshëm jetën. Në këtë shtet nuk ka ndërtesë qeveritare që të vlejë më shumë se jeta e individit. Në këtë shtet Prendi, Llupo, Ministri Mediu apo Basha, Gjykatësit Hoxha & Co do të kishin bërë gjithshka për të mbrojtur jetën e një qytetari. Por ne nuk kemi këtë shtet. Ne kemi shtet langaraqësh me makina lukzoze e llogari bankare marrëmendëse që përpijnë mundin dhe djersën tonë.