Rëndësia e dietës në mjekimin e diabetit! Disa këshilla që nuk duhen neglizhuar kurrsesi

Pranvera Kola

 Kujdesi për ushqimin është gur themeli për mbajtjen nën kontroll të sëmundjes së diabetit. Mbajtja e dietës nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga ngrënia e shumë ushqimeve.

Mjekët endokrinologë të QSUT-së bëjnë me dije se pacienti me diabet mund të marrë çdo lloj ushqimi.

Por, duhet që të kujdeseni për sasinë që duhet të konsumoni, e cila përcaktohet në varësi të përmbajtjes së sheqernave dhe yndyrave që ushqimet kanë në përmbajtje të tyre.

“Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak vetëm duke mbajtur dietën e rekomanduar nga mjeku endokrinolog dhe pa asnjë mjekim tjetër shoqërues. Dieta është specifike për çdo person me diabet. Ajo varet nga metabolizmi bazal, nga BMI-ja (indeksi trupor i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit) dhe nga aktiviteti i tij fizik. Pra është specifike për çdo person që jeton me sëmundjen e diabetit”, bëjnë me dije bluzat e bardha të QSUT-së.

Sipas tyre, një person me diabet duhet të marrë 3 vaktet kryesore dhe 3 vakte të ndërmjetme (mini vakte) pra gjithsej 6 vakte në ditë. Vaktet kryesore merren zakonisht: në mëngjes, në orën 8:00, në drekë në orën 14:00, dhe në darkë në orën 20: 00.

Ndërsa vaktet e vogla (mini vaktet) merren midis vakteve kryesore, në orën 11:00, në orën 17:00 dhe në orën 23:00 ku rekomandohet më së shumti të konsumohet një frut.

Shumë e rëndësishme është që vaktet të merren pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë dhe hapësira nga vakti në vakt të jetë e njëjtë. Mos të kalojnë shumë orë pa ngrënë.

Një vakt ushqimor duhet të përmbajë me patjetër karbohidratet (sheqerna) të nevojshme.

Lidhur me pyetjen se si duhet që t’i marrim m përbërësit kryesorë, mjekët shpjegojnë se zakonisht përqindja e përbërësve kryesore ushqimore të një vakti duhet të jenë: 40 për qind karbohidrate, 40 për qind proteina dhe 20 për qind yndyra.

 

Si të ndërtojmë një vakt normal për një person me diabet?

Mëngjesi: bukë + qumësht + djathë + vezë e zier.

Dreka: bukë + supë perimesh + mish peshku ose pule + sallatë perimesh.

Darka: bukë + supë zarzavatesh ose makarona + kos.

Vakti i ndërmjetëm: një frut, Kos frutash, sallatë perimesh ose 3 biskota.

p.k/dita 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *